Poezia… - Nga Artan Gjyzel Hasani
…është një vajzë e zhveshur
që ka humbur udhën në mendjen tënde
dhe duhet t’ia mbulosh trupin e brishtë
me vargjet e tua
derisa ti të mbetesh lakuriq
aq shumë
sa të mos kesh më frikë nga i ftohti…
dhe për të mos e lënë vetëm
duhet të shpikësh zogj pa këmbë
që kanë veç krahë
që jetojnë dhe vdesin në ajër
të lindur për fluturime kundër dëshirës
në pamundësinë e përjetshme
për të ecur mbi tokë
por mos harro t’u falësh edhe një qiell
qiellin tënd…
e vështirë kjo
e pamundur ndonjëherë këtu poshtë
ku gjërat janë më të thjeshta
dhe njerëz të ngutur mospërfillës
nga një krimb krijojnë lehtësisht
një flutur
që më pas do të japë shpirt
në garderobën tënde të boshatisur…
(nga "FATA MORGANA", 2023)
© artangjyzelhasani



