Buletin Meteorologjik - Nga Vangjush Ziko
* * *
Pllakosi vapa,
siç pllakos mërzia,
palmat e shushatura,
as marrin frymë,
as shushurijnë,
vala e detit
mbi gjoksin tim psherëtin,
djersijnë mendimet,
kripa e tyre m’i zbardhi vetullat,
thinjët m’u nxinë,
pres bubullimën,
ta zgjojë këtë jetë memece,
që njeh vetëm heshtje.
* * *
Rrebeshi mbushi sheshin
diamantë det.
Në grusht
mblodha breshërin
dhe m’u tret.
Qau ky qiell
dertin e vet.
* * *
Tymon ylberi.
U shtrydhën retë,
u bënë trok,
u thanë.
Bubullima u platit
prapa maleve
tok me shpresën time
mjerane.
© Vangjush Ziko



