Krijimtari

Jeta sipas Hefestit - Nga Artan Gjyzel Hasani

nuk është lot ai që rrjedh faqes

por djersë e shpirtit kur del nga furra

nënlëkura e virtyteve virtuoze

dhe vezëve të sapoçelura të veseve

kjo metalurgji e padukshme mes brinjëve

ku shkrihet çdo gjë që të jep udha...

përpiqesh një jetë të tërë

të kthesh llamarinën në flori

e do të të duket sikur...

por dikur mbetesh pa fuqi

për të ndryshuar atë që s’mundesh

e po atë ditë ndjen të plakesh

dhe ndërsa i heshtur gjerb kafenë

sodit nga larg pa dëshmitarë

shndërrimin e arit në teneqe

në paradhomën gazmore të vdekjes

ku buzëqeshjet shërbehen të lehtësuara

nga pesha e tjetrit dhe vetes...

(nga “IMORALISTI”, 2020)

©artangjyzelhasani

(sipas mitologjise greke Hefesti ishte kovaçi i Olimpit)