Qyteti i mallit tim - Cikël me poezi nga Vangjush Ziko
BURIMI AMËZ
Pallate luksoze,
të plakura shtëpi përbri,
betoni si llavë vullkani
themelet e lashta përpin
gdhendur me teh çekani,
stolisur me dhembshuri.
Jeta - kjo xhungël e lashtë përgjunj,
mëshirë nuk di.
Burimi amëz
(kjo çezmë, që pagëzoi
qytetin tim)
gulçon e pikon
si plakë me astmë
bri bizares bukuri.
RRUGA IME
Rruga ime e vjetër
mbathur me kalldrëm të ri
ngryset e gdhihet
jo me sofate,
vetura verbuese shkëlqim
presin të hapen portat,
të bjerë një bori
për shëtitje fodulle të kota
(shëtitje që as vetë s’e di)
shtegtim në mërgim,
a harrim.
KALIVJA E QENIT
Kaliven e qenit
ndërton që pa gdhirë,
sharron e mbërthen
dërrasat e saj,
kaliven e vetmisë së tij
ngre ky njeri;
qeni besnik
dorën atij ia lëpin,
fëmijët u arratisën
për në mërgim.
FESTA E BIRRËS
Tërë natën
qyteti nuk fjeti.
Orgji.
Mamur u gdhi.
Dremitin shtëpitë,
dremitin veturat përbri.
Lypsarët ngrohen në diell.
Doli makina
të lajë rrugët e vjella
me birrë
dhe me... flori.
BRENGË E MERMERTË
Erdha nga larg
te varret e fisit
t’u ndez një qiri.
Lotin tim e gëlltita,
flas me ta dhe me shpirtin tim;
i braktisa dhe ika
(c’të bëja s’e di),
Brenga ime
kjo e mermertë bardhësi.
KRYQËZIMI IM
Somnambul
vozit oborrit të shkretë,
dielli ma ndrit
vesën e mallit përmbi qerpik,
hëna m’i mbështjell kujtimet
me të ergjendtë qefin.
Mbi mur të avllisë
trëndafili i vjetër
me gjembat e tharë të tij
kryqëzon hijen time,
hijen e Judës,
jo të zotit Krisht.
PHONE NOTE BOOK
Shfletoj bllokun
si pergamen,
faraonë s’kërkoj,
kërkoj shokët e vjetër,
zilja e shurdhër
në boshllëk tingëllin
ndërmjet kontinentesh,
apo tokës dhe qiellit
(këtë nuk e di),
ky bllok
me miqësinë e pavdekshme
më lidh.
QYTETI I MALLIT TIM
Muzakajt
ta shkruan të parët emrin
në kryq të drunjtë
dhe testament.
Osmanët
në gjysmë hënë të ngrënë.
Të tjerë mbi kryq të drejtë,
a të shrembër.
Mbështetur mbi gjoks të Moravës
vilat moderne
dhe bija dhe shemra,
që as kryq, as hënë
më s’njohin tashi,
ta rishkruakan emrin,
qytet i mallit tim.
© Vangjush Ziko
Korçë, gusht-shtator 2023



