Shtëpia e vjetër - Nga Vangjush Ziko
Heshtja ka marrë formë shtëpie,
Vitet radhitur me gurët e mureve,
Dritaret lotë të ngrirë habie,
dëgjojnë kujtimet e blerta të drurëve.
Tymi ngurosur në formë oxhaku,
Buzët e dyerve kyçur nga ndryshku,
Bredhi përbri si shkop patriarku
larë me vesë të blertë që s’vyshket.
Oborri me plloça radhitur si varre,
ku prehen sa breza, që janë harruar,
Ec me kujdes dhe nëpër damarët,
ndjej gjakun që kam trashëguar.
© Vangjush Ziko



