Krishtlindje mërgimtari - Nga Vangjush Ziko
Christmas tree!
Bredh i rritur në liri.
Bredh i rritur në dhe të huaj,
në dhe hua.
Hua jeta,
hua dhe shpresa.
Hua e ardhmja që dua.
Të kam borxh
dhe s’më ke hua.
Borxh jetën Zotit ia kemi,
asaj shpelle të Betlehemit.
Asaj komete që ndrit qiejtë,
që bredhit tonë i dha jetë.
I shkundim borën e mërzisë
dhe çdo dhjetor atë stolisim,
tok me shqiponjën tonë,
i varim shpresën - hajmali
gjysmë të shkrirë,
gjysmë të ngrirë.
O Christmas tree,
Bredh i rritur për lumturi.
© Vangjush Ziko



