Vitri(na) - Nga Artan Gjyzel Hasani
ai vjen dëborë i bardhë përherë
dhe për arsye higjienike
ne na gëzon ardhja e tij
siç dimë do të fillojmë ta nxijmë
me shpresë se vetet tona do të zbardhim
në mos këtë herë, në vitet që vinë…
do të ulemi këmbëkryq nëpër kalendarë
do të luajmë kumar me datat
ditëve të bukura do t’u vëmë emrin tonë
të këqijave emrat e tyre
bie perdja dhe paqja
do dalim në vitrinë të hedhim fishekzjarrë
në mëngjes nuk do të mbajmë mend asgjë
do të ngushëllohemi me atë që mbetet
netët nuk shënohen nëpër kalendarë
dhe kujtimet janë një kishë që i është thyer kambana
nga besimtari që veten dhe Zotin do të harrojë
por në thelb asgjë s’ka ndryshuar
ditët e javës janë djem që nguten për në vendin e gabuar
dhe e Diela është një vajzë që s’di nga të shkojë…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani



