Krijimtari

Pengu i prangës - Nga Artan Gjyzel Hasani

ti ndoshta do t’i lexosh këto vargje

në kohë të papërshtatshme

për çastet e ajrimit

por dashuria për tjetrin

është e vetmja prangë

që e bën të lirë

atë që pret dënimin

në burgun e vetes…

i lodhshëm shumë rrugëtimi

gjithnjë arritëm aty ku s’deshëm

ndaluam hapat kur humbi qëllimi

por më e gjatë se ne ishte udha

na joshi përsëri 

dhe ne përsëri ecëm…

dikur edhe udha jonë mbaroi

dhe s’kishim ku të shkonim

por duhej ecur që të mos vdisnim…

mes greminës  dhe humnerës

zgjodhëm të keqen më të vogël

njëri-tjetrin

në mos për t’u përqafuar

për t’u mbështetur

para se njëri nga ne

të mbetej vetëm…

(nga “FATA MORGANA”, 2023)

©artangjyzelhasani