Krijimtari

Eklipsoide - Artan Gjyzel Hasani

koleksion gabimesh të përsëritura jemi të gjithë

presim amnistinë në herbariumet e fajit

por njeriu është e vetmja lule

që s’ua refuzon të gjallëve prekjen

dhe dhimbjen e këputjes

kundërmon edhe kur nuk është

prandaj unë nuk e kam frikë vdekjen…

nëse jeta është djepi i ëndrrave

dhe varreza e kujtimeve

atëhere vdekja qënka dora e ëmbël

që pasi na përkund një jetë të tërë

drejt udhës ku s’gabohet më

në dheun ku ata kujtojnë se na kanë varrosur

na mëson si të mbjellim veten…

filozofi e lodhshme përtej fundit të udhës

kur s’të ka mbetur më pasion a dëshirë

as mundësi tjetër për të gabuar

në heshtjen e madhe do të biesh dakord

jeta ishte një nënë e dehur shkujdesur

dhe vdekja një njerkë e mirë…

(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)

©artangjyzelhasani