Psalm - Nga Vangjush Ziko
S’kam qenë në mal të shenjtë,
as stërnip i davidit s’jam,
jam biri i shekullit
me plagë të hapura.
Psallt në tempullin tim,
tempull i thjeshtë
pa kolona mermeri,
pikturuar me vargje
dhe ikona poetësh,
kupola e tij
me frymëzim të plumbtë veshur,
si parzmore luftrash,
zbukuruar me vetëtima
rimash të prushta,
që ndizen dhe shuhen
dhe vishen me hi,
Zemra ime - këmbanë
(as bronx, as hekur).
Këndoj psalme për botën
dhe fatin tim
mbështjellë me mjegull.
Amin!
© Vangjush Ziko