Mbijetuesit - Nga Artan Gjyzel Hasani
njeriu jeton edhe kur zemra e tij nuk rreh më
në radiografinë e dashurisë shfaqen hiroshimat
si hiri mbi oshëtimat
Kupidi jo gjithnjë mbante një hark me shigjetë
në të rrallë një sopatë a granatë
ndonjëherë edhe vetë bombën atomike
të amballazhuar bukur
aromatike si një lule mimoze…
jemi mbijetues të dashurive të mëdha
dhe pasioneve të forta
mbijetues zemrash të gjëra
dhe mendjesh të vogla
mbijetues të ethes sonë që vrau tjetrin
mbijetues të hijes së vetes
gjysëm Abelë
gjysëm Kainë
të çensuruar në biblën e jetës
predikues komodë të gjakut të ftohtë
arkivolë të turpshëm në varreza dinjitoze
zombies që nuk e gjetën dot rrugën
për të ardhur siç ishin
për të shkuar siç u bënë…
(nga “FATA MORGANA”, 2023)
©artangjyzelhasani



