Vetmi të rreme - Nga Artan Gjyzel Hasani

ka edhe ditë të bukura
që të vjen keq t’i ngrysësh
me kafe cigare dhe facebook
por s’e ke ti në dorë
dhe s’bën dot ndryshe
tashmë ke marrë plotësisht formë
në thelbin tonë të ftohtë postmodern
jemi nënprodukt kodesh dhe alfabetesh
që nganjëherë na pëlqen të dashurojmë
por fati është i shkruar
dhe ti ashtu si unë
je veç një shkronjë e klikuar
në tastierën e ditëve
ku orët humbin kohën
pa u keqkuptuar
derisa të vijë mbrëmja
kjo nënë e urtë dhe grua e askujt
dashnorja e atyre që vinë
dhe vejusha e atyre që ikën
e vetme si një shans i fundit
që në mungesë të ilaçeve
ia japim vetes para gjumit
misterioze si një vetmi e rreme…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani