Mesdita në Toronto - Nga Visar Zhiti

Mesdita në Toronto
rrjedh nëpër xhamat e kullave të larta
si ujvarë qytetare, e kaltër, e kaltër.
Kumbimet e kambanave të Katedrales
flatrojnë rreth nesh - pëllumba flladesh.
Po kur të mbarojë shishja e verës
në tryezën tonë në rrugë, këtu poshtë pemëve?
Dielli - kamerier do na i mbushë gotat me dritë
si me dëshira të reja.
Dashuria nuk është kujtim, do të thosha,
të shtrëngon dorën poshtë tryezës,
e ndjeshme si mesdita në Toronto.
© Visar Zhiti