Njeriu me kryq - Nga Vangjush Ziko
1.
Kam një kryq
(nuk jam Krisht)
jam njeri me kryq në shpirt,
me faj dhe pa faj
veten mbi të kryqëzoj,
parfum dhe miro me vaj
nuk pranoj,
plagën e shpirtit,
sa herë ma gërvishtin,
mëshirë kërkoj si Krishti
për këdo.
2.
E di që në venat e mia
kam gjak të papastër,
lundrojnë në trup
mëkatet e mia,
falem si vrasësi
dhe vetëvrasësi,
zemra avokat
truri - gjykatës,
shpirti im burg
dhe unë
i mbyllur në të si murg
mëtoj të bëhem i pastër.
3.
U bëra engjëll një çast
dhe u skuqa,
vetja m'u duk lakuriq
me krahë të këputura,
as qiellit
as tokës s'i ngjis,
profet q'u braktis,
i tallur Don Kishot.
I hodha gunën e dhirtë shpirtit
që dimri i jetës s'e shpon dot,
me fytyrë të qetë martiri
botën dhe veten sfidoj.
© Vangjush Ziko



