Problemet e mjekësisë shqiptare kundrejt burgosjes së mjekëve-Nga Dr.Tritan Kalo

Qeveritarë, merruni me thelbin e problematikave të mjekësisë sonë, dhe jo me kamera të fshehta dhe burgosje mjekësh e infermierësh!
Ja njëra prej tyre. Këmbanat kanë rënë me kohë, por veshët tanë të super-politizuar nuk i kanë dëgjuar.
Në fillim të viteve 90-të u mendua të riformatoheshin spitalet e shumtë publikë të Tiranës, në kuadrin e krijimit të Qendrave Spitalore Universitare, ku më thelbësorja ishte dhe mbetet Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza", si një bashkim i pesë spitaleve.
Ideja ishte dhe mbetet shumë me vlerë, por realizimi i saj ishte, është dhe do të vijojë të mbetet larg imazhit të vërtetë të një Qendre Spitalore Terciare Universitare si simotrat Europiane të saj.
Bashkimi mekanik i pesë spitaleve jo detyrimisht solli cilësimin e duhur të tyre, nuk po flas për infrastrukturën teknologjike dhe ndërtimore, por për atë që përbën "zemrën" e mirëfunksionimit të QSUT, "kapitalin njerëzor".
QSUT-ja "u pasurua" me shumë individë që nuk i plotësonin kriteret profesionale të një individi me strukturë profesionale të nivelit universitar, pra jo vetëm një individ mjekues por edhe dijedhënës, dijeshpërndarës. Po ashtu nepotizmi njohu "kulme" të pa imagjinueshme për këdo, sa shpesh QSUT-ja u kthye në një qendër punësimi familjar. Ndikimet politike në këtë ristrukturim ishin dhe mbeten po aq parësore, sa ky trend vështirë se do të ndryshojë në thelbin e tij edhe në të ardhmen.
Pajisja më pas e këtyre individëve me tituj shkencorë, Doktorë, Assistent Profesorë apo Profesorë, me një shpejtësi dhe numër që do habiste këdo në botën mjekësore, e bën shumë të vështirë në mos të pamundshme korigjimin e gabimeve të bëra në strukturimin e "boshtit kurrizor të QSUT-së, atë të kapitalit njerëzor", në këtë periudhë "gri" të zhvillimeve demonkratike të vendit.
Janë pikërisht idndividë të tillë që janë bërë dhe vijojnë të bëhen pengesë për injektimin e individëve të tjerë me arritje edhe më cilësore se ta në përbërjen e stafit mjekësor, ose në mpakjen e shpirtit ecuror të atyre tashmë të pranishëm, që kanë vetëm dy zgjidhje në jetën e tyre profesionale: 1- ose të vijojnë të drejtohen nga individë të fosilizuar në pozicione drejtuese, ndoshta jo cilësisht më lart se ta, dhe të mbetet pa asnjë shtysë dhe të demotivuar për një perspektivë të të bërit karrierë profesionale, ose, 2- të jenë të detyruar të emigrojnë duke lënë pas tyre një boshllëk jo lehtë për t’u plotësuar menjëherë, me profesionistë të të njëjtës performancë profesionale.
Deformimi i krijimit artificial të dy kategorive mjekësh, 1-stafi i atyre mësimdhënës, pedagog apo akademik, quajini si të doni, dhe 2- mjekët kurues, ordinatorë por jo mësimdhënës, u dha dorë të lirë partive të rradhës në qeverisjen e vendit të injektonin në këtë qendër këdo me lidhje të forta me to.
Në mendimin tim, që shpresoj se nuk është i vetmi, një Qendër Spitalore Universitare ka dhe gjithmonë duhet të ketë vetëm një kategori mjekësh, Mjekë Prakticien dhe Universitar, mjekues shumë cilësorë dhe mësimdhënës po aq cilësorë. Pse? Sepse studenti dhe mjeku specializant është tërë kohën në kontakt me të gjithë stafin e një Shërbimi Specialistik dhe jo vetëm me atë mësimdhënës/akademik....Dosjet/kartelat dhe të sëmurët ku ai mëson se si diagnostikohen dhe trajtohen sëmundjet e ndryshme në shumicën e tyre janë të stafit jo mësimdhënës/akademik.....Për ta mësimi më i drejtëpërdrejtë dhe më thelbësor vjen pikërisht nga kontakti me këtë kategori mjekësh dhe "produktin e tyre".
Skizma artificiale e krijuar në krijimin e dy kategorive mjekësh, "lëndon" jo vetëm cilësinë e dijedhënies e të dijemarrjes, por ajo krijon dasi profesionale, etike dhe sociale jo të dobishme në ecurinë e qendrave terciare mjekuese dhe dijedhënëse. Njëkohësisht, artificialiteti ndarës i Fakultetit të Mjekësisë dhe Universitetit Mjekësor nga Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe Qendrat e tjera Spitalore Universitare, ndikon jo pak në përzgjedhjen e stafeve, në shfrytëzimin e kapaciteteve te tyre intelektuale si dhe në mirë-menaxhimin edhe të burimeve financiare. Ndarjet dhe nëndarjet administrative të here pas hershme në QSUT, nuk ndikojnë sa duhet në thelbin e mirëfunksionimit të një Qendre Spitalore Universitare Terciare, thelb i cili mbetet i njejtë që prej krijimit të saj, cilësimi i mjekimit të të sëmurëve dhe i mësimdhënies e i mësimmarjes nga studentët dhe mjekët. Kurrë nuk është vonë për të bërë punë të bukura, dhe jo reforma për hir të reformave....Quo vadis Shqipëria ime!!!