Për të qeshur

Manual për Përdorimin e Kullës së Korçës - Nga Arben Kallamata

Nga: Arben Kallamata

Bashkia e qytetit të Korçës, duke vënë në jetë porositë e paçmuara të Kryeministrit Edi Rama në vizitën e së tij historike të 19 Dhjetorit 2014 dhe duke synuar që t’iu vijë në ndihmë qytetarëve brenda dhe jashtë Korçës që ta përdorin me sa më shumë efekt Kullën, përgatiti në mënyrë urgjente, botoi dhe shpërndau te qytetarët Manualin për Përdorimin e Kullës së Korçës.

Hyrje: Kulla e Korçës është një objekt përdorimi të gjithanshëm, që shërben për veprimtari pamore, kuruese, tregëtuese, argëtuese, çliruese, lehtësuese, orientuese, kontrolluese, vrojtuese dhe eksperimentuese.

Ky Manual përdorimi ka për qëllim t’u shpjegojë me hollësi përdoruesve të Kullës se si ta përdorin atë sa më mirë.

-Përdorimi me karakter pamor. Kulla përdoret për ta parë, për të parë, dhe për t’ia parë.

o Për ta parë kulla mund të përdoret nga jashtë. Qytetari zgjedh një pikë vështrimi, nga poshtë, nga lart, ose në gjysmë lartësie dhe e shikon Kullën. Në këtë rast është e nevojshme të hapen sytë mirë, në mënyrë që shikimi të jetë sa më i efektshëm. Kulla mund të shikohet edhe me dylbi, duke dalë në kodrat e qytetit, ose duke u ngjitur lart në Moravë. (Shënim: Ndërtuesit e Kullës nuk marrin përgjegjësi nëqoftëse Kulla nuk dallohet në raste mjegulle, ose në raste të përdoruesve që kanë probleme me sytë. Kulla nuk shihet me sy mbyllur.)

o Për të parë Kulla përdoret që nga Brenda-jashtë. Domethënë, duhet të hysh në kullë, t’i ngjitësh shkallët dhe të mbërrish në verandën vëzhguese të saj. Që atje mund të shohësh. Nuk mund të shihet përmes mureve të Kullës.

o Për t’ia parë Kulla përdoret në disa mënyra. Varet se kujt duhet t’ia shohësh dhe nga sa afër duhet t’ia shohësh dhe, natyrisht, çfarë do t’i shohësh. Duke qënë se kjo pikë e përdorimit të kullës mund të kërkojë interpretime të klasifikuara jo të përshtatshme për publikun e gjerë, detajet do të jepen në Shtesën 1 të këtij Manuali Përdorimi.

-Përdorimi për t’u kuruar. Siç porositi në mënyrë të veçantë Kryeministri në vizitën e tij historike të 19 Dhjetorit 2014, kulla përdoret edhe si mjet kurimi. Në konsultim të ngushtë me një grup mjekësh, Bashkia e Korçës përcakton këto mënyra përdorimi kurues të Kullës:

o Për t’u kuruar nga sëmundjet e lëkurës, kryesisht të kruajturave të forta. Rekomandohet që të sëmurët të fërkohen pas mureve të kullës. Këtë mund ta bëjnë duke u kruajtur jashtë kullës, në brendësi të saj (nëpër shkallë) ose edhe në majë të kullës. Për efekt maksimal, përdoruesit e kësaj mënyre kurimi rekomandohen të zhvishen cullak.

o Përdorimi për të lehtësuar efektet e konstipacionit. Në raste konstipacioni të fortë, rekomandohet ngjitja dhe zbritja e shpeshtë e shkallëve të kullës. Sipas mjekëve, lëvizjet lart e poshtë shkallëve të kullës ndikojnë në lirimin dhe zhbllokimin e zorrës së trashë. Dy tre ngjitje/zbritje të shpejta duhen alternuar me 10 deri 15 minuta pushim. Ushtrimet përsëriten deri sa të liroheni.

o Përdorimi për të lehtësuar efektet e diarrhesë. Në raste diarrheje Kulla mund të shërbejë për t’i lehtësuar të prekurit edhe rrëzë mureve të jashtme të saj, por edhe nëpër shkallë. Në rastet ekstreme, lehtësimi nga parmakët e ballkonit të sipërm të kullës është më i efektshmi.

o Kurimi nga Syri i Keq. Duke qënë objekti më i shëmtuar i qytetit, Kulla mund të përdoret fare mirë për t’u shëruar nga syri i keq. Të prekurit nga Syri i Keq duhet t’i afrohen kullës në orën 3 të mëngjesit duke pëshpëritur: “Syri i zi në bythë të qenit të zi. Syri i kuq, në bythë të qenit të kuq,” dhe duke prekur me pëllëmbën e dorës së djathtë muret rrethuese të kullës.

o Përdorim për dhimbjet e kokës – migrena. Të sëmurët me dhimbje koke ose migrenë mund ta përdorin Kullën si mjet kurimi duke përplasur kokën pas saj. Rekomandohen veçanërisht qoshet e forta dhe të mprehta të mureve prej betoni. Në rast se dhimbja e kokës shoqërohet edhe me marrje mendsh, atëherë sugjerohet që përplasja e kokës të bëhet pas mureve të ballkonit lart.

o Përdorimi për t’u kuruar nga ndikimi i estetikës sovjetike. Për të sëmurët nga ndikimi i estetikës sovjetike, sëmundje kjo mjaft e përhapur në qarqet e emigrantëve, rekomandohet ardhja dy-tre herë në vit në mëmëdhe dhe kontaktet sa më të shpeshta me Kullën. Të sëmurët, simptomat e të cilëve paraqiten më së shumti si shtrembërime të realitetit pamor dhe ngatërrime të objekteve shumë të bukura me objekte të shëmtuara duhet të mbyllen në kullë për periudha të caktuara kohore dhe të lexojnë me vëmendje librin “Hrushovianët”. Aty ata do ta kuptojnë rrezikun e ndikimint nga social-imperializmi sovjetik.

-Përdorimi si kioskë. Kulla, si dhe çdo objekt tjetër ndërtimi apo shkatërrimi mund të përdoret edhe si kioskë. Për këtë Bashkia e Korçës ka menduar edhe të shpallë tenderin. Të interesuarit për ta përdorur kullën si kioskë duhet të drejtohen në Bashki me zarfet e propozimeve përkatëse.

-Përdorimi për të drejtuar trafikun rrugor dhe ajror. Duke pasur parasysh që funksioni primar i Kullës, sipas mbrojtjes që i ka bërë Bashkia dhe personat e autorizuar prej saj, ka qënë që të shmangë trafikun dhe ndotjet mjedisore pasuese në sheshin përpara Teatrit “Çajupi”, rrotull Kullës nuk do të ketë trafik. Megjithatë, lartësia e kullës jep mundësi të shumta për drejtimin e trafikut në distancë, duke përfshirë këtu trafikun rrugor dhe atë ajror (në rastin e ndërtimit të një aeroporti në Bulgarec). Mendohet që në pjesën e sipërme të kullës të ndërtohen semaforët dhe aparaturat përkatëse për drejtimin e trafikut.

-Përdorimi i Kullës për eksperimente fizike. Që në projektim kulla është menduar që të përdoret për eksperimente fizike, veçanërisht nga nxënësit e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme të qytetit, private dhe shtetërore, të vendit dhe të huaja. Nxenësve do t’iu jepet mundësi të ngjiten në ballkonin e Kullës dhe të eksperimentojnë me dukurinë e gravitetit, njëlloj si Galileu nga Kulla e Pizës. Në magazinën e Kullës do të mbahen gjithmonë rezerva hekuri dhe pambuku, për të parë se kush bie më shpejt përtokë dhe kush rëndon më shumë, një kile hekur, apo një kile pambuk.

Shënim: Ky Manual Përdorimi është në pasurim dhe përpunim të vazhdueshëm. Presim sugjerimet dhe mendimet e përdoruesve dhe dashamirësve të shumtë për ta përsosur atë.