Raqka i Korçës dhe qyli i Bregoviçit - Nga Rob Kore

Rob Kore - Toronto
Në një lokal luksoz dhe shumë të shtrenjtë në Korçë, një burrë rreth të dyzetave ishte ulur në një tavolinë në rreshtin e parë afër banakut.
Rrinte këmbe mbi këmbë dhe ishte zhytur në mbështetësen e karriges, duke nxjerre në pah gjoksin.
Kishte veshur nje bluze të stampuar me fjalet: Jo Bregoviç.
Mbante në tavoline vetëm një shishe uji të gazuar dhe një gotë të mbushur përgjysem.
Mbas pak hyn në lokal Raqka, i cili njihej në qytet si mbeshtetës i flaktë i Ramës.
Raqka kishte punuar në Bashkinë e Korçës dhe kishte bërë shumë para. Mënyrën se si, e dinte gjithë Korça.
Mbasi i hodhi një sy gjithë tavolinave, Raqka u drejtua tek banaku me një të ecur duke u lekundur dhe me njerin sup të ngritur pak më lart se tjetrin.
Hodhi nje shikim nga tavolinat, pa e kthyer kokën, vetëm lëvizi sytë, afroi fytyrën tek hunda e banakierit dhe i pëshpëriti:
-Jepi të gjithë tavolinave nga një peshk zgare dhe një gotë verë nga ato të vjetrat që ke në qilar, me përjashtim të atij që ka bluzen e stampuar. Bëje në mënyrë demonstrative që t’a injorosh sa më shumë. Paguaj unë, more vesh.
Banakieri, Taqua, një djalë simpatik dhe më një buzëqeshje që tregonte mirësi, e kreu menjëherë porosinë.
Të gjithë u kënaqën me qylin, por per çudi i vetmi që falenderoi Raqkën ishte ai që mbante shishen e ujit përpara dhe që nuk iu shërbye peshku me verën.
Raqka u habit nga ky reagim i tij.
Për inat të tij, Raqka porositi edhe nga një verë tjetër për të gjithë, përsëri me përjashtim të personit me bluzën e stampuar.
Mbasi u servir vera, i vetmi që e falenderoi Raqkën ishte përsëri burri me shishen e ujit.
Bile këtë radhë, hoqi këmbën mbi këmbë, drejtoi trupin dhe u përkul me kokë në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për Raqkën.
Raqka s’po kuptonte se çfarë po ndodhte.
I inatosur shkon tek banaku dhe pyet banakierin:
Taqo, përse me falenderon ai tipi atje, që nuk po i shërbejmë?
Taqua, si gjithmonë me buzeqeshje, iu pergjigj me zë të ulët:
-Është pronari i lokalit.
©Rob Kore