Andej-Këtej

Respektojeni tjetrin duke qenë gjithmonë vetvetja - Nga Flurans Ilia

Të dashur miq, erdhi çasti, sërish - kur tingulli i gotave përpos faktit që na afron me njëri tjetrin, si puna e mediave sociale ngushtësisht në këndvështrimin e largësive gjeografike - na largon njëherazi në trajtën e një kujtese individuale drejt gjërave që realisht mundëm të bënim edhe një vit për veten dhe të tjerë, dhe atyre ideve që ngelën si krismë në tentativë për vitin dhe vitet që vijnë. Asnjëra nga këto nuk ka dhe nuk do kishte kuptim racional pa praninë e së tashmes.

E si do të ishin jetët tona pa praninë e zogut të ëmbël të paradoksit? Të gjithë jemi qiraxhinj mbi këtë tokë me një kile të ardhme në trastën e ndërrimit të viteve. Asgjë nga këto nuk do të kishte kuptim pa praninë e diçka-je më të epërme se vetë ne, që na bënë me katër palë flatra. Te dikush mund të jetë Zoti, te dikush paraja, te dikush pushteti, te dikush FJALA, te dikush fuqia e psikës së fshehur pas një karriere tërësisht të zhveshur nga arti, nga lëvrimi i gjuhës me korrektësi dhe imagjinatë, nga koloriti i ngjyrave të humanizmit gjer te refuzimi i të qenit një ingranazh mekanik i cilitdo sistemi.

Për mua e epërme ka qenë gjithmonë Dashuria si një tingëllimë për shkronjën D, si një D-Day, dynden ditët ku D-ja tjetërsohet, ditë pas dite dendësohet bëhet armë memece, bukë-peshku e vjedhur, shkumë deti shpirttrazuar tallaz, kjo arrati në ajri ku trualli i gjuhës gatuan pritshmëri.

Gjersa në një çast si ky tani - në të tashme - pas një dardhe (më) shfaqet Drini sërish midis dy diejve, kaosi i poezisë, gjendje e paqme, e lëngëzuar trajtë e lëndës së shkruar, forca e fërkimit, pluskimi, (sepse) të gjithë trëndafilat të drejtojnë drejt tokës - Tokës që kullon shenjtëri trëndafilash.

Mos e harroni kurrë këtë gjë miqtë e mi, pa të nuk do jemi kurrë të aftë të ndërtojmë një sistem solid vlerash. Një sistem të brendshëm që t’i flasë qenies tënde në kryeradhë. Opinioni i jashtëm është krejtësisht i dorës së dytë, mu ashtu si thotë një miku im, opinioni jashtëm është si “mbushës topi”. Janë ata, ushtarë, me shtupë në dorë që kishin për detyrë vetëm të mbushnin me barut grykën e topit.

Për mua viti që po ikën ngelet vit i takimit me lexuesin e këtyre fjalëve që unë shkruaj. Ka qenë një vit që më ka befasuar për vetë faktin që jemi parë sy më sy jo vetëm në ekran, jemi prekur më në fund pas kaq vitesh (Sindozot!), kemi dëgjuar zërin e njëri tjetrit nga afër, kemi shkëmbyer ide, libra dhe njohje të reja. Kjo falë miqve dhe kolegëve të mi të cilët i mbart si një festë që e kam gjithmonë me vete ngado ku të më shpjerë rruga dhe të më kapë nata.

E di? Vetëm në saj të dashurisë për ty, do ketë një dritë në kërthizën e universit tonë ku më e pakta të shohim Tjetrin që nuk është asgjë më tepër se vetja jonë e panjohur dy çaste më parë.

Ndaj respektojeni tjetrin duke qenë gjithmonë vetvetja, edhe nëse jo bëhuni të tillë, mos e çani trapin për opinionistët, qëndrojini besnikë atyre vlerave që përgjatë viteve i keni mbajtur si hamall mbi argumentin e duhur, atyre vlerave që ju kanë bërë të ndiheni goca dhe çuna artistë, atyre vlerave që ju kanë veshur me sytë e zemrës.

Gëzuar!

© Flurans Ilia - Montreal, 31 dhjetor, 2024