Kur e fut veten në telashe - Nga Avdulla Kënaçi
- Published in Andej-Këtej

Atë djalosh truphollë, zeshkan, veshur me një xhakavento të gjatë deri tek gjunjët, e kam parë disa herë në korridorin e katit të 25-të, ku unë jetoj së bashku me gruan. Në fillim mendova se ishte banor i këtij pallati, por më lindi dyshimi kur djaloshi zeshkan më hodhi sytë gjithë ndrojtje e frikë dhe me kujdes lëvizi ngadalë në krahun tjetër të korridorit, me gjasme andej kishte ca punë.
Ne, para dy vjetësh jetonim tek shtëpia e tim biri, një dykatshe në cep të bllokut. Aty ime shoqe u kujdes dhe i rriti njeri pas tjetrit tre fëmijë, por kur më i vogli shkoi në klasë të parë, im bir vendosi të blejë me kredi një suitë në pallatin i cili po hidhte shtat, tek “Sheshi Mississauga”, nja njëzetë minuta larg, më këmbë, prej shtëpisë së tij, kështu do të ishim afër me njeri-tjetrin dhe nuk do ta ndjenim mungesën e mbesave dhe nipit, sidomos brengën e bashkëshortes sime, e cila është aq shumë fort e lidhur me ta.
Ishte hera e parë që jetonim në një lartësi të tillë ku të merren mendtë edhe duke vështruar poshtë, që nga ballkoni. Këtu nuk ka hyrje e dalje si tek fqinjët në Shqipëri, madje ende nuk kemi mësuar prej nga vijnë ata e çfarë punësh bëjnë. Po mundohemi t’i përshtatemi jetës “moderne”. Me fqinjët na bashkon vetëm ashensori, kur hipim e zbresim ose një dhomë e vogël në fund të korridorit që lidhet me një tub vertikal metalik i cili përfundon në kazanin e madh të plehrave.
Është i dyti dimër që unë gjej të mbushur me mbeturina kamaren që lidhet me gypin metalik. Kanati i kësaj kamareje hapet e mbyllet duke shtypur një buton elektronik me ngjyrë jeshile. Mbeturinat janë kuti kartoni picash, shishe uji bosh, gota plastike ose ambalazhe të ndryshëm ushqimesh. Nuk ka mundësi që një banor dyvjeçar të mos ketë mësuar si të shtypë tre butonat e dritares elektronike. Atëherë kush janë këta banorë që nuk kanë mësuar si të zbrazin mbeturinat?!
Njeriu pyet edhe kur nuk di si të përdorë një aparaturë që e sheh për herë të parë. Një ditë prej ditësh ndesha pastruesen e korridorit mu përballë derës së suitës sime. Ajo është një vajzë e re, e sjellshme dhe e gjendur, e cila e flet rrjedhshëm anglishten. Në mos gaboj është me origjinë nga Nepali ose Bangladeshi. Ka rreth gjashtë muaj që është e punësuar në katin e 25-të. I tregova se disa herë kam gjetur mbeturina tek kutia elektronike e katit tonë.
- Si, e kam lënë unë pa pastruar, doni të thoni?! - pyeti e çuditur.
- Jo, - iu përgjigja duke buzëqeshur - dikush ende nuk ka mësuar si ta përdorë dritaren elektronike me tre butona.
- Ishin me qese apo pa qese mbeturinat? - pyeti ajo e merakosur.
- Pa qese, ishin hedhur në nxitim e sipër, ose personi mendon se tubi i përthith vetë mbeturinat.
- Jo, - shtoi ajo e menduar - duhet të jetë një homless (pa shtëpi). Ata nuk dinë si ta përdorin dritaren elektronike dhe as nuk guxojnë të pyesin sepse tani në dimër, kur temperatura natën shkon minus 20-30 gradë nën zero flenë tinëzisht në korridor. Kujdes prej tyre, janë të rrezikshëm, disa herë sulmojnë.
- Si, nuk ka kamera në korridor të lidhura me sportelin tek hyrja?
- Jo, nuk ka arsye të ketë kamera në korridor ashtu si brenda ashensorit, - u përgjigj shërbyesja e brengosur dhe shtoi se do të njoftonte stafin e kondos.
Pasi u ndava me pastruesen, mendova se me atë bisedë e futa veten në telashe. Them se jam i pjekur në moshë, por ja që nganjëherë nxitohem edhe unë. Prit kur të më thërrasë supervizori, të jap sqarime më të hollësishme. Ç’desha unë t’i thoshja shërbyeses së katit se kamarja elektronike ishte e mbushur me mbeturina dhe e papastruar?! Hë de, më thuaj…
Realisht këtë vitin e fundit në Kanada janë shtuar klandestinët nga vendet e pazhvilluara, ose të botës së tretë, siç thuhet rëndom. Më përpara refugjatët mësynin kufirin amerikan, por tani punët nuk janë edhe aq mirë me Amerikën e dashur. Po bëhen shumë vjedhje dhe krime. Momentalisht Kanadaja ka probleme me fqinjin jugor. Replika pa fund. Gjithçka është shtërnguar e acaruar. Refugjatët, duke mos pasur letra të rregullta, nuk i pranon njeri në punë dhe ata fatkeqë nuk paraqiten në strehimore të flenë rehat e të hanë një tas supë të ngrohtë. I frikëson deportimi. Ditën e kalojnë në qendra tregtare ku vjedhin diçka për të mbijetuar, por natën kërkojnë vende të ngrohta si godinat e mëdha, ose pallatet. Ulen diku në një cep korridori dhe flenë mbështetur pas murit, me një sy hapur e një mbyllur. I tillë duhet të ishte edhe ai djaloshi zeshkan me xhakavento deri tek gjunjët për të cilin ju rrëfeva në fillim të kësaj ngjarjeje.
Prita të më thërrisnin tek stafi i godinës sonë 34-katshe, një ditë, dy, tri, por jo. Shërbyeses i shmangesha. Me siguri rojet në hyrje, që hapin e mbyllin dyert elektronike kanë përgjegjesi dhe ndoshta shërbyesen e katit tonë ata e kanë këshilluar të mos e bënte problem bisedën me mua se pastaj përgjegjësia do të binte përmbi ata. Sidoqoftë unë prej tri-katër javësh nuk kam parë as kamaren të ndotur të mbeturinave dhe as ndonjë figurë të dyshimtë klandenstini në cepat korridorit.
© Avdulla Kënaçi - Mississauga, 9 shkurt 2025