Një letër nga Toronto - Nga Agim Xhafka
- Published in Andej-Këtej
Më shkroi nga Kanadaja një shoqja ime gjimnazit:
-Kur kam kohë i lexoj postimet e tua në Facebook dhe i shijoj. Më këndellin në nostalgji, mallëngjehem e qofsh i bekuar që ma sjell Korçën bash në Toronto. Më mungon aq sa zenra ma di. Por kam një vërejtje. Mos e bëj zi atë perudhë kur ishim të vegjël. Me aq mungesa në ushqime e veshje siç shkruan. Se familjen tënde e kujtoj përherë të qeshur, miqësore dhe optimiste.
Këto qenë rreshtat e saj. Nuk do bëj polemikë. Po nuk e fshij dot varfërinë e atyre viteve. Atë bukën me sheqer e ujë sipër për mëngjes. Atë supën në drekë apo një garuzhdë fasule kur ishim me fat. Darkën me poparen e gjyshes që e bënte me koret e mbetura të bukës. Apo tutat e trikotazhit që nuk m’u ndanë deri në gjimnaz. Në acar, në ngricë me ato shkoja në shkollë e erës së veriut i tregoja gjoksin që e mbushja me gazeta.
Këto nuk i fsheh dot se kanë lënë vragë në tru, në zemër e në shpirt. Sa për familjen time të qeshur e optimiste, qe beteja e përditshme që bënim me të keqen. Që nuk luftonte veç babai e nëna ime. Përpiqej dhe Ethemi e Hajria e katit të parë që kishin 5 fëmijë e jetonin në një garsonierë. Kur flinin me siguri djemtë e rritur shtriheshin në koridor dhe këmbët u dilnin jashtë derës së banesës. Te hapësira e shkallëve të pallatit. Njësoj miqësorë ishin dhe prindërit e Gjergjit, të Ilirit, apo Razo shoferi që kishte 7 fëmijë, me gruan sëmurë prej vitesh e vitesh. Njësoj dhe Nerënxa me protezën në këmbën e majtë. Që kur i thoshin, ta ka prerë një plumb nga italianët kur ishe në demonstratë ajo u hakërrehej: -A ç’më çani kokën!
Shoqe e dashur, mike e mirë, njësoj ke jetuar edhe ti. Si ne. Po Kanadaja t’i ka zbehur pak ndjesitë. Ne këndej i kujtojmë sa herë ndeshim moshatarë përballë, ecim në rrugët e atyre moteve, shohim kodrat e qytetit, shkollën e banesat e fap na hipën kurajoja sërish. Si dikur. Të luftojmë me jetën për jetën. Është vaksinë e çdo kohe, për çdo moshë. Dhe që ta bëjë efektin tamam duhet të qeshim, të shfaqim optimizëm, të dukemi që nuk mposhtemi.
Mbase kjo strategji nuk mësohet në libra. Ama e mësuam prej njëri-tjetrit dhe na shërbeu. Se ia dolëm. Mbijetuam, o motër!
© Agim Xhafka



