Reflektime të shpërndara nga javët e fundit - Nga Endrit Mullisi
- Published in Andej-Këtej
1. Si familje, vendosëm të agjërojmë individualisht gjatë Kreshmës - unë, gruaja dhe vajza. Unë ftova kishën që të bashkohej me këtë praktikë, por si zakonisht, kisha e shtëpisë nuk i lexoi mesazhet. Ne ramë dakord për qëllimin, por jo për detajet: unë hoqa mishin dhe bulmetin; ato hoqën gjithashtu vezët, sheqerin dhe kafenë. Mendoj se përkushtimi i tyre tregoi një besim më të thellë se imi. Prandaj, nuk u predikoj më atyre në shtëpi - i dinë vetë të gjitha. E mendova se Kreshma do më shenjtëronte, por më tepër më nxori në pah papastërtitë që fshihja thellë në shpirt - ende nuk i kam çrrënjosur. I mjeri unë, kush do të më shpëtojë? Por unë besoj te Ai që vdiq për mëkatarë si unë.
2. Disiplina është e domosdoshme. Pa të, nuk mund të arrijmë asgjë - qoftë leximi i Biblës, agjërimi apo ndonjë përmirësim i karakterit. Asnjë gjë e mirë nuk arrihet pa një përkushtim të qëndrueshëm. Kjo më bën të mendoj se si shqiptarë, ndoshta nuk jemi aq besimtarë të mirë sa duam të dukemi - sepse na mungon disiplina.
3. Shtëpia ime ndodhet pranë një kishe ortodokse greke. Fundjavën e Pashkës, si çdo vit, kishte fluks njerëzish. Por këtë herë, në mes të natës, u zgjova nga zhurmat e fishekzjarreve. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë "zjarrin e shenjtë" të shoqërohet me këtë lloj spektakli. Ndoshta është ndonjë risi në kishën që mbahet që nuk ka ndryshuar gjate 1000 viteve te fundit? Apo ndoshta ndonjë shqiptar që pa leje, nga entuziazmi, ndezi fishekzjarret në mesnatë? Më telefonuan disa që kërkonin adresën e kishës shqiptare për të ardhur për Pashkë, por kur mësonin që jemi protestantë, nuk erdhen. Më mirë, në kishën greke - aty s’të njohin, s’të pyesin, s’të thonë as “shnet” e as “plaç”. Mjafton që ndërgjegjja të qetësohet se shkuan në kishë një herë në vit. Zoti, besojnë, do ua llogarisë si pikë pozitive. Kjo me ndodh shpesh, në forma të ndryshme, dhe vetë protestantët pasi shohin çfarë bëhet, shkojnë në kisha anglishtfolëse, ku patjetër shërbesa është më e bukur, ndoshta mesazhi është me pak sfidues (kush nuk do të dëgjojë gjëra pozitive t dielave?) Mund të shkosh me duar në xhepa për 5 vjet dhe prapë do të thonë, "mirësevjen". Shqiptarët për vete, Zoti për Shqiptarët.
4. Ishim pak të sëmurë në fundjavë, dhe nuk kisha kohe por nuk më doli nga zemra të shkruaja ndonjë mesazh urimi për Pashkë. Shumica e atyre që do e prisnin, nuk shkojnë në kishë dhe e festojnë më shumë me mish qengji sesa me Qengjin e Perëndisë. Nuk më dukej e sinqertë t’i uroja për diçka që nuk e besojnë.
5. Kam qenë i shqetësuar për zgjedhjet. Shoh që shumica e kanadezëve janë të majtë, dhe ç’të bësh, ajo karrocë shkon ku e shtyn media e blerë. Në Shqipëri, njerëzit votojnë sërish për PS, sepse mendojnë që nuk ka më të mirë. Por këtu? Kemi opsion shumë herë më të mirë këtë radhë. Shpresoj që të hënën gjërat të marrin një kthesë konservatore - për të mirën e vendit.
6. Disa njerëz luten që dimri të mbarojë, por duket sikur Zoti nuk po i dëgjon. Ndoshta ka të tjerë që bëjnë kundra-lutje, si në ndeshjet e futbollit ku secili lutet për skuadrën e vet. Por unë po pres që lulet të çelin dhe gjethet të fillojnë të pëshpëritin mesazhin e tyre pozitiv në këtë jetë të përditshme monotone.
7. Presidenti amerikan nuk më shfaqet më në YouTube. Algoritmi duket sikur nuk e do më. Më parë e prisja me entuziazëm, me shpresën për ndryshime në çështje morale, por që nga idetë për shtetin e 51, 52 e më tej, dhe tarifat "ngriva-shkriva", më ka humbur çdo respekt. Edhe nëse vazhdon të bëjë ndonjë gjë të mirë, për mua ka dalë nga zemra. Më vjen keq për ata që flenë dhe zgjohen me Trump-in në shpirt - unë kam Krishtin, dhe askush nuk i afrohet Atij.
8. Me largimin e Papa Françeskut nga kjo jetë, priten ndryshime në Kishën Katolike. Janë të mirë apo të këqija? Nuk e dimë ende. Lutemi që të jenë për mirë, sepse ende Kisha Katolike ka një zë me peshë në botë.
9. Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan është diçka që duhet ndjekur me vëmendje. A do të jetë ai një nxitës i misionit, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë? A do të dërgojë misionarë në Kosovë, Maqedoni, Greqi dhe diasporë? Nëse jo, pse? Sepse ndërkohë po shkojnë të tjerë me iniciativa të çuditshme dhe po bëhen peshkopë. Shqiptarët po përfundojnë në kisha greke e sllave.
10. A do të bashkohen ndonjëherë protestantët shqiptarë? Zemra ime e dëshiron, por mendja më thotë që është e pamundur për tani. Kulti i individit është tepër i fortë. Edhe në grupimin tonë, të gjithë duam të jemi drejtues. Edhe këtu në Kanada, nëse do të mblidheshim të gjithë protestantët shqiptarë, do të ishim disa qindra. Por edhe këtu kemi "arsyet" tona.
Ah, ne shqiptarët… ende nuk kemi kuptuar çfarë duam si shqiptarë dhe çfarë nuk duam!
Kaq për sot nga unë. Me mend në kokë e me shpresë në zemër.
© Endrit Mullisi



