Andej-Këtej

Jeta si film (tregimi i së dielës)

Nga: AGIM XHAFKA

Romeo dhe Elvira u njohën dhe u dashuruan në kombinat, në ato vite që sot i quajmë diktaturë. Punonin bashkë dhe si natyra të qeta, të urta, punëtore, të sjellshme e pafjalë ishte e sigurt që do bashkoheshin një ditë. Pëlqenin sjelljen e njëri-tjetrit dhe të folurën mes tyre. Pa figura, pa zmadhime, por me fjalë të thjeshta si mendimi i tyre i shqartër.
Në dasmën e thjeshtë, organizuar bukur te ngushtica e shtëpisë së vogël, njerëzit e shumtë mbushën edhe rrugën jashtë, ku kalonin makinat.
Më pas rrjedha e jetës së tyre ecte qetë, pa grindje e sherre dhe me ato halle që kishte krejt popullata e vendit. Me mungesa në ushqime. Por nëna e babai i Romeos, që banonin bashkë me të, bënë atë manovrën në lagje sikur jetonin veç djalit, andaj siguruan dhe një tallon tjetër ushqimor. Kështu që kur lindi Blerta, vajza e parë, nuk ndjenë boshllëk në tavolinë. Asaj shtëpie plot dritë e sinqeritet, iu shtua vogëlushja që u dha kaq gaz sa dukej sikur atje dielli ndriçonte edhe natën. Jeta modeste, por me kaq ngrohtësi lumturonte krejt shtëpinë e vogël në cep të qytetit. Kështu deri sa një ditë ra rrufeja dhe tek tjegullat e kësaj familjeje. Pasi rregjimi theu qafën fabrika u mbyll e para nga reformat e qeverisë së re. Romeo dhe Elvira donin ndryshim ,por nuk mendonin se një ditë do ishin pa punë të dy. Zgjoheshin si përherë nga gjumi dhe nuk dinin ku të shkonin. Ca ditë me pleqtë, me ndonjë kafe e muhabet e më pas u hyri në gjak pasiguria, si ajo frika kur kalon tërmeti i parë dhe në tru ke bindjen se ja, pas pak do bjerë tjetri më i fortë. Romeo ishte mekanik dhe i zinte dora çdo gjë, por nuk po hapej as fabrikë e re, as ndonjë punishte. Njerëzit iu futën tregtisë, bli dhe shit ishte motoja e kujtdo. 
Një mëngjes, Nesti, një shok i fabrikës, i solli Romeos një pajisje akulloresh. 
-Mora dy në Greqi, ishin lirë. Hidh qumësht e sheqer dhe ja u bë,-i tha ai. Romeo e vendosi te dera e shtëpisë. Për fat sapo kishte ardhur pranvera dhe te rruga e tyre kalonin plot fëmijë se ishte një shkollë aty pranë. Disa ditë e punoi ai, më pas la Elvirën dhe vetë iku në Tiranë. Kishte një ide dhe që andej erdhi me një makineri të vogël që bënte çelsa. Njerëzit po ndërronin dyert e shtëpive dhe pandehte se do të kishte punë. Por jo aq sa e mendoi. Pikonte, më shumë fitonin me akulloret. Kështu shtynin ditët e mbasdite luanin në oborrin e vogël me Blertën që po rritej. Mes këtyre ngjarjeve u erdhi në jetë goca e dytë. U mbush plot shtëpia, thoshte nëna e Romeos. Ndërkohë vazhdonte punën akullorebërësja dhe çelsbërësi. 
Një mëngjes te dera e fqinjit, matanë rrugës nisi punë një aparat tjetër akulloreje. Dhe ata e blenë në Greqi. Secili ka kismetin e vet,-tha Romeo, por e kapi trishtimi se në darkë nga akulloret po vilnin pak të ardhura. Shpenzimet po rriteshin. Fati e solli që një kushëri i largët ngriti një punishte bulmeti dhe donte një shofer për mbledhje qumështi në disa fshatra. Punë tre orëshe, por ja që paguhej aq sa merrte bashkë nga akulloret dhe çelsat. Çohej Romeo në katër në mëngjes dhe nga ora 8 ishte te aparati e çelsave. Iu kthye buzëqeshja e gazi. Gjenin kohë dhe të luanin me vajzat. Deri sa një ditë, duke u kthyer nga fshati, pati marrje mendsh dhe dhimbje gjoksi. Ndaloi makinën dhe koka iu rrëzua mbi timon. Kur hapi sytë pa që dergjej në spital.
-Ke kaluar parainfarkt,-i tha Elvira dhe lotoi. 
Nuk kishte atëhere as aparate, as ilaçe në qytet. U detyrua të shkonte në Tiranë. I thanë se po ta gjente mundësinë të ikte në Greqi, duhej të bënte një koronarografi.
U kthye në qytezë. Qeshi e luajti me gocat e natën foli me vete. Do e shtyj si do e shtyj. Nuk kam mundësi e as kohë të sëmurem. Dhe në orën 4 si përherë mori makinën për të mbledhur qumësht fshatrave. Edhe nje javë, edhe nje muaj e sërish i trokiti zemra. I tha, mos më lodh. Në darkë foli me prindërit dhe Elvirën. Vendosën të kërkonin borxh në fis. Sa u gdhi nisën të trokasin. Por panë se krejt kushërinjtë jetonin shumë më keq se Romeo. U dëshpëruan deri sa babai tha, të shesim shtëpinë. Romeo u hodh përpjetë e doli jashtë. Të nesërmen trokitën plot njerëz. Shtëpia ishte e vogël, por kishte oborr dhe ishte buzë rruge. Pas një jave dolën nga shtëpia dhe hynë te një apartament ngjitur. Me qira, por kishte një hapësirë te shkallët ku u vendos akullorebërësja. Romeo iku në Greqi dhe kur u kthye ishte shend e verë. Kishte bëre një balon dhe vendosur dy unaza në aortë. Gjaku më rrjedh si i një të riu, shprehej .
U kthye gazi dhe hareja. Tani kur ngiste makinën këndonte. U stabilizuan si familje. Patën drama si vdekja e babait të Romeos, por mosha të lajmëron dhe njeriu përgatit veten. Ecën muaj e disa vite deri sa një ditë kushëriri i qumështit e shiti fabrikën dhe iku familjarisht në Greqi. Pronari i ri ia mori makinën Romeos dhe kur nuk e priste e pa veten pa punë. Ishte dimër. Elvira afërmendsh nuk përgatiste akullore. Gocat u rritën dhe vetëm qeshnin. Ishin në moshën e gëzimit. Çdo mëngjes Romeo dilte te sheshi i qytetit mbase kërkohej ndonjë punëtor. Edhe punë krahu, veç të fitoj diçka, lutej ai. Por nuk ishte fati nga ana e tij. U bë i mbyllur, i pafjalë dhe në shtëpi rrinte veç te dhoma e gjumit. Nuk kishte para as për ilaçet e zemrës. I la fare dhe natën zgjohej nga ankthi se kishte frikë nga aritmia që po i shpeshtohej.
Një drekë, sapo hyri kokëulur në shtëpi pa që Elvira dhe dy vajzat po i qeshnin. Nuk ishte mirëseardhje. Ishte e qeshur që kishte lajm brenda.
-Ç’ka ndodhur që jeni kaq në gëzim?
-Shihe,-i thanë dhe i lanë në dorë një zarf. Sipër “Ambasada Amerikane”, brenda “Jeni fitues i llotarisë..në dt kaq e aq, në orën 8 në mëngjes familjarisht të ndodheni në mjediset..”
Iu duk lojë. Kudo flitej për llotarinë amerikane, por ai nuk kishte aplikuar. E sqaruan vajzat. Bashkë me Elvirën bënë kërkesën dhe ja,f ati u erdhi kur nata nuk po u shqitej.
U ndje kaq i këputur pas këtij lajmi, njësoj si para një makine që je i sigurt që po të shtyp e befas të ndalon mu te këmbët e tua.
Nuk pritën më, nisën përgatitjet e dokumenteve. Bënë bisedë të dhimbshme me nënën, por ajo veç i nxiste të iknin. Shkuan në ambasadë, bënë intervistën e pas tre muajsh zbritën në aeroportin e Çikagos. Anglishtes së oficerit të emigracionit iu përgjigjën vajzat. Mësuam anglisht gjithë këto vite se e dinim që do fitonim, qeshnin ato. U lehtësua dhe pas ca javësh nisën punë në një fabrikë tekstili, njësoj si fabrika në Korçë. Më pas u rehatuan, pa blenë shtëpi, u lodhën, nisën ëndërrat dhe vajzat shkuan në shkollë e sa herë në mot të ngrohtë shihnin dyqan akulloresh shkonin me vrap atje. U kujtohej qyteti i tyre, por dhe mendonin se ajo që i shiste ishte nevojtare si Elvira dikur. 
Zemra e Romeos sahat, çdo tre muaj e rikontrollon në spitale aq të mira sa ke qejf të sëmuresh, qesh ai. Me nënën flet dhe loton. Ajo shkon shpesh te djali tjetër në Selanik. Por nga e folura me Romeon ndjehet më e gëzuar.
-Se je larg, shumë larg, bir dhe se u rregullove siç ke zemrën. Të pa zoti. 
Të njëjta fjalë i shpreh përherë. Vërtet të mirët i sheh zoti, ai është skenaristi i jetës së tyre.
Tani në Çikago është ngrohtë. Buzë liqenit do shihni çdo të shtunë Romeon, Elvirën dhe vajzat e tyre. Shëtisin njësoj si në Korçë, me ato aroma lulesh e pemësh rreth e qark, por me mall për ç’ka lanë matanë oqeanit.
-E ndjeni firomën e Korçës këtu?-u thotë Romeo vajzave.
-Baba, jemi në Çikago!
-E di, e di, por ky qytet është Korça jonë tani.

 

Tagged under Agim Xhafka