Neokomunistët shqiptarë dhe hapja e bisedimeve të Maqedonisë me BE
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Xhevdet Nasufi
Ishte pritshmëri e besueshme se hapja e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE pas marrëveshjes historike me Greqinë duhet të ndodhte. Përsëri kjo nuk ndodhi siç pritej. Edhe pse opozita në Maqedoni e vlerësoi vëndimin si dështim të mazhorancës, si ajo shqiptare ashtu edhe ajo maqedonase nuk elaboruan dhe analizuan arsyet e këtij dështimi, por as gjëndjen pas 26 qershorit.
U bë realitet i padurueshëm dhe i dëmshëm qeverisja VMRO-BDI, pothuajse 15 vjeçare, prandaj edhe falë nevojave gjeostrategjike për rajonin (që drejtpërsëdrejti lidhen me interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian), tanimë nga drejtimi i Maqedonisë u spostua Gruevski dhe u instalua Zaevi, pothuajse si domosdoshmëri. Nuk kam edhe si ta emërtoj ndryshe, ama duket se në tërë këtë holokaust dhe gjate tërë kësaj kohe BDI dhe Ahmeti duken vetëm si një maqineri e mirëkoordinuar për të ulur dhe ngritur gishtat në Parlament, apo thënë edhe më keq, vetëm si një e “keqe e domosdoshme”. Këtu edhe mbaron rrëfimi i politikës për ne dhe rreth nesh. Gruevski nuk dëshiroi të bëhet pjesë e integrimeve euro-atlantike, për dallim nga Zaevi që këtë e ka imperativ, kurse politikbërja shqiptare u katandis edhe këtej edhe andej si miza në dhallë, me fjalë dhe propagandë stereotipe.
Nëse i referohemi përcaktimit strategjiko-historik të shqiptarëve si qytetar dhe si komb, si kulturë dhe traditë, ata asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim përcaktimin proamerikan dhe proevropian. Për dallim nga ata, klasa politike e tyre jo pak ka lozur bishtin andej e këndej.
Vallë a duhet të gëzohen apo të pikëllohen shqiptarët pas vlerësimeve tejet inkurajuese të BE për Maqedoninë në funksion të integrimit të saj, respektivisht për hapjen e bisedave në Qershorin e vitit të ardhshëm (?!).
Në sensin e rëndësisë që ka integrimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, qoftë nga këndvështrimi i sigurisë apo nga këndvështrimi i zhvillimit ekonomiko-social, pyetja është anakronike dhe jo çdokush nuk do kishte mirkuptim për këtë dilemë. Ama, nëse i referohemi nevojës imediate për integrimin e shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë, lehtësisht dilema është e kuptueshme. Kjo, ngaqë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian (garantues të Marëveshjes Kornizë të Ohrit), por edhe shqiptarët dhe maqedonasit këtu në Maqedoni, janë pajtuar plotësisht dhe institucionalisht që shqiptarët të jenë element shtetformues. Por sa dhe si po realizohet ky objektiv madhor për shiptarët në Maqedoni?
Në fakt miq të dashur, ky integrim i shqiptarëve në shtet që ka qënë, është dhe duhet të jet kusht për Maqedonin që të integrohet në sistemet euro-atlantike (jetësimi i MO-së) me plot papërgjegjësi anashkalohet së pari nga vetë shqiptarët, që pastaj edhe ndërkombëtarët dhe vetë politika maqedonase kalon heshturazi. Vallë për këtë fenomen vetdiskriminues nuk flet më së miri fakti që shqiptarët në zgjedhjet e fundit parlamentare i dënuan partitë shqiptare me votën e tyre duke e drejtuar masivisht ate në favor të LSDM-së dhe Zaevit?
Vetëm ca shembuj banalë: Edhe doktrina politike, edhe praktikat gjithëbotërore pohojnë se karakteristikat thelbësore të shtetfunksionimit janë bbrojtja, siguria, financat, politika e jashtme, gjyqësori. Konvertuar tërë këto në pushtete si kualitet i çdo shteti demokratik dallojmë tre pushtetet, ligjvënien, egzekutivin dhe gjyqësorin. Detajuar edhe më tej, ministria e mbrojtjes, ministria e Policisë, ministria e Drejtësisë, ministria e Punëve të jashtme, ministria e financave, gjykatat, organe dhe institucione të tjera të definuara normativisht.
Asnjërin nga të tre pushtetet nuk e manaxhojnë shqiptarët. Edhe më keq, asnjërin nga organet e administratës, organizmat, institucione, apo subjekt të tjerë publikë që drejtpërsëdrejti zbatojnë pushtetet e përmendura (ministritë, organe, institucione publike nga mbrojtja, siguria dhe inteligjenca, financat dhe të hyrat publike, politika e jashtme, gjyqësori...) nuk udhëhiqen nga shqiptarët. Pra, cili është niveli dhe sasia e shtetndërtimit nga shqiptarët në këtë kohë në Maqedoni, i integrimit të tyre në shtetin e Maqedonisë kur niveli i potencialit njerëzor dhe dhe drejtuesve pothuajse është nën nivelin e domosdoshëm? Për habinë më të madhe, e vetmja Ministria e Drejtësisë që u manaxhua nga shqiptarët që nga qeverisja e vitit 1998-2002, tani u mor nga maqedonasit e lëshuar nga shqiptarët(?!). Çuditërisht, kjo ministri e cila edhe sipas tonit politiko-diplomatik rradhitet ndër të parat nga këndvështrimi i peshës funksionale në shtet, në rrafshin e rolit në ekzekutiv dhe shoqëri, lehtësisht u lëshua nga shqiptarët dhe u mor nga maqedonasit pa zhurmë.
Gjithsesi, BE afatin një vjeçar për hapjen e bisedimeve, politikës në Maqedoni ja ka dhënë për të bërë veprimet e domosdoshme në funksion të zbatimit të marëveshjes me Greqinë, por paralelisht të riparohen edhe devijimet e brendshme politike të cilat jan tejet sinjifikative edhe në rafshin e marëdhënieve shqiptarë-shtet. E them këtë, sepse nëse në relacionin shqiptarë-maqedonas ka mjaft avancim pozitiv në jetën e përdishme, kjo nuk mund të thuhet për relacionin shqiptar- shtet.
Është thellësisht për tu dyshuar kjo klasë politike shqiptare në Maqedoni se me metodat e saj neokomuniste do të ndikoje në riparimin e marëdhënieve shqiptarë-shtet. Në këtë, për fat të keq do i ndihmojë dhe kontribuojë edhe e majta maqedonase në pushtet, si trasheguese natyrore e ish-sistemit njëpartiak.



