Andej-Këtej

Ana Franku e Korçës, viktima e një populli që ushqehet me dogma

Nga: Agim Xhafka

Më vjen për shtat rrëfimit ky titull, se dhe personazhin tim e quajnë Ana. Edhe se vuajtjen e kanë njësoj.

Në Korçë, tek lagjia pranë stadiumit, jetonte një gocë e vogël që thirrej Ana. Ishte e bukur si drita dhe e pastër si vesa. Pata fat ta kisha shoqe klase në fillore. Luanim me të, qeshnim e i gëzoheshim çdo dite. Dhe sot ndjej dëshirën e madhe për shkollë nga që do luaja me Anën. Në mësime shkëlqente e krejt klasa jonë dukej si gonxhe luleje me atë në krye si trëndafil plot erë.

Deri sa një ditë vetë zysha urdhëroi që Ana do ulej në fund të bankave, do rrinte vetëm se gjyshi i saj ishte ballist. Ajo ditë më ngjau si dita e tërmetit që ra në Korçë, e na nxori të gjithëve në oborr të pallatit të frikësuar e të lebetitur. Zysha m'u kthye në shtrigë e Ana në një rosë të bukur që po e bënin gati për t'i prerë kokën.

Nga ajo ditë Ana luante vetëm. Fare vetëm. Në cep të oborrit. Me kokën ulur. Ashtu e mbante dhe kur ecte, edhe kur fliste, edhe kur përgjigjej në mësim. Kaluan ca vjet dhe babain e saj e futën në burg se do pushtonte komitetin e partisë. Përfytyroja atë burrë të pakët e të urtë hipur mbi tanks, por nuk më shkonte. Pas ca muajsh edhe i vëllai u arrestua se dëgjonte në radio këngë të huaja. Qysh atëhere u largua dhe Ana nga shkolla. Bashkë me nënën e saj i shihja nga dritarja e shkollës kur shkonin në fermë për të mbjellë e prashitur. Shtëpinë e kishin pranë shkollës dhe çdo vit vëreja si binte avllia e nuk kishte kush ta ndreqte.

Ika në universitet e kur vija me pushime më ndodhte që tek rrugica shihja Anën kur kthehej nga puna. Të thuash e bukur, i bije në qafë. Ishte yll i rënë nga qielli. Dielli e kishte bërë zeshkane dhe puna ia kishte skalitur shtatin e saj të gjatë e te derdhur. Çunat e ëndërronin të gjithë, por askush nuk guxonte t'i afrohej. Ishte zana e ëndërrave tona, dashuria jonë e fshehur.

Deri një verë kur e pashë përkrahu në xhiro me çalamanin Petro, marangozin e moshuar që kur e shihnim në surrat na sillte ndër mend një patate plot gunga. Anën e urreva. E mora inat.

-Avash ti, - më tha mamaja. - Do martohet dhe ajo. Njeri është. Njeri normal nuk merr një balliste. Ndaj gjeti Petron që është si është, por biografinë e ka të mirë.

Kështu rrodhi jeta. Ana u be me dy fëmijë, Petros ia ndërruan emrin e quanin burri i bukuroshes. Ai ndjehej i sajdisur dhe nuk kishte ditë mos shfaqej rrugëve me Anën duke ecur shdraka shdraka, por duke plotësuar thënien se fiqtë e mirë i hanë majmunët.

Vitet e fundit e pashë Anën. Nuk kishte pengesa për ta takuar. Mësova se i ati vdiq në burg. Nuk i dinin as varrin. Vëllai doli nga vitet '90 e iku në Greqi. Petro pësoi atak në zemër. Dy çunat i ka në Gjermani dhe po bëhej gati të shkonte tek ata.

E mira Ana. E bukura Ana. Nuk mori asnjë ndjese nga shoqëria naziste ku jetoi. Ia bluajtën dëshirat, ëndërrat, rininë në mullirin e diktaturës e askush nuk tha më fal.

Ana Franku dhe Ana jonë janë njësoj. Ballistët edhe sot përndiqen tek ne fiks si hebrejtë. Dhe nisi nga dita kur komunistët pandehën se ata u rrezikonin pushtetin e ardhshëm. Njësoj të mirat Ana... Viktima të një populli që ushqehet me dogma.

Tagged under Agim Xhafka