Andej-Këtej

Ju që bleni titujt, publikoni disertacionet!

Nga: Lis Bukuroca

A është kjo kërkesë e pamoralshme? Për disa po, për disa jo.

Në vitin 1980, nëse nuk gabohem, gjatë një bisede me profesor Ruzhdi Ushakun, më pat treguar me keqardhje se disertacioni nuk po i publikohej në mungesë të mjeteve. Pat mbaruar studimet në Sarajevë, specializimin në Francë, magjistraturën dhe disertacionin në Beograd. Nëse nuk më gënjen kujtesa, pat bërë një studim mbi fjalitë kushtore në gjuhën frënge. Para viteve 90-të, profesorët, së paku të katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, patën mbrojtur disertacionet e tyre jashtë Kosovës: kryesisht në Sorbonë, pastaj Zagreb dhe Beograd.

Në 20 vitet e fundit mund të lexohen shkrime të profesorëve të universiteteve nga Kosova dhe Maqedonia, që nuk posedojnë njohuri elementare: as të gjuhës, as njohuri në fushën e vet shkencore. Në gjuhë bëjnë aq shumë gabime, sa nuk do të kalonin as klasën e katërtë të shkollës fillore. Njëri prej tyre, profesor i Universitetit të Prishtinës, shkruante në Facebook: “Sot nuk do të dalë në Gërmi me vrapue, sepse koha është e vrërërt.”

Kur isha në Maqedoni, një shok i studimeve më qortoi se kisha ngelur pa titull dhe se disa tjerë, që në gjimnaz kishin përsëritur klasën, sot ishin magjistra dhe punonin nëpër universitete. Atje pata takuar edhe disa që në vitin 2000 kishin mbaruar fakultete në Prishtinë, pa ndjekur kurrë ligjëratat, diku më shumë se njëzet vite pas rregjistrimit të parë dhe në degë tjera, jo ku kishin nisur studimet.

Kur m'i numëruan profesorët dhe doktorët e shkencave, aty kuptova se të mos kesh titull shkencor, ishte nder i madh. Kaq thellë ishte katandisur kultura dhe arsimi shqiptar.

Një shok tjetër i gjimnazit, që pat mbaruar studimet e mjekësisë në Rumani dhe që sot është mjek specialist në Austri, më tregoi se atje, nuk mund të mbronte temën e doktoratës. Sipas ligjeve austriake, titullin shkencor mund ta fitojë vetëm ai, që punon në Klinikën Universitare. I rekomandova Shqipërinë për ta zmbrapsur nga një titull në Universitetin e Prishtinës. Ai u qesh me të madhe dhe tha: “Në Shqipëri nuk u intereson aq shumë disertacioni që kam gati, por kërkojnë 2000 euro, dhe nuk dua të blej titullin...”

Përmenda në fillim rastin mbi shqetësimin e profesorit Ushaku, pse nuk publikohej studimi i tij shkencor, që pas një apo dy viteve megjithatë, u botua. E përmenda sepse profesorët e atëhershëm ndjeheshin keq, të zhvleftësuar, nëse nuk publikohej disertacioni i tyre. Sot profesorët trishtohen nëse u kërkohet publikimi i disertacioneve. Në anën tjetër, publikimi nuk ka qenë kurrë më i lehtë se sot. Të gjithë apo shumica, i kanë në kompjutera dhe me disa klikime, mund t'i ofrojnë publikut studimet e tyre shkencore.

Para disa viteve tek Albshkenca qe lakuar emri i një profesori nga Prishtina, sot me një pozitë të rëndësishme, dhe i pata bërë këtë kërkesë si sot: publikimin e disertacionit duke menduar se ai profesor, ishte i sinqertë dhe me këtë ide, e këshilloja të mënjanonte dyshimet. Një ditë më vonë, marrë një email nga ai profesor, ku shkruante përafërsisht kështu: “... kur të vijsh në Prishtinë, eja në zyrën time dhe pijmë një kafe.” Nuk kërkova takim me të kur isha atje. Ftesa e tij nuk më la përshtypje të mirë dhe nuk më kujtohet, i qesh përgjigjur emailit apo jo. Sidoqoftë, diku e kam.

Nëse fakultetet mbushen me njerëz që kanë dëshirë, por nuk dijnë, nëse spitalet mbushen me shaman, jo me mjekë, nëse shoferët nuk kanë patente dhe muratorët janë infermierë, nëse mësuesit janë barinj, jo mësues, por barinjtë mësues, nëse shitësi i perimeve në treg jep mësime në gjimnaz, nëse pastruesi i rrugëve është me fakultet, ose i papunë, atëherë mund të thuhet se kemi një shoqëri të sëmurë që duron profilimin e arrivistëve dhe manipulatorëve. Atëherë, kjo do të thotë se ne shtet nuk kemi, sepse pikërisht disa prej tyre mbajnë pozita të rëndësishme në shoqëri.  

Në kohën e Jugosllavisë talleshim me komunistët, që nuk dinin t'i shkruanin fjalimet e tyre. Sot jemi zhytur më thellë në injorancë. Sot kemi profesorë që shprehen më keq dhe më dobët se sa komunistët e djeshëm.

Nëse politika shqiptare dhe kosovare nuk mund të ndajë shapin nga sheqeri, atëherë ardhmëri nuk do të kemi. Nëse politika injoron shkeljen e ligjeve nëpër qendra universitare, atëherë do të mendohej se kanë frikë ta luftojnë këtë anomali, sepse as ata vetë nuk janë të pastër. Qeveritë duhet t'u kërkojnë universiteteve publikimin e disertacioneve, që nuk mund të gjenden si libra. Nëse nuk e bëjnë, të detyrohen me një ligj. Jo pse nuk na duhen shkencëtarë, por sepse vendet janë zaptuar nga sharlatanë. Jo të gjithë, por numri i tyre nuk është i vogël sa të shpërfillet. Sa të rrëfehet si gazmore në shtëpi e kafene, të veprojë shteti, nëse ekziston ai. Nëse ekziston shteti që duhet të mbajë rregull në shoqëri. Nëse jo, atëherë do të qelbemi tutje si peshku, nga koka. Diplomat nga disa universitete shqiptare dhe titujt "Dr." dhe "Mr." më mirë të mos i tregojnë fare. 

Tagged under Lis Bukuroca Naser Aliu