Punë e madhe për ca bukë me gjalpë!
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Pëllumb Kulla
Vihen re menjëherë mizat bezdisëse mbi ata që, si unë, shkruajnë në organet e shtypit, apo shfaqen publikisht në rrjetet sociale.
Përditë gjendet një lloj njerëzish, një specie shoqërore, që ulet në karriken e rehatshme të kritizerit. Them të rehatshme, se as për kritikën ata njerëz as e vrasin mendjen, as lodhen dhe nuk kujdesen që ajo të jetë e fisme, qoftë edhe debatuese apo keqvlerësuese. Thjesht u vërsulen autorëve pa pasur asnjë mendim për shkrimin që kanë përpara hundës. Nganjëherë u mjafton vetëm emri dhe nuk e lexojnë atë që thuhet aty. Ca edhe po ta lexojnë, nuk e kuptojnë. Dhe vetvetiu nuk gjejnë as argumenta që ta kundërshtojnë.
Ata, thjesht, duan që autori të mos shkruajë.
Të heshtë! Këtë dëshirë të tyre të zjarrtë ata nuk e shprehin drejtpërdrejt. Gjejnë një rrugë tjetër, atë të sikterrosjes së autorit, atë të heqjes së të drejtës morale për të shkruar. I kujtojnë të kaluarën publike, e cila mund të jetë edhe për t’u qortuar, por jo e mjaftë për ta ndalur autorin të shfaqet përsëri në publik.
Lum ata, të cilëve nuk u njihet jeta publike. Sa e bukur, sa e qetë është paemërsia, errësira, gojëmbyllja! Dhe kur gjenden ca autorë që nuk kanë, asgjë për t’u sharë, asgjë që t’i bëjë të skuqen, atëherë të paemrat kanë plot forma përgjithësuese, shpifëse, dhe vetëm një stërmundim i madh ua mban dorën që të mos urdhërojnë copë:
“Mjaft! Mos shkruaj më! Jo se ke bërë gabime drejtshkrimore, jo se kjo që thua nuk është e vërtetë, por sepse unë, dhe soji im, nuk duam të të shohim në shtyp!”
Jam mësuar me këtë racë lexuesish në gazetat online.
Por ja, një i paemër i tillë, - unë po e quaj Stefan, - m’u shfaq mua edhe në fejsbuk, kur para ca ditësh ripublikova një nga tregimet e mi më të njohur e më të pëlqyer, kur e pata shfaqur për herë të parë. Me përjashtim të të paemrit, tregimin e pëlqyen shumë lexues edhe njëditzaj.
Tregimi fliste për një film. Stefani nuk e zuri në gojë, as temën, as cilësinë e shkrimit. E mori shtysën nga fjala film dhe nisi të zbrazej:
“Po sa shumë filma të tjerë kini bërë me të përqeshur, tallur e dënuar armikun e klasës! Në sa filma e drama e komedi kini shkruar e bërë ngjarje të stisura për heroin pozitiv dhe atë negativ, duke na helmuar me ideologjinë komuniste?”
E kuptoni të dashur lexues? Ju e dini që i nënshkruari, një profesionist modest i skenës së komedisë, nuk ka portretizuar asnjë hero pozitiv. Por këtë radhë më duhet t’i jap llogari këtij Stefani siç i kërkohej llogari kryetarit Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve! Stefani më drejtohet mua sikur unë të kisha qenë Agolli, apo Shuteriqi!
“Sa herë keni shkruar,” vazhdonte Stefoja, “dhe keni vënë në skenë pjesë, ku na mbushnit mendjen se ne, shqiptarët, ishim njerëzit më të lumtur në botë?
“Dhe ti e hëngre, o t’u mbylltë?!” nuk m’u ndenj mua. “T’u mbush mendja, o Stefo?!”
Stefani po më kërkon llogari jo për veten time, por për tërë armatën e shkrimtarëve! Stefani nga ne e paskësh marrë vesh se ishte njeriu më i lumtur në botë! Ai vetë nuk kuptonte dot a ishte apo jo i lumtur! Dhe priti deri sa ia mbushën mendjen shkrimtarët!
“Ti dhe shokët e tu na dhatë opiumin dhe ne ndenjëm 50 vjet në gjumë deri sa ardhi viti 1990!”
“Ca si ty duket që nuk janë zgjuar akoma, Stefan. Ne po ju tundim të zgjoheni, po aha! Ai “opiumi” i xhaxha Marksit paska bërë punën e tij! Po mirë, or i helmuar i shtrenjtë, në cilën pjesë, a cilën vepër, të kam thënë unë, helmatari, që zotrote ishe njeriu më i lumtur në botë?”
Këtu Stefani nuk përgjigjet dhe kërcen në një degë tjetër:
“Atëhere shkruaje kundër armiqve të klasës, tani shkruan kundër komunistëve. Dridhe Bajame, dridhe! Të bëjnë të fala ballistët!”
“Ballistët, duhet ta kesh vënë re, unë ende po vazhdoj t'i shaj, Stefkë. Kundër komunistëve nuk shkrova dot atëherë, ngaqë e kisha shtëpinë përballë burgut dhe nuk desha të banoja përballë shtëpisë. Dhe po nuk më vure në dukje ndonjë mëkat nga këto “dredhjet e Bajames” atëherë ruaje shprehjen me bajame për ndonjë mik tjetër tëndin. Sado i helmuar të jesh, lodhu ca dhe më gjej ndonjë dëshmi!”
“Ja të t'a kujtoj: fëmija i lumtur i Shqipërisë socialiste të viteve 1980-1990 po hante një fetë bukë të lyer me gjalpë. Gjyshi i thotë: kur kam qënë unë i vogël, para çlirimit, ne nuk kishim bukë të hanim. Dhe fëmija e pyet: po kur nuk paskeni patur bukë, gjalpin ku e shtronit? Është skeç i estradës të Fierit, ku ishe regjizor i asaj shfaqje.”
“Kam qenë, bile, edhe autor i asaj pjesëze. Bile, e kam botuar edhe në vëllimin e parë të përmbledhjes “Teatri kjo lojë magjepsëse” Ka qenë një botim pas gremisjes së diktaturës!.. Tjetër? Vetëm këtë paske peshkuar?!”
“Kjo është mjaft!”
M’i shpushpurisi nervat Stefani. Njeri jam edhe unë!
“Po çfarë dreq mjafti! Për kaq pak opium paske rënë në gjumë ti?! Ajo cironka që ke peshkuar, ishte një dialog fort i bukur, me një fëmijë që zbulon botën… Që një personazh plak të thotë "nuk kishim bukë të hanim" mund të ketë qenë vërtet i varfër, në një kohë më të thellë se socializmi, por kjo nuk nënkupton "ne në socializëm jemi më të lumturit në botë!" siç qahesh zotrote, për helmim aty më lart. “Nuk kishim bukë” është një frazë që bile nuk shan as Latmadhërinë e Tij Zogun dhe as lavdëron këtë Lartmadhërinë tjetër, Enverin. Ti do të kesh qënë i lodhur se me kaq pakëz opium, nuk bie njeriu në gjumë deri në 1990!”
“Sot nuk keni të drejtë të talleni, apo të bëni humor me periudhën e socializmit, sepse atë periudhë ju e kini lavdëruar dhe trumbetuar dhe e kini stolisur me të gjitha mënyrat më të mundëshme që të jep letërsija dhe arti” më gradon përsëri Dritëro dhe Shuteriq, Stefoja. “Dhe këto i bëje sepse duhej të dukeshe më komunist se komunistët, për shkaqe biografije.”
“Më zbrite përsëri nga posti i Kryetarëve të Lidhjes! E vërtetë, Stefan, për atë arsye e bëja! Po ti nuk bën mirë që ma zbulon në publik. Po të mos ishe kaq i goditur nga ai opiumi që zumë në gojë, do të mund të kujtoheshe vetë, a ndoshta të ta thosh ndonjë shok që merr vesh, se në gjinitë e satirës, me të cilën u mora unë, (për të fshehur biografinë – de!), nuk të kërkokshin, bile as të lejokshin të shkruaje fraza si "nuk ka më të lumtur se Stefani në këtë hise të rruzullit.
Punë e madhe për ca bukë me gjalpë!”



