Andej-Këtej

Shtëpia e fëmijës - Nga Agim Xhafka

Kur isha në fillore në klasë kisha plot shokë e shoqe nga Shtepia e fëmijës. Banesa ime në Korçë ishte te stadiumi dhe duke qënë pranë Shtepisë së fëmijës normal që ata do ishin në shkollë me mua.

Në përgjithësi i mbaj mend si shokë e shoqe shumë të dashur, të qeshur, të sjellshëm, por në mësime shumica e tyre ishin nën mesataren. Duke arsyetuar sot them se kjo ndodhte nga që ne kishim kujdes të vazhdueshëm nga prindërit, na rrinin mbi kokë nëna e babai. Ndërsa ata qenë të lirë nga vargonjtë e mbikqyrjes

Më ndodhi një ditë që zysha e klasës së tretë më tha të shkoja mbasdite te salla e studimit në Shtëpinë e fëmijës dhe të ndihmoja në aritmetikë Ladin dhe Vjollcën. Pranova me dëshirë se m’u duk vetja i rritur dhe më i mençur. Arrita atje në orën tre, kur studimi ishte në katër. Më morën shokët dhe më tregonin dhomat e fjetjes. Me dy krevate marinari, të pastra dhe çdo dhomë kishte ballkon. Krevatet rregulluar uniform. Solla ndër mend dhomën ku flija unë. Ishin dy krevatë tekë. Në një flija unë dhe gjyshja nga koka, motra dhe vëllai nga këmbët. Te krevati tjetër flinte xhaxhai. Ai jetonte me ne verës se në dimër ishte në universitet në Tiranë. Ende ruaj kujtime nga ajo dhomë. Kur e përfshija Anenë te barku, kur ngrohesha tek trupi i saj se në dhomë merrnim nje gotë uji e në mëngjes ajo bëhej akull. Sillja keto ndër mend dhe Shtëpia e fëmijës më dukej si pallat. I ngrohtë, me lodra, me zhurma dhe plot e plot drita. E ç’do më shumë një fëmijë!

Kur erdhi ora e studimit hymë në një sallë të madhe. Si klasa, por më e gjerë, dyfish. Ndenja pranë Ladit dhe Vjollcës. Po bënim ca ushtrime, kur erdhi zysha e na solli bukë të thekur me djathë. Nuk e zgjata dorën se unë nuk isha pjesëtar i asaj shtëpie, por shokët e mij morën dy copa djathë e dy bukë e m’i vunë përpara. Nisa me ndrojtje, por më pas nuk u përmbajta. Më shijoi sa më s’ka. Ne në shtëpi merrnim ndonjëherë djathë, por jo nga ai cilësori, nga ai sa të shtyje kafshatën.

Pas gjysëm ore na sollën nga një gotë me qumësht dhe një copë të madhe marmalate. Shqeva sytë.

-Çfarë ke? - më pyeti Ladi.

-Çfarë është kjo?

-Marmallatë.

-Kaq e fortë?

Në shtëpi haja shpesh marmallatë, por aneja e hidhte copën në tenxhere, shtonte ujë dhe e vinte në zjarr. Kur bënte gulf, gulf nga zierja e hiqte dhe pasi ftohej na vendoste nga një lugë gjelle mbi bukë.

Nga ora shtatë ika me vrap te shtëpia. Më sollën një pjatë me gjellën tepruar nga dreka.

-Kam ngrënë, - u thashë.

Pastaj ndenja me vëllain dhe po i tregoja sa mirë kalova te Shtëpia e fëmijës.

-Dhomat më mirë se ne?

-Njëqind herë.

-Buka më e thekur? Qumështi i ngrohtë, djathi si gjalpë? - pyeste e pyeste vëllai.

U habit dhe propozoi:

-Shkojmë ne dhe rrimë ca ditë atje dhe të vijnë Ladi e Vjollca në shtëpinë tonë?

-Të flas.

Nuk m’u ndenj dhe ia thashë dhe Anesë. Pse në Shtëpinë e fëmijës jetonin më mirë.

Ajo heshti pak. Më fërkoi kokën e më pyeti:

-Për ca djathë e një copë marmallatë pranon të rrish pa babin, mamin, pa mua?

-Joooo, - u tmerrova.

-Atyre fëmijëve u mungon familja, nuk dinë ku e kanë nënën, shohin ëndërra me vëllezër motra. Dhe që të mos mërziten dhe sëmuren ua marrin mendjen me qumësht, me dhoma plot drita, me shoqëri e lodra. Kështu deri sa rriten. Më tutje martohen dhe krijojnë çerdhen e tyre, plot me zogj e me cicerima.

Atë natë shtrëngoja fort Anenë dhe gati nuk fjeta. Se hera herës më dukej sikur ajo nuk merrte frymë. Tmerrohesha dhe e harrova djathin dhe marmallatën. Nuk e dua, nuk e dua, flisja nëpër gjumë. Kështu më kapi agimi, perqafuar me nënoken time...