Andej-Këtej

Çanta me “sekrete ushtarake” - Nga Vangjush Saro

Nga: Vangjush Saro

Rrëfime nga koha e shkuar

Aksionet nuk i urreja; zborin po. Marshime të rënda, mundime dhe “mësime” absurde. Nuk shkohej keq vetëm kur kishim të bënim me ndonjë nga tanët. Për shembull “tanët” ishin Edi Moisiu dhe Neptun Bajko, i pari ish-basketbollist, i dyti ish- futbollist (me Partizanin dhe Kombëtaren, të cilën më vonë edhe do ta drejtonte). Ata ishin oficerë (besoj, nga e keqja) dhe njëherësh studionin edhe në fakultet me ne. Kur kishim mësim me Neptunin, ne gjenim një korije ku të mos dukeshim shumë; pas mësimit të shkurtuar, kriste muhabeti. Qemë shumë kuriozë të dinim si ishte jashtë shtetit… Dhe Neptuni, që kishte dalë disa herë, s’ia përtonte të na tregonte. Por, në mes të ndonjë pauze, na thoshte: “O çuna, mos llapë ndonjëri, se na morët në qafë...” (Për fat, s’patëm hafije mes nesh. Ose qe ndokush, por nuk “llapi”.)

Ani. Keq e kishim kur na bënte mësim ndonjë pedant. Një i tillë, erdhi e na foli njëherë për fortifikimet, për armatimet, për luftën bakteriologjike e, më në fund edhe për sekretin ushtarak. “Është shumë i rëndësishëm, tha ai, sepse po i ranë në dorë armikut disa të dhëna, ai do t’i përdorë ato kundër nesh.” Na shastisi një orë të tërë. Sekreti kështu; sekreti ashtu. “Ja, e shikoni këtë çantë, na e tregoi, unë kam këtu sekrete ushtarake. E merrni dot me mend se ç’mund të ndodhë sikur, larg e tutje, të humbasë kjo çantë?… Ehë! Bie në dorë të armikut. Nami bëhet.” Dhe pas një copë herë, prapë: “Sekreti ushtarak është i shenjtë. Nguliteni mirë... Ja, e shikoni këtë çantë? Hë! Unë këtu kam sekrete. Po a e dini ç’ndodh në qoftë se, larg e tutje…” Dhe nga fundi i mësimit, sërish: “Po ju nuk e dini... Sekreti ushtarak është numri një, garanton fitoren. Ja, çanta ime... E shikoni këtë çantë?...Po shikojeni mirë...”

Kur e theu qafën, pasi kishte gërthitur fort “Toga, qetësohu!”, për kënaqësinë tonë, ai e harroi çantën atje, përtokë. Dhe iku. Ne filluam të hidhnim e të prisnim rrotulla me njëri-tjetrin. E shikoni? Jo, e shikoni apo jo? Po humbi kjo çantë... Ehë! Dhe e lamë një copë herë të largohej, të largohej sa më shumë; pastaj vendosim t’ia kthenim. Çantën me “sekrete”… “Ej, komandant, i thirri njëri, teksa e ngrinte lart atë gjënë. Çanta!” “O koqe, e teproi një tjetër, harrove sekretin…” Ai ndaloi, u kthye si ndonjë i marrë dhe na i bënte me dorë që t’ia shpinim. Shpejt! Shpejt! Po edhe ne i thoshim “Hajde ta marrësh!…” Më në fund, mes nesh u gjend një i zellshëm që rendi dhe ia çoi… Medet!