Shtetrrethim - Nga Luan Rama
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Luan Rama

Eshtë një kohë tjetër, pa ngjyrë
në këtë horizont të zbrazët, të murrët,
nuk ka as luftë, as krisma, as topa
edhe pse e dimë se diçka e frikshme
sillet rreth nesh bashkë me erën,
ditët ecin pa kuptuar
me këmbë të rënda plumb,
ecin të përgjumura në heshtje
pa folur dhe lënë gjurmë
pa mërmërima të dashuruarish
pa kalimtarë dhe sy që qeshin
kohë shurdh-memece
pa zëra të gëzuara fëmijësh
që shkojnë të ngrejnë balona në qiell,
veç zogj të hallakatur shkojnë plot zhurmë
e nuk kthehen më.
Porta të mbyllura, rrugë të fjetura
këpucë të vetmuara që dergjen në prag
pleqtë gërhasin kushedi në ç’botë
vetëm hijet ecin në këtë planet pëshpërimash
ndërkohë që dritaret më kot presin diell.
Bëjmë një hap, një tjetër
dhe sillemi kuturu në vetminë tonë
dehemi dhe dëgjojmë kantika biblike,
nga miqtë veç Mozart ka mbetur tani,
kujtojmë të vdekurit që na mungojnë
dhe duam ti puthim edhe pse përtej qiellit,
atëherë kërkojmë fjalët, ato të zemrës,
shkruajmë një rresht dhe e shuajmë
pastaj shkruajmë një tjetër me dorën që djeg
duke dashur të çajmë muret e frikës
kështu, fjalë pas fjale shembim barrierat,
është fjala e dashurisë - e vetmja shpresë
e vetmja ëndërr që rri zgjuar
në këto ditë shtetrrethimi…



