Andej-Këtej

Your English is not good enough - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Nuk di se si hyra të punoja në një piceri. S'më kish shkuar mendja kurrë se mund të hidhja e prisja pica në ajër si xhongler. Por ja që kjo punë nuk donte shumë anglisht dhe e pranova me kënaqesi. Nëna më pat mësuar mua të zija byrek, në vend që të mësonte time motër e cila ishte e dhënë pas sportit. (Duket ajo kishte dalë gabimisht vajzë, e unë gabimisht djale.)

Duke patur ca njohuri për gatimin nuk m’u duk e vështirë puna në piceri. Piceria jonë qe tek qoshja e rruges, ngjitur me karburantin. Aty vinin banoret, aty zbrisnin edhe shoferët për pak pushim. Biznes i mirë. Bosi im ishte një meksikan. U bëmë miq shpejt se mua akoma me kishte mbetur në mendje filmi "Qielli i lumturisë" (Sielito Lindo) e bëja ç'bëja për t'i bërë qejfin bosit, zija e këndoja me zë të ulët: A ja ja jaaaa Sielito Lindo…

Ime shoqe ato kohë thoshte se kjo Sielito duhet të ishte vajzë, ose të paktën duhet të ishte emër vajze. Po jo o vlla “sielito” do të thoshte qiell. E nejse. Gruas sime akoma i pëlqejnë këngët spanjolle e bëj be që kur hyn në dyqanet e tyre këtu ne Nju Jork vërtitet nëpër to vetëm se kanë muzikë. E që te mos zgjatem, me bosin e kisha mirë. Mësova ca fjalë spanjisht për klientët spanjollë, por me një fjalor të vogël fillova të mësoj edhe fjalët homologe në anglisht e nisa t’u shërbej edhe klienteve amerikanë. Doemos i ndergjegjshem që anglishtja ime s'ishte edhe aq e mirë, u thoja ndonje "sorry, my English is not good". Ata me falnin nga nje buzeqeshje miqesore duke marrë picën në një dore e koka-kolen në dorën tjetër.

Aty tek ne ndalonte ndonjeherë edhe një zotni, xhentelmen, me mustaqe të prera shkurt e me kapele. I sillesha me respekt. Nuk ishte si të tjerët. Nuk e di pse më dukej si bos i madh. Edhe ai më buzeqeshte përzemërsisht.

Një dreke i përgatita një picë të mirë me pepperoni e të mbytur në djathë. Ai më pagoi, la edhe bakshish e më bëri kompliment për gjuhën. "Your english is very good". Gati s'po u besoja veshëve. Po, mendova, pse do më thoshte ndryshe? S’e detyronte gjë. Mbase edhe unë do kisha përparuar në ato muaj që kisha filluar punë.

Iku atë dite e u kthye pas dy javesh. Përsëri më bëri kompliment për gjuhën. Mora zemër dhe e pyeta se ç'punë bënte. Më tha që kishte bisnezin e tij. Kishte disa hidraulikë që punonin për te. Oh! - thashe me vehte, po sikur t’i kërkoj të më punesojë edhe mua? Unë kisha qenë inxhiner në Shqipëri. E ç'ishte për mua puna e hidraulikut?

I thashe që më quanin Fredi. Edhe ai me tha që quhej Tomas. Kaq. Dhe u largua duke më lenë bakshish e duke fshirë mustaqet e prera bukur.

"Bye, bye" e përshendeta une tek po dilte nga dera e lokalit. Prita se mos dukej përsëri, por u desh të kalonte një muaj. Kur u shfaq në derë, për fat në lokal s'kisha asnjeri. Madje as bosi s'qe aty. I thashë që s'e kisha parë prej kohësh. Mezi e rregullova kohen e shkuar të foljes. Mendimi se thellë në tru po e piketoja si bosin tim të ardhshëm më bëri të ndihem i ndrojtur.

-Your English is great, tha ai, duke buzëqeshur.

-Really? pyeta une duke marrë zemer.

-Really.

-Këtu, i thashe, - marr pak para. Unë në Shqiperi kam qenë inxhiner hidraulik. Ai më veshtroi nje copë herë si për të më thënë: Me gjithë mend e ke?

-Unë po kërkoj punë si hidraulik. Puna këtu, ka fare pak para, përsërita.

-Më sill një rezume, më tha.

Une kaq kisha pritur. Futa dorën në sirtarin e tavolinës dhe nxora prej andej zarfin me rezumenë time që kishte një muaj që flinte nën facoletat e letrës.

Ai i hodhi një sy të shpejtë tek hante picën e së fundi, kur u ngrit nga tavolina më la adresën e biznesit të tij, ditën e orën e intervistës.

Boooo… ç'farë fati! Mirë thonë këtu, që kur je në një punë, atëherë të sjell fati një punë edhe më të mirë.

Ditën e intervistës i thashë bosit tim meksikan që kam për t’u vizituar tek doktori.

Vajta në intervistë.

Pyetjet që më bënte zotnia për procesin e punës ishin si bukë e djathë për mua. Unë i tregoja duart, si për t’i thënë "po më hanë duart për punë hidrauliku!'' Ai më vështronte pa folur e pastaj u ngrit nga tavolina:

-Ke një rezume mjaft të mirë, tha, por më vjen keq, s'të marr dot në punë. Your english is not good enough!

©Albana Lifschin, nga libri “Ura mbi Oqean”