Distanca e akullit tjetër - Nga Zija Çela
- Published in Andej-Këtej
Ka gjasa që, duke krijuar akullnajat, Zoti ta ketë paralajmëruar gjithashtu njeriun se çfarë është vetmia. Ajo ngulmuesja, pështjelluesja, e pashpjegueshmja, vetmia e frikshme që të nguros duke e depertuar ftohtësinë deri në botën e palcës.
Në fakt, sado social të hiqet njërëzimi, nuk ka pse mburret. Atje lart ka pafund mbretëri, të cilat na shohin, të cilat na njohin, me të cilat kemi të njejtën bashkësi, por nuk na bëjnë shoqëri. Dhe natyrshëm të vjen të pyesësh: Po përse, po përse?!...
Këtu poshtë ky mospranim kozmik, jo rrallë, te kujton raportin me njeriun që ke pranë. Raport ku nuk përjashtohet as burri, as gruaja, miku a mikja, fqinji a kolegu, as motra, as vëllai... Në krahasim me distancën qiellore, kjo njerëzorja që krijohet poshtë, është po aq e hatashme, po aq shpërfillese dhe po aq ndarëse, sado që shfaqet ndryshe.
Ndonëse në mes ndoshta dy pëllëmbë, vetëm dy pëllëmbe akullnaje, shpirti i lagësht, i turbullt si shtjellat e reve, na bëhet njësh me tërë kallkanin tjetër në trup.
Sa turp, sa turp kur pyetjes “Përse?” i japim vetëm përgjigje iluzioniste. Dhe gjithmonë kështu, kudo kështu, me gjithkënd e mundshme...
©Zija Çela



