Andej-Këtej

Shqiptarët e aeroporteve - Nga Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu - Chicago, SHBA

Shumë prej nesh udhëtojnë me avion. E vlerësojmë si ditë të bukur dhe të veçantë atë. Në ditën e udhëtimit jo pak na ka rastisur të shohim dhe takojmë punonjës shqiptarë në aeroportet e Botës.

Do ndalem këtu në dy shëmbuj domethënës.

Para pak vitesh udhëtoja nga Boston (USA) për në Frankfurt (tranzit), e më pas në Tiranë. Zakonisht fluturoj me Lufthansa dhe po kështu atë ditë.

Kur po iu afroheshim sporteleve për check-in, po bisedoja me bashkëshorten dhe sa pa hyrë në "portën" ku fillojnë "litarët" e ndarjeve rrugica, na afrohet një vajzë duke buzëqeshur.

Na foli shqip dhe na tha se na dëgjoi që ishim shqiptarë dhe se ajo vetë ishte shqiptare. Gjuha e saj e pastër më impresionoi dhe pasi hymë në bisedë me pyetjet e para njohëse, na tha se ka një ofertë të mirë për ne, nëse nuk e kishim me ngut të niseshim atë ditë dhe mund ta shtynim për të nesërmen. E dëgjova pak me skepticizëm fjalën ofertë, se nuk më kish ndodhur më parë.

-Po, ju shpjegoj unë - tha.

-Avioni është plot me pasagjerë dhe disa duhet të udhëtojnë nesër falas, duke u rimbursuar nga Lufthansa me vlerën e plotë të biletës në Cash në numrin e llogarisë që do jepni.

U çudita paksa dhe i thashë - a është garant kjo gjë, që të mos meremi me kompaninë e fluturimeve më pas?

-Mos kini merak- tha, - ju zgjodha ju si patriotët e mi, që të përfitoni udhëtimin falas nesër, e të qëndroni sot në Boston.

Ne kishim interes ta shtynim udhëtimin për probleme tonat dhe njëkohësisht përfitonim kthimin e vlerës së dy biletave.

Ajo vazhdoi të na shpjegonte si funksiononte dhe u bindëm.

Shtymë udhëtimin për ditën e nesërme, ditë në të cilën ishte përsëri ajo vajza dhe na kaloi edhe një bagazh gratis se ishte mbi peshë. (Lufthansa pranon 23 kg për person, bagazhin).

U ndamë dhe e falenderuam.

Fiks pas dy javësh në llogarinë tonë u transferuan dollarët e biletave në vlerën e plotë.

Do doja ta takoja atë vajzë, ta falenderoja për atë që bëri, sepse e çmoja mirësinë e saj, pasi unë kam shkuar përsëri në Boston, por nuk e kisha telefonin e saj.

Atje më ka rastisur të takohem edhe me punonjëse shqiptare në dyqanet e aeroportit, ku kam ndjerë mirësinë e tyre, kur më kanë udhëzuar se në cilin dyqan ia vlente të blija edhe pse ato dëmtonin veten e tyre, nëse do i dëgjonte dikush tjetër që më këshillonin kështu.

Në aeroportin LOGAN të Bostonit do gjeni gjithmonë shqiptarë, që do ju ndihmojnë për çdo gjë të mundëshme.

Aty vazhdon akoma vlaga, që la një shqiptar i mirë si Ing. Arben Kote nga Kuçova, duke punësuar shumë syresh në sektorin e ndihmës, kur kryente detyrën si manaxher në atë kompani.

Nga viti 2002 deri ne vitin 2011 ai punësoi rreth 400 shqiptarë (pa anglisht), që zinin 40% të fuqisë puntore të kompanisë, po për shtetin shqiptar ky fakt përbën... ASGJË.

Po kështu edhe një ngjarje tjetër më ka lënë mbresa.

Pasi erdha nga Tirana, po me Lufthansa në Mynih tranzit, afroi ora të drejtohesha për të udhëtuar për në USA.

Një punonjëse aeroporti më kërkoi testin anti-COVID. Ia dhashë dhe ajo po më fliste në gjuhën e saj, por unë nuk po e kuptoja.

Ndërkohë që isha me pasaportën në dorë, vura re se dikush po afrohej drejt nesh. Një person rreth të pesëdhjetave i veshur me kostum dhe kollare, foli me punonjësen diçka që nuk e kuptova, në gjuhën e saj.

Pashë që ajo buzqeshi dhe mu drejtua mua duke më dhënë shkresën e testit anti-COVID.

Më përshëndeti dhe u largua për tek pasagjerët e tjerë.

Personi ndërkohë më pyeti në shqip se nga jam.

I thashë paksa i çuditur, nga Tirana dhe e pyeta dhe unë atë.

-Jam nga Kosova - më tha, - ajo zonja po të fliste se nuk po kuptonte dot testin dhe ia shpjegova unë, por sidoqë të ishte problemi, ti do të kaloje se je shqiptari im, më tha, pasi njoha pasaportën që mbaje në dorë.

Doja ta përqafoja atë njeri të mirë dhe e ftova për kafe.

Më falenderoi e më tha se nuk mundej të vinte, ngaqë ishte në orar pune.

U përshëndetëm dhe i shpreha mirnjohjen vëllait prej Kosove se ndodh që edhe e paragjykojmë.

Ndërkohë më ngeli në mëndje shprehja e tij se sidoqë të ishte puna, unë do të udhëtoja, se për atë: "ti je shqiptari im dhe do udhëtosh edhe nëse nuk ishte ok nga ana burokratike testi anti-COVID".

Ai, kosovari, shqiptar i mirë dhe patriot, më çimentoi idenë, se jemi një popull dhe duhet ta vlerësojmë kështu raportin tonë.

U ula në sediljen e avionit dhe mendoja gjithçka që më kish ndodhur me shqiptarët e aeroporteve.

Jemi komb me vlera dhe fataliteti na ndjek, se na zhvlerësojnë ata që na kanë udhëhequr dhe na udhëheqin dhe ndoshta ne nuk jemi të përgjegjshëm sa duhet politikisht, mendoja me veten time...

Ktheva sytë nga dritarja e avionit.

Nga jashtë më erdhi pamja e lagjeve gjermane të organizuara në mënyrë perfekte...

Avioni Boeing ishte shkëputur nga toka...po udhëtoja për në Chicago...

(9 Shkurt 2021)

©Kastriot Fetahu