Andej-Këtej

Sunduesit e Egjiptit të lavdishëm, vegjëlitarët Mojsiu dhe Memedaliu ynë - Nga Burim Bardhari

Egjipti “Djepi i dytë i qytetërimit perëndimor”

Shqiptarët yshten e mahniten me bëmat folklorike e mitologjike të Mojsiut në Egjipt për të cilin nuk ka dëshmi e prova arkeologjike ndërsa vetëmashtrimthi shpërfillin arritjet e vërteta të Memedaliut tonë si barasvlera që ngrihen në nivel të viganëve historikë, Lekës e Qesarit, Saladinit e Napoleonit.

Sipas Biblës, Dhiata e vjetër, thuhet se me Mojsiun u shpërngulën mbi gjashtëqindmijë burra që vlerësohet se gjithsej duhej t’ishin rreth dy milionë izraelitë, por ky numër kaq i madh nuk ka lënë aspak gjurmë arkeologjike, godinash e vendbanimesh sepse ata kaluan dyzetë vite në gadishullin Sinai, para se të mbërrinin në “tokën e premtuar” nga zoti i tij (ose përshtatshmërisht “tokën e vetëpremtuar”), ndërsa nga ana tjetër as faraonët nuk mund t’i shlyenin të gjitha gjurmët e qëndrimit tyre në Egjipt, madje muzeu kombëtar është i ngjeshur përplot me sende e relike muzeale nga periudha edhe më të vjetra. Vetë ky prijës priftërues i njohur për Dhjetë urdhërimet e shenjta, harroi urdhërimin e synetimit të birit të tij ditën e tetë dhe sipas Biblës, “Zoti e kërkonte ta ndëshkonte” por e shpëtoi e shoqja që kreu detyrën e shenjtë, sepse libri i shenjtë i vjetri numëron mbi 600 urdhërime.

Ka shume legjenda të qëndisura rreth figurës së mugët të Mojsiut, si ajo e shportës mbi lumë e cila përçohet si tematikë tipologjike “lundra e foshjës së kërcënuar” dhe ishte tregim i njohur semitik mbi mbretin Sargon nga Akkad-i, njëmijë vite para Mojsiut, por edhe pas tij mbi binjakët e legjendës romake, Romuli e Remi. Ndoshta i vetmi burim që përkon me emrin e tij është figura e faraonit Amenhotep-it 4 ose Akhenaten (rreth v. 1340 p.e.s.) sepse ai ndaloi politeizmin e të parëve të cilët i besonin hyjit diellor mitologjik Amun Ra (Amon Ra ose Amin Ra) dhe themeloi fenë monoteiste “Atenizëm” përkushtuar diellit (disku i diellit) që tërthoras përputhet me mësimin biblik për nga pikëpamja teologjike monoteiste. Kinse njihej me emrin “Mose”, ose Moshe (Mojsiu), një shtjellim i sipërfaqësuar mëvonshëm pas njëmijë vitesh sipas rrëfimit të një prifti dhe historiani egjiptian gjatë periudhës Ptolomeike, rreth v. 300 p.e.s. i quajtur Manetho i cili përmend emrin e një prifti kryengritës të quajtur Osarsef të shekullit 14 p.e.s. që shndërrohet në prijës gjatë pushtimit të Egjiptit nga fisi aziatik Hyksos dhe përkohësisht për 13 vite e pushtoi Egjiptin duke shpallur veten faraon (hamendësisht Akhenaten) mirëpo shfronësohet nga faraoni i rikthyer.

Egjipti i lashtë, jo ky sot, duam ne ose jo, është djep qytetërimi edhe i Perëndimit, pasiqë evropjanët u pushtuan mbrapsht nga epërsia e kulturës së lashtë kur e nënshtruan Egjiptin nën zgjedhë, ngase në vendin e piramidave ishtë ngritur shteti i parë në botë para pesë mijë vitesh, piramida e cila është dy mijë vite më e vjetër se Perthenoni-i i Akropolit të Athinës. Atje ishte shpikur kalendari diellor prej 365-ditësh, madje edhe këndvështrimi fetar që kishte të bënte me shpëtimin e shpirtit dhe matjes së mëkateve shumë kohë para librave të tjerë të shenjtë, ose qelqi e birra, apo shkrimi i shenjtë hieroglifik që thuhet se kishte elemente alfabeti dhe ndikoi mbi alfabetin e parë fenikas i cili më pas u përvetësua nga evropianët si alfabeti helen duke shtuar zanoret mungestare, pastaj edhe si alfabeti latin, si rrjedhojë edhe shqip.

Nëse botëbredhim nëpër qendrat kryesore perëndimore, nga të dy anët e oqeanit Atlantik, duke nisur nga sheshi njëshi (anglisht: square one) i Vatikanit deri te Kongresi Amerikan dukshëm spikat lapidari egjiptian, sepse helenët u cilësuan si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Egjiptit të lashtë dhe mbivendosën e mbishkruan shumë gjëra të huazuara, pastaj edhe romakët u cilësuan trashëgimtarë të të dy palëve, egjiptianë dhe helenë, ose më vonë edhe vetë arabët beduinë meslindorë si fise shkretine përfituan nga dijenia egjiptiane, ndërsa persianët poashtu si pushtues të Egjiptit kishin edhe trashëgimi vendore nga sumerët e lashtë të Mesopotamisë “mesdylumëshe”. 

Rrjedhimisht, nuk befason përpjekja se pse çdokush synonte të njësohej e madhështohej me emrin dhe lavdinë e pashoqe të Egjiptit legjendar, edhe Mojsiu më pare, por edhe Napoleoni më pas, i cili vetëshërbimthi premtoi se do ta rehabilitonte Egjiptin e raskapitur nga pushtimi otoman në shtet bashkëkohor, duke synuar pushtimin e vendit dhe zbythjen e anglezëve. Mirëpo këtë premtim e përmbushi mirëfilltas vetëm “napoleoni shqiptar”, Memedaliu ynë, pasiqë u pavarësua nga perandoria otomane, pushtoi Sirinë e Sudanin dhe Hexhazin profetik, çrrënjosi mamlukët dhe asgjësoi vehabistët, ndërsa i biri i tij Ibraim pashai shpartalloi ushtrinë e sulltan Mahmutit të 6 në Konja në vitin 1832. Ata kushtëzuan shfronësimin e tij por e ndaluan fuqitë e mëdha evropiane, Anglia e Franca si dhe Rusia, ngase prishej barazimi i fuqive, ndonëse si mëkëmbës “vali” ai ngriti edhe dinastinë e tij që sundoi Egjiptin rreth 150 vite duke modernizuar shtetin që atëbotë mbante emër tjetër si Misir, prandaj atje shkonin në kurbet edhe shqiptarët, përfshirë edhe të krishterë si Andon Zako Çajupi.

Arritja e Memedaliut nuk buron nga fatpritja por nga fatkërkimi i shqiptarit nëpër botë për infrastrukturë që mundëson shpalosjen dhe lulëzimin e dhuntive ngase ai kishte parashembuj guximi e trimërie nga vegjëlia, jo nga Mojsiu, por nga bëmat e vërteta të kryetrimit tonë Skenderbeut. Bëma të cilat meritojnë një emërtim të veçantë si “Skenderbëma”, siç është fjala burimore Besa, që të gdhendet në vetëdijen e vegjëlisë shqiptare se si Mojsiu biblik edhe Skenderbeu, nuk vuanin nga kompleksi i inferioritetit ose mangësia e vetënënshtrimit, sepse kishin identitet të mirëfilltë dhe origjinal që nga lashtësia dhe të dy vendosën themelet e kombeve të tyre përkatëse, derisa Mojsiu vepronte me fjalë, Skenderbeu çante edhe me diplomaci edhe me pallë.

Shqiptarët duhet ta njohin veten që të mos i bien nën këmbë askujt, as t’i nënshtrohen zgjedhave dogmatike të pahetueshme nga mitologjitë meslindore dhe as disa ideologjive të skajshme të perëndimorëve përçarës si fashizmi e komunizmi, por as vetëmashtrimthi të mos ia shkelin syrin vetes sepse sot asgjë nuk përballohet vetëm, përveç se fisit matanë detit Mesdhe që ia doli përfundimisht, shtetuci i paplotë hebraik por i superfuqishëm, që vonestarisht i thirri mendjes për ngritje të çerdhes atdhetare si rrjet sigurimi nga dëbimi fshesor pas kërcënimit nga shfarosja. Ndërsa “sot”, shkëputur vitin 2019, prodhimi shtetëror bruto i tyre mbërriti kulmin rreth 400 miliardë dollarë dhe ky popull vegjëlitar krenarisht prodhon çerekun e Nobelistëve botërorë.

Ngushëllimthi, derisa ne kemi vetëm 2 nobelistë, një shenjtore e një papë e mijëra figura të tjera të afirmuara, nuk duhet të harrojmë se nga ana tjetër ne i dhamë botës perandorake romake dhe otomane ndoshta çerekun e perandorëve tyre, “nobelistët tanë prijës e udhëheqës” përkatësisht rreth 30 perandorë romakë gjatë periudhës së njohur “Iliriçiani”, duke radhitur themeluesin si Konstantini dhe perandorin Restaurater-in ose Rikthyes si Justiniani, të dy themelues edhe të kishave më të njohura të krishterimit. E para Kisha e Varrit të Shenjtë, që u shndërrua nga tempull romak në kishë nga Helen-a, e ëma e Konstantinit dhe kisha e Shën Dijes në Konstantinopojë nga Justiniani, ose rreth 36 vezirë të perandorisë otomane, nga dinastia e Qypryllinjve dhe deri në fund te vetë Kemali, themeluesi i shtetit bashkëkohor të Turqisë. Mirëpo mjerisht, sot pothuajse me 3 shtete ende jemi pa shtëpi e pa zot në nivel të bashkësisë evropiane. 

©Burim Bardhari.