Andej-Këtej

Galina, Rusia, Ukraina… - Nga Avdulla Kënaçi

Mbresa

Klientët e kafenesë italiane “Diana”, thuajse janë të njëjtë. Gjithmonë ata ulen në të njëjtat tavolina dhe bufetjerja, një vajzë e re nga Siçilia nuk i pyet kurrë çfarë kërkojnë, por instiktivisht bën të njëjtët shërbime. Unë rri gjithnjë tek cepi, poshtë murales së Kullës së Pizës ku në rrezen e vështrimit tim më duhet të përfshij ekranin e televizorit dhe gjysmën e banakut nga më vjen kafeja aromatike “espresso”. Bisedat e zakonshme janë kampionatet e futbollit, ku unë rrallë hyj në diskutime, por tani vendin e tyre e ka zënë lufta në Ukrainë, rusët, NATO-ja dhe emigrantët që kanë filluar të mbërrijnë edhe këtu në Kanada. Sa hapet dera i shikoj me kujdes klientët dhe përpiqem se mos më zë syri midis tyre Galinën, e cila që kur nisi lufta nuk shkel më këtu.

Ajo është një grua rreth të pesëdhjetave, me trup mesatar. Origjinën e ka ruse. Dallon që atje përtej se nga vjen, ka sy të kaltër, pikaloshe në fytyrë dhe flokët e dendur biondë i mban të lidhur pas qafës. Ka zë të hollë dhe është mjaft e respektueshme jo vetëm me personelin, por me të gjithë ne të tjerët. Është martuar me një italian të pasur, rreth njëzet vjet më të madh në moshë sesa ajo, por nuk kanë fëmijë. Kuzhinierja është e afërme e të shoqit dhe ata vijnë shpesh për ta vizituar këtu, në vendin e punës. Pasi përshëndeten me kuzhinieren, dalin në sallë. Ulen midis italianëve. Galina nuk i ndjek dot bisedat për sportin, kur ata ngrenë zërin, shkëputet prej tyre dhe vjen e ulet në tavolinën time, sigurisht nuk harron asnjëherë të marrë leje.

Ka krijuar një lloj afiniteti qëkurse mori vesh se unë shkruaj libra, kështu bisedat tona në shumicën e rasteve janë për librat. Më tregon se në Rusi lexohet shumë, edhe tani që ka hyrë media elektronike. Unë i flas për Tolstoin, Turgenjevin, Bulganovin, Pushkinin, Eseninin, Dostojevskin, Çehovin… Një ditë i recitova në rusisht “Letrën e Tatjanës drejtuar Onjeginit”. Ajo u ngrit në këmbë e befasur dhe duartrokiti. Pastaj i tregoi të shoqit që ta dëgjonte e tërë salla. Të gjithë qeshën.

- Flet rusisht? Pse nuk ma ke thënë? - më pyeti.

- Mbaj mend shumë pak, kam bërë katër vjet në shkollë të mesme, por nuk e kam ushtruar, kështu, e kam harruar.

Nuk desha t’i tregoj se që në vitin 1960 vendi ynë u nda nga Traktati i Varshavës dhe ish-Bashkimin Sovjetik ne e konsideronim vend armik, nuk donim t’ia dëgjonim as emrin, jo më gjuhën.

- Fol rusisht dhe unë do përpiqem të kuptoj, - i propozova.

Ajo ashtu bëri, pa nga dritaret dhe tha “snjeg”, m’u kujtua, snow, i thashë, dmth dëborë. Ajo qeshi duke zbuluar një sërë dhëmbësh të drejtë e të bardhë. Pastaj kaluam tek gjendja në Rusi. Ajo e viziton shpesh sëbashku me burrin.

- Si janë ekonomikisht? - e pyeta unë.

- Nuk janë hiç mirë, nuk u mjafton rroga, - më tha.

- Ti, d.m.th. burri juaj, i ndihmoni materialisht?

- Sa herë që shkojmë, por janë shumë, nuk ua dalim dot të gjithëve. Më parë donin veshje, por tani duan vetëm dollarë.

- Çudi, vendi më i madh në botë, me gjithë ato pasuri… Kam lexuar se në Arktik kanë zbuluar sasi të mëdha gazi.

Ajo uli zërin dhe tha ngadalë: “Armi…”

 ***

Qëkurse ka nisur lufta në Ukrainë, as Galinën dhe as të shoqin e saj nuk i kam parë më. Çfarë u ka ndodhur? Ndoshta do ta marr vesh një ditë kur të mbarojë lufta….

Mississauga, 7 Prill 2022

©Avdulla Kënaçi