Bisedimet - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej

Në Durrës, gjatë viteve të fëmijërisë e rinisë, kam njohur disa karaktere. Njeri prej tyre ka qenë Neri, apo Neri i Poles. Qarkullonin plot rrëfenja për bëmat e tij në atë kohë e unë po kujtoj njërën. Durrsakët e kujtojnë që Neri nuk e shqiptonte mirë germën “g” dhe kur e përdorte, tingëllonte si “k”.
Një ditë kishte ndaluar një vajzë në mes të rrugës e jepte e merrte e grindej me të, me zë të lartë e me gjeste e në fund, vajza duke ndjerë që konfrontimi me Nerin po keqësohej i drejtohet si me lutje:
“Po mirë mor Neri, mos bërtit. Le të bisedojmë me qetësi e mos të grindemi kot në mes të rrugës.”
Por Neri e dinte se çdo të thoshte të bisedosh… do të thoshte, që ai të merrte atë që dëshironte e menjëherë i thërret një shoku diku larg, i cili po ndiqte debatin e tij me vajzën.
“Ec Kono, se e rrekullova!”
Për Nerin, bisedimet punonin mire, por për vajzën… veçse shpëtoi nga konfrontimi në rrugë.
***
Në një shkrim të shkurtër të shkrimtarit tone të shquar, Ismail Kadare, ai ka si objekt një kështjellë diku në mes te Europës, një kështjellë të bukur të mirëruajtur, shumë tërheqëse për turistët. Në shkrim, shkrimtari ynë nuk mahnitet shumë nga bukuria e kështjellës, por më tepër se si i ka bërë ballë kohës, luftrave, zjarreve, bombardimeve, e pasi pyet nëse ajo kështjellë kishte parë ndonjëherë luftë, ciceroni i përgjigjet... jo... gjithmonë kur lufta afrohej, problemet zgjidheshin me bisedime.
Pra bisedimet kishin kursyer atë kështjellë e shkrimtari ynë mendjen e çon tek kështjellat e Shqipërisë, të cilat dëmtimet përgjatë shekujve i kishin kthyer në pothuaj rrënoja e mesa kuptohet, shkrimtari donte të shprehte në atë shkrim, që ne jemi një komb që vetëm kemi luftuar e nuk kemi preferur bisedimet e pasojat… ishin kështjellat e shkatërruara.
Por kështjellat dihet që nuk shkatërrohen vetëm nga armiku i jashtëm, por edhe nga ai i brendshmi. Në një pikture te piktorit Edward Lear, ku paraqitet kështjella e Durrësit në mes të shek XIX, vërehet se muret rrethues janë në një gjendje shumë të mire. Po sot si janë? Nuk kam lexuar për ndonjë luftë shkatërruese për t’i dëmtuar ato mure. Ndoshta ndonje gjyle nga Lufta e Parë Botërore, apo tërmeti i vitit 1926, kanë shkaktuar ndonjë dëm, megjithëse nuk po dua të dal nga tema e bisedimeve.
***
Kam përshtypjen e mesa e njoh historinë tonë, në Shqipëri bisedimet në shumë pak raste kanë punuar, por kur palët janë ulur, rezultatet kanë qenë shumë më të mira se kur ka ndodhur e kundërta. Lidhja e Lezhës, nën drejtimin e Gjergj Kastriotit, ndoshta është shembulli më i mirë i bisedimeve midis krerëve e princave shqiptarë për t’u bashkuar kundër pushtuesit. Më pas… Po sikur Ali Pashai dhe Kara Mahmut Bushatlliu të uleshin e të bisedonin sëbashku, a do të krijonim kushtet që Shqipëria të bashkohej e pavarësohej qysh në fillim të shekullit XIX? Ndoshta Lidhja e Prizrenit do te ndeshej më më pak probleme 60, 70 vjet më pas… Ndoshta nuk do të ishim copëtuar e shkërmoqur 100 vjet më pas…
Ka edhe një marrëveshje tjetër, që po të zbatohej, mendoj se Shqipëria do të ishte shumë më e fortë e më e zhvilluar se sot. A ishte Marrëveshja e Mukjes, një mundësi që shqiptarët të bashkoheshin në një front e mos të vuanim pasojat e mëpasme?
Nga ajo marrëveshje, nuk kujtoj tjetër marrëveshje që ka punuar për Shqipërinë, as qeverinë e stabilitetit më 1991, as qeverinë e Bashkim Finos më 1997.
Ndoshta bisedimet kanë patur rezultat të mirë, në zgjedhjen me konsensus të presidentit Moisiu. Asnjëherë nuk e kam parë politikën shqiptare, aq të bashkuar sesa në vitin 2002, pa harruar vitin 1999, kur ndodhën ngjarjet në Kosovë.
Sot është për të ardhur keq. Në Shqipëri vazhdon të mos ketë vend për bisedime. Palët janë të mbyllura në “kështjellat e rrënuara” dhe kanë “armën”, si dhe gjuhën e urrejtjes të mbushur plot.
***
Kaluan gati dy muaj që një luftë mëse e mundur për t’u evituar ka prishur “qetësinë” e Europës. U bënë fillimisht disa përpjekjë për bisedime, por më pas…asgjë. Mendoj se ka forca, që nuk duan që palët të ulen në tryezën e bisedimeve. E për sa kohë nuk do ketë bisedime, “kështjellat” e Ukrainës me siguri do të përfundojnë si keshtjellat e Shqipërisë që shkrimtarit tonë të madh i erdhën në mendje kur vizitoi kështjellën e bukur në mes të Europës.
***
Në mes të Europës gjendet një shtet nga më paqësorët në botë. Është i vogël, por i bukur. Ka ndërtesa të vjetra e të mirëmbajtura, ka kisha e katedrale, ka universitete, teatro, muzeume, e plot kështjella. Quhet Çeki. Ka një popullsi të qetë, të shëndetshme e të hijshme. Ka nxjerrë edhe heronj në historinë e saj. Kanë edhe heroin e fundit, Vaclav Havel quhet. Ai vend i vogël, i rrethuar nga shtete jo shumë miqësorë ka qenë pushtuar disa herë në histori, nga Romakët, Habsburgët, Austro- Hungaria, Gjermania e BRSS.
Si e kanë ruajtur vendin e tyre nga plaçkitjet e shkatërrimet e pushtuesve…?
Ndoshta ngaqë ata dinë si të bisedojnë. Ata e dinë shumë mirë, se shpesh në bisedime kanë dalë më të humbur, pasi dihet që bisedimet gjithmonë diktohen nga më i forti, por të paktën kanë ruajtur vendin e tyre me sa kanë mundur. Ata e dinë që luftërat shkatërrojnë shumë më tepër se humbjet nga bisedimet dhe kanë mësuar nga historia, se vetëm të vdekurit, mund të shikojnë fundin e luftës.
Nëse ka ndonjë shkrimtar, që ka ironizuar e ka bërë humor më shumë me luftën, perandorët, gjeneralët dhe drejtuesit e ushtrive, ai është Hasheku me Shvejkun e tij.
***
Kalova nga Neri, Kadareja e tek Shvejku për të nxjerrë një ide. Idenë e të ulurës në bisedime. Nga përvoja ime jetësore, gjithmonë kur jam ulur për të biseduar, kam dalë i fituar, ndonëse kam humbur ngapak nga vetja, përkundrazi kur jam përpjekur t’i zgjidh gjërat me forcë edhe nëse kam fituar, nga brenda kam ndjerë humbjen.
©Bamir Bebeziqi