“Vitet e para” ose pse u larguan amerikanët më 1946? - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej

Bamir Bebeziqi - Toronto
Mbaj mend nga fëmijëria, në larminë e lojrave që krijonim kishim edhe një lojë kujtese, diçka e veçantë. Njëri fillonte germat sipas alfabetit e tjetri e ndalonte. Tek germa ku ndalonim përpiqeshim të gjenim tituj filmash që fillonin me atë germë e ndonjëri fitonte. Tek germa “V” për brezin tim, filmi i parë që na vinte në mendje ishte “Vitet e para”.
Iu ktheva edhe njëherë filmit, pasi kisha mbi 40 vjet pa e parë. Sa për librin ku ai film bazohet, romanin “Këneta”, e di pothuaj përmendësh, pasi e kemi trajtuar shumë në gjimnaz, me hartime e referate, e besoj autori po të ishte gjallë sot, do ta hiqte atë libër nga qarkullimi, jo vetëm se aty u ekzekutuan tre njerëz kot, një grua shtatzënë, Zyraka, inxhinier Kujtim Shaqiri, drejtor Abdyl Sharra, por akuzohen për sabotim edhe miqtë tanë amerikanë bashke me Fultz-in.
Kam shkëputur vetëm një episod nga filmi, tri-katër minutat e fundit për të kujtuar pak atë kohë absurde (link-un e gjeni në fund të këtij teksti). Aty ka edhe një bisedë midis shefit të Misionit Amerikan në Shqipëri Harry Fultz (interpretuar nga durrsaku Spiro Urumi) dhe vartësit të tij.
***
Me kohë më ka lindur pyetja, diçka që akoma edhe sot nuk e kuptoj dhe aspak është trajtuar nga historiografia jonë. Përse u largua Misioni Amerikan nga Tirana?
Në Wikipedia, tek faqja mbi historikun e marrëdhënieve Shqiperi-Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjeta një paragraf, ku një fjali ishte nënvizuar nga dikush. Ja ku po e bëj Copy-Paste:
[“Relations further deteriorated when the economic adviser of the U.S. Mission, Harry T. Fultz, and employees of the American Mission (who Fultz taught), along with the UNRRA's representatives, were charged with sabotage of a draining project in Lake Maliq. The United States considered the situation unacceptable and wanted a withdrawal of the mission, which occurred on November 2, 1946. [14] All in all, the decision to disengage with Albania was in large part due to it not being important to the United States political or economic interests. The U.S. trade balance in the nation was $280,000; while the total assets amounted to $1.3 million.]
Nga sa lexoj, amerikanët gjetën një shkak me akuzën që qeveria shqiptare u bëri për sabotimin e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, por në fakt e nënvizuar shkruhet: “Mbi të gjitha, vendimi për të shkëputur lidhjet me Shqipërinë, erdhi pasi SHBA nuk kishte interesa politike e ekonomike”.
Në vitin 1946, SHBA nuk kishte interesa!?
Mendoj se Fultz-i ka qenë agjent i SHBA, dhe ka studiuar me hollësi Shqipërinë, pasi e ka bredhur cep e në cep dhe i ka njohur shqiptarët me të mirat e të këqijat. Me siguri ka studiuar edhe burimet minerare e natyrore të Shqipërisë dhe ia ka treguar fije për fije Administratës amerikane.
Ndër telegramet që misioneri amerikan Jacobs, i dërgon DASH-it në atë kohë, ka disa, ku përmendet, se në Tiranë po vijnë me shumicë ushtarakë e specialistë jugosllavë e rusë, bile teknikët e mbetur italianë që punonin në naftëmbajtëset apo ndonjë minierë bitumi apo qymyri, po i përzenin ngadalë e po i zëvendësonin me teknikë e specialistët e mësipërm. Kuptohej se jugosllavët e rusët ishin më përpara, e amerikanëve nuk u mbetej gjë me vlerë e kjo mund të ishte arsyeja e interesit ekonomik.
Po në aspektin politik, përse nuk kishte interes nga SHBA? Po Misioni Anglez përse iku? Edhe ata nuk kishin interesa ekonomike e politike?
Dime nga historia, që Misioni Anglez e la Shqipërinë në prill 1946, për arsyen e incidentit të Kanalit të Korfuzit, incident për të cilin mendoj se kot i bihej në qafë qeverisë shqiptare, se ne nuk kishim kapacitet të vendosnim mina në det, porse ishte thjesht një shkak për t’u larguar e për të na damkosur e kriminalizuar në botë.
Pra si Misioni Amerikan, si ai Anglez rezultojnë të kenë ikur vetë, në të njejtin vit 1946. Çudi! Sikur e kishin planifikuar!?
Tani dal tek logjika historike.
Në Wikipedia shkruhet se Hoxha nëpërmjet ministrit të Jashtëm austriak në tetor 1966, kërkoi që të takohej me Sekretarin e Shtetit amerikan, por ai nuk pranoi se nuk donte të turbullonte Kinën, me të cilën Hoxha kishte krijuar lidhje të forta.
Uh, çfarë preteksti!? Amerika në vitin 1966 kishte problem Kinën!? S’ma merr mendja, apo ndoshta lufta me Vietnamin?
Ja një pasazh tjetër nga Wikipedia:
[“On October 5, 1966, the Minister of Foreign Affairs of Austria, Lujo Toncic-Sorinj, explained that Albania wanted to meet with Secretary of State Dean Rusk. Minister Toncic referenced Hoxha's approaches to him, stating that: “Albanians have indicated a desire to move nearer the West but they appear not to dare take any plunge and seem to be afraid of being repulsed by the West.” Toncic asked the Secretary if he expected any change in Albania's diplomatic position. Rusk speculated that Albanians could become restless under their monopolization by China and indicated “it would be a great mistake for the United States to try to probe the intentions of the Albanians.”]
Nga ç’shkruhet më sipër, kuptohej që Hoxha donte të afrohej me Perëndimin, po kishte edhe frikën se mos nuk i hapnin derën kur të trokiste. Me sa kuptohet, amerikanëve dhe perendimorëve u mjaftonte vetëm qëndrimi i Hoxhës ndaj sovjetikëve, mbyllja e bazës së Pasha Limanit e më pas dalja nga Traktati i Varshavës. Mendoj, se për perëndimin, Hoxha ishte një “yes man” i heshtur, prandaj e lejuan të bënte ç’të donte me popullin e vet, të llapte ç’të donte për ta, përderisa nuk i dëmtonte.
***
Po kthehem në situatën e sotme.
Çfarë po ndodh, që SHBA sot po merren kaq shumë me Shqipërinë? Çfarë ndryshoi? Përse më 1946 amerikanët ikën, pasi nuk patën interes dhe sot janë bërë të pranishëm kudo në jetën tonë? Ne përseri jemi një treg i vogël…
A mos bënë gabim që ikën në atë kohë e na lanë në dorë të Stavri Larës me shokë e turmave vegjëliste që bërtisnin: “Kriminelët në litar!”?... Apo na lanë qëllimisht?
https://www.youtube.com/watch?v=F3FQ93lVb_8&t=5120s
©Bamir Bebeziqi