Andej-Këtej

Mbretëresha e Mjegullës - Nga Avdulla Kënaçi

Shikojeni me kujdes këtë foton poshtë. Ajo është realizuar në vitin 1901, pra, fiks 121 vjet më parë. Në fuçi shkruhet anglisht “Mbretëresha e Mjegullës”. Ju do pyesni kush quhet kështu, fuçia apo gruaja që është në foto pranë saj. Ndoshta të dyja.

Realisht kështu u vetemërua Annie Edson Taylor, mësuese në pension. Ajo ka qenë një edukatore në shkollën elementare në Niagarën amerikane. E quajti veten “Mbretëresha e Mjegullës” për arsye se për disa sekonda humbi në mjegullën që krijon rënia e lumit Niagara mbi honin rreth njëqind metra të thellë. Unë mendoj se është meritë e fuçisë që ajo shpëtoi gjallë dhe bëri këtë foto.

Të kthehemi tek historia. Erdhi dita dhe mësuesja doli në pension. Ishte e pamartuar, e vetme. Shpesh mërzinë e mbyste në gotën e alkoolit. Pra, ishte pijedashëse…

Para disa vjetësh, me kushëririn tim të parë, Veledin Nanaj, bëmë një vizitë në pjesën e Niagarës, nga ana e territorit amerikan. Ishim vetëm ne të dy, nuk kishte në atë moment turistë të tjerë, kështu udhëheqësen e guidës e kishim në dispozicion. Ajo u tregua e papërtuar për të na shoqëruar.

U ndal në një degë të Niagarës që ka prurje sa sasia e ujit që rrjedh në Bistricë të Sarandës, në vendin tonë. Lumi, përpara se sa të zbriste me shpejtësi mbi hon, rrëshqiste mbi një pllakë solide prej guri, nja katër-pesë metra të gjerë. Mjerë kujt i rrëshqiste këmba në atë shtrat të lëmuar.

- Këtu, - tha ajo - e rrokullisi fuçinë zonja Annie Taylor duke qenë brenda saj.

- Ishte në terezi të kokës? - tha i habitur Velua.

- Edhe unë mendoj, - vazhdoi ajo - se nuk ka qenë fort në terezi, por më shumë ia hedh fajin pijes, kishte hedhur ca kupa verë përpara se të futej në fuçi.

- Këtu ka gurë më të mëdhenj sesa fuçia, - i thashë unë. Mjafton një cep guri ta kapte dhe fuçia bëhej fije-fije, së bashku me të.

- Ashtu menduan të gjithë, kur ajo humbi në mjegull, por pas ca sekondash fuçia lundronte mbi shtratin e lumit. Rojet e tërhoqën në anë dhe për habi ajo ishte gjallë. Kjo foto është shkrepur më pas. Qysh atëherë, të gjithë e thërrisnin “Mbretëresha e Mjegullës”. Dhe me këtë nofkë, ajo hyri në historinë e aventurave të mëdha. - Më pas, ajo gjithnjë do të thoshte: “Askush nuk duhet ta bëjë përsëri këtë”.

- Fuçia duhet të jetë dru lisi, ai është i fortë dhe rezistent, - thashë unë - në foto duket shumë i lëmuar. Në fshatin tonë për jetë e mot në kësi fuçish hidhnim djathin për dimër.

- Mund të jetë edhe panjë, kjo, fuçi vere, - tha im kushëri…

Kur t’ju bjerë rruga të vizitoni Niagarën, mos harroni të pyesni edhe për “Mbretëreshën e Mjegullës” (Queen of the Mist).

© Avdulla Kënaçi