Zgjedhjet për Kongresin, dilemat dhe kërcënimet ndaj idesë amerikane - Nga Ernest Nasto
- Published in Andej-Këtej
Amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit më 8 nëntor për të zgjedhur të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve si dhe një të tretën e Senatit, ose 35 senatorë. Këto zgjedhje afatmesme zhvillohen në një situatë politike të nderë, ku s’kanë munguar as thirrjet e hapura për dhunë, pasqyrim i polarizimit të theksuar të peizazhit politik amerikan. Polarizimi në fjalë është një problem i thellë, shkaktuar si nga E Majta ashtu edhe E Djathta, e që fatkeqësisht po ndikon në rrëgjimin e shpirtit e të idesë amerikane. Dhe kjo ngaqë ekstremet e dy palëve s’mjaftohen me diagnozën e saktë të problemeve reale, por sajojnë dhe ekzagjerojnë kriza të njëpasnjëshme duke krijuar humbje besimi (ose edhe përbuzje) ndaj vendit, të cilin pretendojnë ta duan.
Për ekstremin e Majtë, Amerika prej kohësh, të paktën prej vitit zulmëmadh 1968, është konsideruar një fuqi neokoloniale e themeluar mbi racizmin. Ajo zuri fill me sistemin barbar të skllavërisë, u zgjerua me pushtime e gjenocid, dhe më pas mbështeti lloj-lloj tiranësh mizorë gjoja në emër të lirisë, vetëm nga një rol i shkurtër çlirimtar në luftërat botërore dhe në Luftën e Ftohtë. Ky vështrim u mëshon fort aspekteve negative të historisë amerikane, i ekzagjeron ato, e bile s’ngurron as t’i sajojë nga hiçi. Ato përsëriten pafundësisht për të krijuar idenë e një vendi që ka në ADN-në e vet racizmin, shfrytëzimin dhe ekspansionin. E për t’u dhënë fund këtyre ata ofrojnë shkatërrimin e themeleve liberale klasike të Amerikës dhe zëvendësimin e tyre me struktura joliberale që përdorin forcën e ligjit e të autoritetit publik për të riorganizuar krejt shoqërinë nga lart poshtë.
Nëse dikur ide të tilla qarkullonin në rrethe të ngushta radikalësh, sot ato janë legjitimuar si përbërëse normale të diskursit publik. Ishte vetë “New York Times”, që ndërmori më 2019 nismën për rishkrimin e historisë amerikane, të njohur si Projekti 1619, për të cilin kemi shkruar edhe më parë. Megjithë popullaritetin e fituar projekti dështoi në përpjekjen për të treguar “më në fund” historinë “e vërtetë” amerikane. Dhe dështimi erdhi nga ekzagjerimet, sepse s’mund të thuhet se i gjithë projekti ishte në thelb i gabuar. Amerikanët vërtet duhet të mësojnë edhe anët e errëta të historisë së tyre, disa prej të cilave janë rrëqethëse.
Por s’janë njësoj synimi i nxjerrjes në dritë të atyre anëve me atë të deklarimit se historia është vetëm errësirë, tmerre dhe asgjë tjetër. Pikërisht këtë ndryshim shprehën edhe një grup historianësh të njohur amerikanë kur iu drejtuan “New York Times” me kritika serioze ndaj projektit: ata theksuan se “ngritja e pyetjeve të thella e shqetësuese…është një shërbim publik i lavdërueshëm dhe urgjent”, por nga ana tjetër vunë në dukje se projekti ishte shmangur nga metoda shkencore e studimit të historisë për të rënë haptazi pre e ngjyrimeve ideologjike. E vetmja arritje e Projektit 1619, nëse mund të quhet e tillë, ishte përbuzja dhe revolta e shkaktuar ndër konservatorët amerikanë, sepse u ofroi atyre dëshminë më të qartë të lajthitjes përfundimtare të institucioneve amerikane.
Përkundrejt së Majtës që sheh Amerikën si thellësisht raciste dhe pa shpresë korrigjimi, E Djathta ekstreme e sheh atë po aq thellësisht progresiste e po ashtu pa shpresë korrigjimi. Të gjitha institucionet, përfshi arsimin e lartë, korporatat, mediat, ushtrinë dhe kulturën, konsiderohen të kapura nga E Majta, korrektesa politike dhe “kultura e fshirjes”. Bile edhe kishat dhe institucionet e edukimit kristian janë po aq të infektuara nga virusi majtist. Konservatorët s’kanë mundur kësisoj të konservojnë, pra të ruajnë, pothuajse asgjë të rëndësishme. Autorët konservatorë shprehen se përkundrazi ata kanë humbur shumë: kuptimin tradicional të martesës, lirinë e besimit të sanksionuar nga Amendamenti i Parë, çdo formë kontrolli mbi kufirin jugor, dallimin themelor midis meshkujve dhe femrave dhe, veçanërisht kohët e fundit, edhe ligjin e rregullin publik si pasojë e valës së krimeve, sidomos në qytetet e mëdha.
Duke përdorur gjerësisht gjuhën apokaliptike për të përshkruar shembjen e Amerikës ata sigurojnë audiencat e tyre se fitorja e Demokratëve do shënojë fundin e saj. Kjo është, pra, dilema amerikane: E Majta radikale është tepër e revoltuar ndaj Amerikës së dikurshme dhe beson se Amerika e sotme s’mund t’i shpëtojë të kaluarës së saj të tmerrshme, të paktën jo pa ndryshime revolucionare. Ndërsa E Djathta radikale admiron Amerikën e dikurshme, është tepër e revoltuar ndaj së sotmes dhe beson se kjo s’mund të mbrohet nga rrënimi i afërt, të paktën jo pa ndryshime revolucionare. E Majta ka në fakt të drejtë kur denoncon mëkatet e mëdha të historisë amerikane, e po ashtu edhe E Djathta ka po aq të drejtë kur denoncon problemet e thella të Amerikës bashkëkohore. Presioni dhe intoleranca majtiste ndaj fjalës së lirë janë reale, si brenda dhe jashtë mjediseve universitare.
Amerikanët janë vërtet të shqetësuar e të stresuar, vdekjet e ashtuquajtura “nga dëshpërimi” (nga vetëvrasjet apo droga) janë në nivele krize kombëtare, ndërsa martesat dhe lindshmëria janë në rënie. Ajo që shtrohet sot para elektoratit është nëse E Djathta e ka përgjigjen për këto probleme.
Donald Trump arriti të zgjidhej më 2016 kryesisht sepse miliona amerikanë besuan se vendi ishte në krizë kombëtare që kërkonte masa të dëshpëruara. Dhe këto të fundit përfshinin edhe zgjedhjen e një lideri që t’i qëndronte uraganit majtist, e që s’kishte frikë t’i godiste armiqtë. Ai ishte personi që, siç u zotua edhe vetë, do të ndalonte “kërdinë amerikane” (american carnage). Por çfarë ndodhi në të vërtetë?
Abortet u rritën për herë të parë qysh nga vitet ‘70, vdekjet nga droga arritën nivele rekord e po ashtu edhe numri i vrasjeve, ndërsa martesat, pas një stabilizimi disavjeçar, shënuan përsëri rënie. Si kurorëzim i të gjitha këtyre, tradita e transferimit paqësor të pushtetit u ndërpre, dhe një turmë e dhunshme, e nxitur nga mashtrime qesharake, sulmoi dhe përdhosi ndërtesën e Kapitolit, simbolin e demokracisë amerikane.
Do të ishte marrëzi të akuzohej vetëm Donald Trump për zhvillimet kësodore, sepse ato janë dukuri të ndërlikuara e me shkaqe po aq të ndërlikuara. Por kur ke zgjedhur një lider për të ndaluar “kërdinë” dhe kjo në fakt përkeqësohet, është ndoshta e udhës të rishikohet metoda, sepse nëse synon të shembësh krejt sistemin duhet të mbash parasysh se mund të zihesh vetë brenda. Megjithatë, përgjigjja e Së Djathtës ekstreme ndaj dështimeve të presidencës Trump ka tentuar drejt ashpërsimit, sepse dështimet quhen provë e forcës së Të Majtës dhe trumpizmi po akuzohet se s’ka qenë aq radikal sa duhej për ta mposhtur atë.
E gjithë kjo përzierje e krijuar nga të dyja ekstremet, ku disa të vërteta kombinohen me ekzagjerime e deri me dizinformacion të pastër, kërcënon të minojë besimin e qytetarëve e të kthehet në rrezik ekzistencial për eksperimentin dhe idenë amerikane.
Fakti është se Amendamenti i Parë s’është dobësuar, amerikanët janë sot më të pavarur se kurrë nga kontrolli qeveritar mbi lirinë e fjalës, ndërsa liria fetare ka njohur një sërë fitoresh gjatë dhjetë viteve të fundit. Komunitetet fetare janë të sigurta nga ndonjë persekutim i mundshëm prej administratës, dhe, në dritën e vendimit të paradokohshëm për abortin, ankimet e konservatorëve tingëllojnë krejt boshe.
Edhe lidhur me racizmin përparimet janë të dukshme, megjithëse ka ende shumë për të bërë. Rishikimi i lartpërmendur i historisë është sigurisht sukses i madh, por s’mund të pritet që pasojat e shtypjes së dhunshme 300 e ca vjeçare të zhduken tërësisht në 60 vite ndryshimesh të mundimshme qysh prej kalimit të ligjit të të Drejtave Civile më 1964. Megjithatë, veç nëse s’dëshiron të shohësh mund të mendosh se Amerika e sotme s’ka ndryshime rrënjësore nga e kaluara relativisht e afërt. Madje, duhet theksuar me forcë në këtë aspekt se pakicat me ngjyrë kanë bërë hapa të jashtëzakonshëm jo duke i përmbysur idetë themeluese të 1776, por duke iu drejtuar parimeve më të larta të tyre.
Pikërisht kjo ka përshkuar krejt veprimtarinë e kampionëve më të mëdhenj e më elokuentë të fjalës së lirë, Frederick Douglass (1818-1895) dhe Martin Luther King (1929-1968). Të dy këta veprimtarë zezakë kanë bërë kritikat më të ashpra ndaj racizmit amerikan duke u frymëzuar njëkohësisht prej parimeve të Deklaratës së Pavarësisë. Dhe e vërteta është se ashtu si për lirinë e fjalës e të besimit fetar, më shumë amerikanë gëzojnë sot mbrojtjen e barabartë para ligjit se kurrë më parë. Parimet bazë amerikane, ai i barazisë së njerëzve para Zotit dhe të drejtat e tyre të patjetërsueshme, kanë qenë gjithmonë në luftë me anën e errët të natyrës njerëzore dhe aftësinë tonë për t’i bërë keq tjetrit.
Prandaj, historia s’mund të lidhet vetëm me vitin 1619 dhe as vetëm me vitin 1776. Ajo është kryesisht beteja e realitetit të zymtë të të parit me idetë e larta të të dytit. Por ka edhe një ndryshim tjetër bazë ndërmjet këtyre dy çasteve historike: mbërritja e skllevërve të parë në brigjet e Virginias më 1619 s’ishte ndonjë dukuri e re, por thjesht ripohim i së njëjtës shtypje dhe mizori të njeriut ndaj njeriut që ka karakterizuar shoqërinë qysh në agim të kohës. Ndërsa kur etërit themelues miratuan Deklaratën e Pavarësisë dhe më vonë Kushtetutën amerikane, ata krijuan diçka të re, një qytetërim të bazuar në aspiratën e lirisë e të dinjitetit njerëzor.
Kjo ide binte qartazi ndesh asokohe me pjesën më të madhe të realitetit amerikan, por përsëri ruante një forcë të madhe frymëzuese. Ideja në fjalë e ka ende atë forcë dhe privimi i amerikanëve nga të drejtat e tyre themelore thjesht në interes të fitores së një lufte kulturore, siç dëshirojnë revolucionarët e rinj të të dy krahëve, s’mund të zgjidhë asnjë krizë, përkundrazi një privim i tillë është vetë kriza.
Historia amerikane është një histori e vështirë dhe e vazhdueshme, por në fund të fundit është një histori pozitive. Prandaj le të shpresojmë se zgjedhësit, duke ushtruar masivisht të drejtën e votës, s’do të lejojnë që revolucionarët e rinj të shkatërrojnë shpirtin dhe idenë amerikane.
©Ernest Nasto - Panorama.al



