Bonsoir tristesse (Natën e mirë trishtim) - Nga Luan Rama
- Published in Andej-Këtej

Rrallë herë kam parë sy aq të trishtuar sa mbrëmë. Ishin sytë e Natalisë. Nuk mund t'i thoja “Bonsoir Tristesse”. E gjeta mbrëmë në shtëpinë e një miku tim francez, aktor, i cili bashkë me gruan e tij e kishin strehuar për disa muaj në shtëpinë e tyre në Parisin 17. Ishte diçka e papritur, mbresëlënëse. Edhe aty, lufta ishte midis nesh, si çdo ditë, që kur Putini nisi tanket nën marshin e bombave dhe të gjakut.
Ne flisnim për Flobert, Proust, Genet dhe Cocteau, për filmin e ri “Babylon” që sapo ka dalë në sallat e kinemasë, kur ajo hyri dhe na përshëndeti. Ishte veshur thjesht, një triko dhe pantallona bluxhins. Ishte vetë shprehja e solidaritetit francez me luftën e ukrainasve. Por sytë e saj ishin të përhumbur, ishin larg, tek djali i saj 24 vjeçar që ndihmonte civilët, aty ku Neroni modern hidhte bombat e tij. Burri i saj gjithashtu ndihmonte në plagët që hapeshin çdo ditë në trupin e martirizuar të Ukrainës.
Flisja me të dhe trishtimi pa u ndjerë zgjaste duart dhe më pështillte ngadalë duke më kapur për gryke. Jo, nuk ishte Natalia e “Place Rouge” si në këngën e Gilbert Becaud. Ishte Natalia tjetër, ajo me gjumin e shprishur, që çdo natë zgjohej nga ankthi se nesër nuk do ta gjente më fëmijën e saj. Ja pse ajo nuk e donte veten e saj në Paris, nuk e donte veten në sheshet e paqes së Parisit. Vetëm kisha e ukrainasve i kishte mbetur në këtë vend ku ajo përhumbej pa e ditur se përse gjendej këtu.
Natalia është psikologe, por koha tashmë nuk është kohë e psikologjisë, është koha e vetmbrojtjes dhe e mbijetesës së një populli të kërcënuar nga krimineli më i madh i botës moderne që mban emrin Vladimir Putin.
E vështirë të kthente një gotë verë me ne pasi mendimi i saj e çonte orë e çast tek e nesërmja. Mundohej të qeshte edhe pse dhimbja në shpirtin e saj ishte e madhe. Miku im Jean-Paul më tregoi dhe një “tank” në miniaturë, nga ato lodra të manjetizuara që ngjiten në dyert e frigoriferëve. Një “tank” dërguar në Paris për të, sikur brenda atij objekti të ishte shpresa e vetmbrojtjes, e mbijetesës, e fitores se jetës mbi vdekjen e paralajmëruar.
- Po shkoj të fle - na tha një orë më vonë Natalia. Iku e mbytur nga trishtimi. E dija që nuk do të flinte. Çdo natë ajo dëgjonte sirenat dhe ekon e bombave që larg. Nuk kishte gjumë për Natalinë edhe pse vite më parë kishte ëndërruar të shihte një ditë Parisin e dritave dhe të dashurisë, Parisin e shkrimtarëve, poetëve, filozofëve, piktorëve të botës. Kohërat tashmë kanë ndryshuar. Bota e paqes është në luftë me botën e krimit… Po, Neronët jetojnë ende...
©Luan Rama