Andej-Këtej

Konica dhe Lenini - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

Nuk them se kanë kuvenduar bashkë.  Beu i Konicës do ta kishte vështirë të ulej në bisedë me dikë që po bëhej 40 vjeç e që kurrë nuk kishte zënë punë me dorë, por jetonte sa me pensionin e të atit, aq edhe duke detyruar të ëmën të shiste shtëpinë. Shkurt me dikë që sot quhet parazit social (madje dhe poligam se në Zvicër jetonte nën një çati me të shoqen dhe Inès Armand-in)

Pastaj po të kishin folur, me siguri Konica diku do të kishte thënë gjësendi të tillë: “vërtet komunist është djalli, por ta ka qejfi të grindesh me të në debate filozofike”. Se e vërteta është se sa kohë janë në opozitë komunistët jane të admirueshëm, kur vijnë në pushtet shndërrohen në vrasës industrialë.

Unë besoj se ata janë parë me njëri-tjetrin, Se të hysh në të njëjtën derë për pesë-gjashtë vjet radhazi, është e pamundur të mos ndeshesh me dikë, që edhe ai hyn po te e njëjta derë po për aq vite.

Kjo ide më kaloi nëpër mend nja tridhjetë vjet më parë kur duke vizituar British Library (fotoja më poshtë është para saj atë ditë) u interesova të gjej vendin ku ulej e punonte Konica (sipas përshkrimeve të bashkëkohësve të tij).

T’i marrim gjërat më radhë.

Më 1903 Konica u shpërngul në Londër ku mori leje të punojë në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik (kujtoj me këtë rast se ajo që sot njihet si British Library para viti 1970, afërsisht, ishte pjesë e British Museum.

Në Londër ai do të jetojë plot gjashtë vite dhe pothuajse çdo ditë do të jetë në të njëjtën bibliotekë të Londrës, ku kërkoi edhe dokumente veneciane dhe shkresa të tjera që lidheshin me Shqipërinë. Të gjitha këto i gjeni të botuara te “Albania”.

Më 1909 shkoi në Amerikë.

Tani për pjesën tjetër më duhet të them se dikur më ra në dorë libri “Conspirator-Lenin in exil” i Helene Rappaport.

Eshtë anketa më e detajuar e qëndrimit të Leninit në Londër.

E tamam në faqet e këtij libri mëson se revolucionari rus dhe bashkëshortja e tij Nadjezhda, nga viti 1902 e deri në Nëntor 1911 kanë bujt në menyrë sistematike në Londër.

Thuhet po ashtu se gjatë gjithë kësaj kohe ai thuajse çdo ditë ka punuar në British Museum, ku siç përmendëm edhe Faik Konica do të jetë i pranishëm nga viti 1903 e deri më 1909.

Ata që e kanë vizituar këtë tempull anglez e dinë se ai ka një hyrje. Në periudha të ndryshme ka funksionuar edhe një dalje, por shpesh hyrja shërbente edhe si dalje.

E shoh gati të pamundur që në ndonjë rast hidalgo jonë të mos ketë pritur për pak çaste t’i mbajë derën hapur jo atij tipit të shkurtër që flet pa reshtur, por asaj zonjës që vjen pas tij e që në atë kohë është gjithnjë mjaft elegante.

© Dashnor Kokonozi