Pse Shqipëria nuk e rishpik veten si Singapori? - Nga Burim Bardhari
- Published in Andej-Këtej
Pse Shqipëria nuk ka “ardhmëritar e risitar” që ta rishpikë veten si singapori as nuk i fton miqtë “meksikanët” mesdhetarë si Singapori, që ta rimëkëmbë ushtrinë dhe ekonominë? Si shndërrohen e shkëlqejnë vegjëlitë e vobekta në madhëritë e lakmuara vetëm nga disa mendime të mirëfillta të udhëheqësve largpamës dhe vijimi i përkushtimit të zellshëm.
Singapori është një shtetuc i superfuqishëm 6 milionësh, afërsisht nga sipërfaqja sa qyteti Nju Jork me 730 km2, por një ndër katër tigrat e tregtisë aziatike më të dalluar bashkë me Hong Kong, Taivan dhe Korenë Jugore, të cilët rishpikën veten duke përfituar nga kapitali perëndimor. Ku fshihet çelësi i mbarësisë së një vendi kaq të vogël, kush ishte ardhmëritari risitar? Kundruall varfërisë gjymtuese dhe gjithë vështirësive e koklavitjeve të ndryshme pengestare, si për shembull përbërja me tre etni nga kinezët shumicorë, malajzianët myslimanë dhe hindu-të pakicorë, me kryetare myslimane dhe kryeministër kinez, mirëpo për 3 dekada Singapori u shndërrua habitshëm nga koloni peshkatarësh, madje i përzënë jashtë shtetit amë nga Malajzia në viti 1965 si bonjak e deri në superfuqi ekonomike, por edhe superfuqi ushtarake rajonale që i pari pronësoi avionët ushtarakë më të lakmuar në botë, F-35 amerikanë, tanket gjermanë Leopard të tipit të ri dhe shpik prodhime armatimesh të vendit edhe për shitje. Prodhimi bruto vjetor është diku rreth 400 miliardë dollarë, sa ai i Izraelit, shtetucit tjetër të superfuqishëm sidomos ushtarakisht ose më shumë se gjysma e buxhetit vjetor të Arabisë Saudite apo Turqisë, me valutë emnake si dollari amerikan por me vlerë sa dollari kanadez.

Singapori u themelua nga ardhacakët indianë të cilit vendin e ri e pagëzuan me emrin “qyteti Luan” nga fjala “sing-a, që nënkupton luan, prandaj të gjithë sikët punxhab njihen si “sing(h)”. U pushtua nga disa shtete europiane “valësundimtare” (tallazokrate) dhe u ngrit si pikë tregtimi e shkëmbimi, në fillim të shekullit 17 nga portugezët të cilët më pas e dogjën dhe rrafshuan. Pas tyre dy shekuj më vonë nuhatën erën e pushtimeve fitimtare edhe anglezët me kompaninë e njohur “British East India”, e rimëkëmbën si koloni dhe prej atje e zhvatën edhe ishullin “Java” (Xhava) të Indonezisë nga pushtuesit holandezë që ishin shpikësit e pushtimit me shoqëri tregtare si kompania holandeze “Dutch East India Company” të themeluar në vitin 1602 që rrjedhimisht njihet edhe si “bursa” e parë botërore, sepse huazonin të holla si investime nga qytetarët dhe njëkohësisht me mbështetjen e mbretërive përkatëse që pastaj i zbuluan ngjyrat e vërteta se dorëzanonin dhe qëndronin prapa shoqërive përkatëse.
Sipas librit kujtimor nga Kim-i i parë (Kreu i Ministrave) i Singaporit Li Kuan Ju, fill pas shpalljes së pavarësisë ai e ngarkoi me detyrë ministrin e punëve të Brendshme që ta ftonte shtetucin e superfuqishëm mesdhetar, Izraelin e shkathtë mbijetues e të rrethuar me fqinjë dashakeq si Shqipëria sot, për ta ndërtuar mbrojtjen dhe mëkëmbur ushtrinë, sepse Izraeli ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë, si pastaj atë të Kosovës dardane. Mirëpo meqë Singapori është mes dy shteteve dërmuesisht myslimane, si Malajzia dhe Indonezia, duhej ushtruar kujdes tejet diskret kështuqë ekspertët izraelitë i pagëzuan si “meksikanë”, pasiqë ushtarakët e ftuar ishin enkas me ngjyrë lëkure të kafenjtë të përzgjedhur nga shteti “mojsiak” që sot thuhet se ka mbi 200 bomba atomike që të mos i kërcënohen me zhdukje “kushërinjtë” stërgjyshorë të Abrahamit ose Ibrahimit, nga arapët numerikisht madhorë mbi 400 milion e të shpërndarë në 22 shtete dhe pa asnjë bashkësi ose federatë të fortë, si dikur egërsisht nga Hitleri harbut, sepse mund t’i bëjë hi e shkrumbojë të gjithë shkretinarët meslindorë sepse epërson teknologjikisht, jo nga trashëgimia mitologjike fetare por nga arritjet e shkencës europiane dhe amerikane.

Singapori hartoi 3 strategjitë kryesore për mbrojtje që të mbijetonte si shtet i mëvetësishëm, të njohura si “karkalec deti, ferrëgjati gjembatar dhe delfini”, sepse fillimisht ishte i vogël si karkalec deti por helmues, pastaj u bë më i fortë dhe përballonte çdo lloj sulmi si me shqytin e saj kafsha gjembatare (“ferrëgjati”, nga anglishtja “porcupine”) dhe përfundimisht si delfini i butë por që bashkarisht me delfinët e tjerë guxojnë ta godasin edhe peshkaqenin më të fuqishëm.
Shqipërisë e shqiptarisë po ashtu i vyen më shumë “pavarësia” ekonomike dhe afërmendsh ajo ushtarake, së paku pjesërisht sa për mbijetim të pakërcënuar që pavarësia politike të mos tregtohet lehtë si nga disa politikanë ose të humbet tek fqinjët finokë dhe ne t’u nënshtrohemi atyre si shërbëtorë puthadorë, por të këmbejmë ndershmërisht e drejtësisht brenda Europës së unifikuar.
© Burim Bardhari



