Avionët e NATO-s dhe Ukraina - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Mbi mundësinë e transferimit të avionëve të NATO-s në Ukrainë
Në datën 6 Prill të këtij viti Polonia vendosi të transferojë vetëm 14 avionë Mig-29 në Ukrainë. Kjo do të thotë se në vend të 20 avionëve të premtuar më parë, Ukraina do të marrë 6 më pak, mbasi 6 copë do të mbesin në përdorim të Forcave Ajrore të Polonisë, sepse janë të pajisur dhe përmirësuar në satndardet e NATO-s në vitin 2011.
Por cila është gjëndja e avionëve që do t’i transferohen Ukrainës? Askush nuk e di, E vetmja gjë që dihet është se ata nuk kanë fluturuar që nga viti 2018 dhe do kenë nevojë për një mirëmbajtje të përgjithëshme dhe të rëndësishme.
Sidoqoftë për Forcat Ajrore të Ukrainës edhe kjo është më mirë se asgjë, pasi mund t’i përdorë këta avionë për pjesë këmbimi për avionët e saj të të njëjtit lloj, që i ka në shërbim dhe që kanë nevojë për mirëmbajtje që të vazhdojnë të fluturojnë. Ndërsa polakët duke hequr nga inventari pajisje të vjetra sovjetike të cilat pothuajse nuk janë më funksionale e përdorin këtë veprim për të demonstruar se janë në mbështetje të Ukrainës.
Edhe francezët nuk kanë mbetur pas kësaj iniciative, por ata dëshirojnë që t’i japin Ukrainës avionë me teknologji të NATO-s dhe planifikojnë që t’i transferojnë asaj avionë të tipit Dassault Falcon Mirage 2000-9. Për këtë arsye, francezët planifikojnë të blejnë nga Emiratet e Bashkuara Arabe 40 Mirage 2000-9, që do t’i zëvëndësojë ata me avionë të tipit Rafale, për të cilët ka bërë një marrëveshje në vitin 2021 me Francën, nga ku do furnizohen me 80 Rafale deri në vitin 2031.
Gjithashtu edhe Egjypti, Greqia, Indonezia dhe Maroku kanë shprehur një interes të tillë në propozimin e Francës për të zëvëndësuar avionët e vjetër Mirage 2000-9 me Rafale. Megjithatë deri tani kjo ka mbetur vetëm në fazën e një propozimi, pasi francezët thonë se “këta avionë kërkojnë mirëmbajtje dhe trajnim kompleks”.
Ukrainasit janë duke kërkuar edhe transferim të avionëve F-16 nga Amerika, por duket qartë se situata me avionët do të përsërisë historinë e tankeve të perëndimit të prodhimit sipas standardeve të NATO-s. Në fillim të gjithë u deklaruan kundër dhe se askush nuk do t’i transferonte Ukrainës tanke të NATO-s, as të rinj e as të vjetër, por më vonë doli e kundërta.
Dhe këtu vijmë në të njëjtën situatë me dy të panjohura:
1-Nevoja e trajnimit të personelit për përdorimin e këtyre avionëve të NATO-s.
Në fillim të marsit koloneli Juri Ignat zëdhënësi i Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës deklaroi për Revistën Air Force: “Ukraina ka të paktën 30 pilotë me aftësi të mjaftueshme të gjuhës angleze, të gatshëm për të udhëtuar në SHBA, për trajnim, së bashku me inxhinierët përkatës dhe ekipet e mirëmbajtjes, nëse arrihet një marëveshje”.
Dhe kjo nuk do të jetë hera e parë që amerikanët trajnojnë pilotë të Lindjes të mësuar me avionë Mig, të fluturojnë me avionë të tipit F-16. Rumania është një shëmbull se si kjo mund të bëhet. Forcat e saj ajrore janë në fazën e fundit të tranzicionit nga Mig-21 sovjetikë në F-16 të prodhuar në Amerikë.
Komanda e Arsimit dhe Trajnimit Ajror të Forcave Ajrore të SHBA ka një kurs për pilotët e vendeve aleate dhe partnere. Ky kurs mbahet në Bazën Ajrore të Gardës Kombëtare në Morrison Arizona, ku pilotë nga vendet e Evropës Lindore si Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia ndjekin këtë kurs 6 mujor të kualifikimit fillestar të avancuar prej dy dekadash tashmë.
Por në këtë rast kemi të bëjmë me pilotë që kurrë më parë nuk kanë fluturuar në avionët Mig. Dhe për këtë sërish zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës koloneli Juri Ignat deklaroi: “Për të mësuar fazën e parë të ngritjes e uljes dhe të fluturimit nga pika A në pikën B do të duhen të paktën 5-6 javë, por për të mësuar se si të luftojnë në të, për të mësuar se si të përdorin raketat dhe sistemet e tjera dhe bashkëveprimin me forcat e tjera në tokë, do të duhen më shumë se 6 muaj”.
Por Ukraina nuk ka kaq shumë kohë në dispozicion, duke marrë parasysh që deri tani asnjë lloj trajnimi nuk ka filluar.
2-Përdorimi i këtyre avionëve nga ish-pilotë të NATO-s që nuk fluturojnë më për forcat ajrore të NATO-s.
Javën e kaluar në mediat ukrainase dhe ato proukrainase qarkulloi një informacion për gatishmërinë e pilotëve amerikanë për të fluturuar për Ukrainën kundër Rusisë. Dhe për këtë i referoheshin një ish-piloti amerikan në pension Dan Hampton. Ky pilot me nofkën “Dy qentë”, ka qenë pjestar i Forcave Ajrore të SHBA nga 1986 deri në 2006 si pilot me avionin luftarak F-16. Dhe këtu lind pyetja sa sa realist ësht ky skenar i tërheqjes së ish-pilotëve të NATO-s?
Që nga fillimi i operacioneve ushtarake në Ukrainë çdo dorëzim i ndonjë arme të re është shoqëruar me përdorimin e mercenarëve nën maskën e vullnetarizmit në Legjionin Ndërkombëtar të Ukrainës. Edhe në këtë rast duket e paimagjinueshme gatishmëria e këtyre pilotëve pa miratimin e Shtëpisë së Bardhë më parë.
Gjithashtu në këto media qarkulloi edhe mundësia e tërheqjes së kompanive private, pasi një pjesë e mirë e këtyre pilotëve pas largimit nga forcat ajrore të vendeve respektive të NATO-s kanë punuar për disa kompani private. Dhe opsioni i përdorimit të tyre me kohë të plotë nën maskën e mercenarizmit për Ukrainën është opsioni më i preferuar i Amerikës në rastin e avionëve F-16. Pasi kështu do kursenin në radhë të parë kohë dhe në radhë të dytë do shtonin jetgjatësinë e avionëve në përdorim në kofliktin me Rusinë, për shkak të eksperiencës së këtyre pilotëve në këto mjete. Prandaj pjesëmarrja e tyre në këtë konflikt është një opsion tepër real.
Por këtu vimë në një pyetje tjetër: Sa është kapaciteti luftarak i tyre tani?
Në të vërtetë vendet e NATO-s posedojnë pilotë të aftë dhe me përvojë në radhët e tyre. Por ama në një konflikt të tillë aftësitë e tyre nuk duhen mbivlerësuar por as nënvleftësuar. Tashmë dihet që NATO dhe Amerika nuk është përfshirë në një konflikt me intensitet të tillë të lartë që nga Lufta e Gjirit, Lufta në Jugosllavi dhe Lufta në Irak.
Në vitet 1990 Ushtria Jugosllave dhe ajo e Irakut posedonin për kohën një mbrojtje ajrore dhe kundërajrore moderne dhe të ndarë në shtresa, në të cilën aviacioni ishte i përfshirë në mënyrë aktive. Ndërsa përvojat e krijuara nga konfliktet e tjera si ai në Afganistan, Libi dhe Siri kundër ISIS nuk janë të i përshtatshme për konceptin e kësaj lufte aktuale.
Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur pilotët e NATO-s dhe ata amerikanë si Dan Hampton kanë marrë pjesë në një konflikt të tillë. Plus, ata si Dan Hampton që kanë marrë pjesë në ato konflikte të tilla si ky i Ukrainës tashmë janë në moshën 60 vjeçare, në pamundësi fizike për të përballuar misione të ngjashme fluturimi si atëherë. Dhe gjithashtu do iu duhet të përballen këtu me një sistem mbrojtje ajrore dhe kundërajrore shumë herë më modern se ai i viteve 1990 dhe me një pjesëmarrje të forcave ajrore tashmë në një mënyrë shumë herë më aktive se ajo e viteve 1990.
Dhe kur flasim për sisteme të reja shtrohet pyetja: Ҫfarë taktikash do të përdornin?
Pilotët e NATO-s dhe të SHBA janë mësuar të veprojnë si pjesë e një sistemi të vetëm të integruar të kontrollit luftarak. Ai është i lidhur më ndërveprimin e drejtpërdrejtë midis degëve të tjera të forcave të armatosura.
Koncepti ajror i NATO-s funksionon sipas konceptit të Shtypjes së Mbrojtjes Ajrore të Armikut - në atë që njihet si SEAD (Suppression of Enemy Air Defenses). Ҫdo operacion ushtarak i NATO-s dhe Amerikës gjithnjë ka filluar me goditjen masive raketore të sistemeve të mbrojtjes ajrore të armikut.
Strategjia ushtarake e NATO-s është që të shaktërrojë forcat ajrore dhe kundërajrore të armikut, për të siguruar kështu lëvizjen e papenguar të forcave tokësore dhe mbështetjen e papenguar të tyre nga ana e aviacionit. Shembulli më i fundit dhe konkret i kësaj strategjie është Operacioni i NATO-s në Libi.
Përdorimi i të dhënave satelitore dhe elektronike, së bashku me komponentin e goditjes së aviacionit, marinës dhe forcave tokësore në një përdorim të kombinuar të tyre, përfshihen në konceptin SEAD. Dhe një gjë e tillë u aplikua pjesërisht edhe nga ana e Forcave Ruse në fillim të këtij operacioni ushtarak në Ukrainë.
Ky koncept nga ana e NATO-s funksionon duke patur gjatë gjithë kohës mbështetjen e avionëve të zbulimit të cilët nuk pushojnë së fluturuari në afërsi të objektivave të armikut. Por ky opsion është jashtë këtij konflikti. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse rusët e rrëzuan dronin amerikan për të reduktuar edhe me 100 km fushën e operimit të këtyre avionëve në një rast të tillë.
Por gjithsesi edhe në rast se NATO do t’i japë avionë të saj Ukrainës, sërish është e detyruar që të mbajë për vetë një numër të konsiderueshëm avionësh në gatishmëri luftarake për rastin që ky konflikt mund të përshkallëzohet e të dalë jashtë kufijve të Ukrainës.
Po ashtu, koncepti i shtypjes së mbrojtjes ajrore të NATO-s bazohet në krijimin e epërsisë numerike në aviacion dhe kryerjen e sulmeve masive me raketa dhe bomba në territorin e armikut për një kohë të gjatë. Dhe në këtë rast bëhet fjalë për territorin e Rusisë.
Kështu që pavarësisht kërkesës së Ukrainës, për shkak të një përshakllëzimi të pakthyeshëm të këtij konflikti, sigurimi nga ana e NATO-s i një vëllimi të tillë të mbështetjes dhe zjarrit ajror kundër objektivave rusë në terriron rus, është pothuajse i pamundur.
Megjithatë nëse konflikti në Ukrainë zgjatet më shumë se ky vit, vendet e NATO-s do të kenë kohë të mjaftueshme për të trajnuar pilotët ukrainas jo vetëm për të përdorur avionët e NATO-s, por edhe për t’i trajnuar ata në bazë të teknikave të reja dhe eksperiencave që kanë dalë gjatë këtij konflikti. Por ama gjithnjë gjithçka do të mbetet në kuadër të aksioneve për goditjen e forcave ruse dhe vendqëndrimeve të tyre kritike, vetëm në brendësi të territorit ukrainas.



