Efektiviteti i avionëve të NATO-s në dorë të ushtrisë ukrainase - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Avionët e NATO-s dhe Ukraina - Pjesa e dytë
Ndër dokumentet e rrjedhura sekrete të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA (Pentagonit) të cilat po qarkullojnë publikisht nëpër internet, ishte edhe një informacion se një grup pilotësh ukrainas kanë filluar përgatitjen fluturuese në SHBA për avionë të tipit F-16. Ky informacion i përkiste datës 1 Mars, por specifikonte se pavarësisht stërvitjes, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë akoma nuk kanë marrë një vendim për t’i transferuar avionë të tillë Ukrainës. Por edhe nëse merret vendimi për t’i transferuar avionë të NATO-s, a mundet Ukraina të ndryshojë me ta rrjedhën e tanishme të luftës?
Për të ndryshuar rrjedhën e luftës me anë të avionëve që ajo po kërkon me ngulm, asaj i duhet të ndërtojë një operacion të koordinuar të aviacionit dhe forcave tokësore. Që një operacion i tillë të jetë i sukseshëm, ose të arrijë suksesin të cilin ukrainasit propagandojnë se mund të arrijnë po qe se i marrin këta avionë, ai duhet të shtrihet në 4 faza sipas Doktrines ajrore Amerikane dhe asaj të NATO-s.
Faza e parë: Një fushatë ajrore me goditje ajrore për të shkatërruar rrjetin e komandimit, kontrollit dhe komunikimit të ushtrisë ruse.
Faza e dytë: Të arrijë të realizojë Shtypjen e Mbrojtjes Ajrore të Armikut - në atë që njihet si SEAD (Suppression of Enemy Air Defenses).
Faza e tretë: Të përgatisë fushën e betejës nëpërmjet fuqisë ajrore.
Faza e katërt: Të realizojë një betejë të kombinuar të aviacionit dhe forcave tokësore, për të rimarrë territoret të cilat janë aktualisht nën kontrollin e forcave ruse.
Le t’i marrim me radhë të 4 fazat.
Faza e parë
Faza e parë kërkon goditje ajrore për të shkatërruar rrjetin komandues dhe të kontrollit e të komunikimit. Kjo lloj detyre e aviacionit hyn tek detyrat strategjike, pasi këto komanda kontrolli dhe komandimi nuk ndodhen në teritorin e Ukrainës por në atë të Rusisë.
Ky lloj sulmi strategjik kryhet në dy mënyra. E para, goditja strategjike kryhet mbi objektiva të rëndësisë strategjike ku parashikohet që kjo goditje të shkaktojë një efekt të pamasë ndaj mundësisë së armikut për të bërë luftë. E dyta, goditjet strategjike ndaj ketyre objektivave kryhen në kohë dhe situata gjeografike të pavarura nga operacionet e tjera tokësore.
Po cilët janë ata objektiva që konsiderohen të rëndësisë strategjike?
Sipas doktrinës dhe strategjisë së NATO-s ata janë: Vëndkomandat qëndrore; sistemet e prodhimit të mjeteve dhe municioneve ushtarake; magazinat e materialeve ushtarake; sistemi energjitik; sistemi i transportit hekurudhor, ajror, detar; sistemet e komunikimit; pikat e përqëndrimit të forcave armike rezervë të paangazhuara akoma në teatrin e luftës. Të gjithë këtq objektiva për Ukrainë ndodhen në thellësi të territorit rus. Ukraina e ka të pamundur nga ana teknike dhe operacionale për të realizuar goditje të tilla për shkak të largësisë së madhe të tyre. Por më kryesorja, Ukraina e ka të ndaluar nga NATO që të përdorë mjete ushtarake të saj për të goditur objektiva ushtarakë ose civilë në brendësi të territorit rus.
Nga sa më lart rezulton se Ukraina nuk e ka mundësinë për të realizuar fazën e parë të këtij operacioni.
Faza e dytë
Kjo fazë kërkon Shtypjen e Mbrojtjes Ajrore të Armikut - në atë që njihet si SEAD (Suppression of Enemy Air Defenses). Edhe kjo fazë hyn tek detyrat strategjike, pasi kërkon goditjen e objektivave jo vetëm në teatrin e luftimeve ku rusët kanë përqëndruar disa sisteme kundërajrore, por në pjesën më të madhe kërkon goditjen e objektivave të mbrojtjes kundërajrore ruse në brendësi të territorit rus dhe disa në territorin e Bjellorusisë. Pasi këtu nuk përfshihet vetëm sistemet raketore, por të gjitha sistemet e radarëve të cilët ndodhen totalisht në brendësi të territorit rus dhe atij bjellorus.
Bazuar në kufizimin politik që NATO i ka vënë Ukrainës për të mos përdorur mjetet e saj kundër objektivave në brendësi të territorit rus, bëhet e pamundur për të realizimi i kësaj faze të dytë të këtij operacioni.
Faza e tretë
Në këtë fazë kërkohet përgatitja e fushës së betejës nëpërmjet fuqisë ajrore. Kjo do të thotë që me anë të aviacionit të goditen të gjithë pozicionet e forcave të armikut në teatrin e luftës, përfshi të gjitha vendpërqëndrimet e forcave dhe municioneve, në mënyrë që t’i hapet rruga fushatës së forcave tokësore.
Por duke qënë se Ukraina do të jetë në pamundësi të ushtrimit të dy fazave të para të këtij operacioni, atëherë do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë pothuajse e pamundur për aviacionin e saj, pavarësisht tipit të avionëve që mund të marrë, për të realizuar këtë fazë të tretë, pasi avionët e saj do të jenë gjatë gjithë kohës në shënjestër të mbrojtjes kundërajrore dhe ajrore ruse. Dhe pavarësisht llojit të avionëve që Ukraina do të ketë në dispozicion, ajo do të gjendet në të njëjtat pozita në të cilat gjendet edhe sot, ku çdo mision i një avioni ukrainas është një mision vetvrasës për pilotët e saj, pasi Rusia monitoron dhe kontrollon totalisht hapsirën ajrore të Ukrainës.
Faza e katërt
Në këtë fazë të fundit parashikohet një betejë e kombinuar dhe e koordinuar e forcave ajrore dhe atyre tokësore. Edhe kjo fazë ashtu si faza e tretë ka të bëjë me objektiva të llojit taktik. Në të dyja këto fazat e fundit fuqia ajrore ka për qëllim të shërbejë si një forcë shtesë për të shkatërruar forcat tokësore të armikut. Por në pamundësi të realizimit të dy fazave të para të cilat do t’i jepnin Ukrainës kontroll të hapësirës së saj ajrore, bëhet i pamundur dhe realizimi i kësaj faze të fundit. Kjo pasi me përparimin e forcave tokësore, edhe aviacionit i duhet të afrohet më shumë në zonën e luftimit dhe më afër sistemeve raketore ruse dhe kontrollit të radarëve të saj, duke i kthyer avionët ukrainas në tabelë qitjeje dhe trajnimi për mbrojtjen ajrore dhe kundërajrore ruse.
Ashtu siç shihet, edhe nëse Ukraina do të marrë nga NATO avionë, ajo do të jetë totalisht në pamundësi për të ndryshuar rrjedhën e kësaj lufte, pasi realizimi i objektivave strategjikë të kësaj fushate ajrore të cilën Ukraina mendon dhe propagandon se mund ta bëjë, do të thoshte implikim direkt të NATO-s në luftë kundër Rusisë. Dhe kjo do të sillte reagimin rus ndaj objektiva të NATO-s duke na çuar kështu drejt Luftës së Tretë Botërore, e ndoshta edhe drejt fundit të civilizimit të tanishëm.
Dhënia e këtyre mjeteve ajrore të standardeve të NATO-s nuk do të ketë asnjë efekt strategjik, por as edhe taktik për Ukrainën në këtë luftë. Ata thjesht do të kenë një efekt politik vetëm për Presidentin Biden për fushatën e tij elektorale në 2024. Ndërsa përsa i përket vetë NATO-s kjo do të përbënte një katastrofë taktike dhe strategjike për të, pasi mosefektiviteti i këtyre avionëve në këtë fushë beteje do të vinte në pikëpyetje gjithë përdorimiin e këtij lloj armatimi nga vetë NATO në rastin që një avion i tillë i goditur do të binte në duar të rusëve, ashtu siç tashti ka rënë në duar të tyre droni më i sofistikuar amerikan MQ-9 Riper i rrëzuar në afërsi të Krimesë .
Tashmë Instituti Qëndror i Kërkimeve të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse ka shtënë në dorë karakteristikat e një numri komponentësh elktronikë kritikë të dronit MQ-9 Riper, siç janë kompleksi optoelektronik multispectral i kameras AN/AAS 52 dhe kompleksi i radarit sipërfaqësor AN/APY-8, telemetria dhe stacionet e komunikimit satelitor të sigurt dhe terminali i shkëmbimit të të dhënave të NATO-s Link-16.
Dhënia e këtyre avionëve nga ana e NATO-s dhe Amerikës është thjesht një veprim taktik pa asnjë lloj strategjie.
Kujtoj që Sun Tzu-ja shkruante: Taktika pa strategji është zhurma përpara humbjes.
Edhe këta avionë pa efektin e tyre strategjik, i cili do të thotë futje direkt e NATO-s në luftë, thjesht do bëjnë pak zhurmë, më shumë mediatike sesa teknike dhe do zgjasin pak më shumë agoninë e Ukrainës.
© Dritan Goxhaj



