Në 28 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
Enver Robelli - Zvicër
■ Më 11 korrik 1995 forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, të komanduara nga Ratko Mlladiç, pushtuan qytezën e Srebrenicës, e cila ishte një enklavë me popullsi boshnjake dhe zyrtarisht nën mbrojtjen e OKB-së.
■ Në ditët në vijim forcat serbe, të përkrahura aktivisht nga Republika e Serbisë, masakruan në Srebrenicë dhe në rrethinë mbi 7000 djem dhe burra boshnjakë.
■ 28 vjet pas masakrës ende nuk dihet asgjë për fatin e 1000 personave.Sot (11.07.) në qendrën përkujtimore Potoçari do të varrosen eshtrat e 30 viktimave të identifikuara.
■ “I gjetëm vetëm dy eshtra të këmbëve të tij. S’kishte kurriz, as kokë, as torzo. Biri im ishte 29-vjeçar, burrë, por ai është fëmija im. Quhej Samir”. - Kada Hotiç, nënë nga Srebrenica. Në masakrën e forcave serbe humbi djalin, burrin dhe dy vëllezër. Në rrethin e gjerë familjar asaj ia vranë mbi 50 anëtarë.
■ Një ndër librat më tronditës mbi Srebrenicën të botuar së fundi: Hasan Hasanoviç - Voices from Srebrenica: Survivor Narratives of the Bosnian Genocide.
■ Sabit Gjonllagiç ishte 21-vjeçar kur lufta në Bosnjë ia ndryshoi tmerrësisht jetën në vendlindjen e tij në Kozarac. Gjonllagiç u internua në një kamp të forcave serbe. Kryqi i Kuq e nxori nga e aty dhe Gjonllagiç gjeti strehim si refugjat në Zvicër. Ai është çiklist i pasionuar. Dhe prej vitesh me biçikletën e tij shkon nga Zürichu në Srebrenicë. Një udhëtim kundër harresës.
■ Edhe një libër: “Für Seka” (Për Sekën) nga autorja e re boshnjako-zvicerane Mina Hava, e lindur më 1998. Një roman hulumtues mbi rrugën e prindërve nga Bosnja në Zvicër dhe mbi një luftë pothuaj të harruar. Vlerësimet për këtë roman në gazetat e rëndësishme në Gjermani e Zvicër variojnë mes “autore e bindshme” dhe “vepër brilante”.
■ Fotografia që ilustron këtë tekst është shkrepur nga fotografi boshnjak Armin Durgut. Më 1 korrik në Galerinë Artistike të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë është hapur ekspozita e këtij fotografi, ku prezantohen këpucët që kanë bartur viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
■ Poezi nga poeti polak Adam Zagajevski (21 qershor 1945-21 mars 2021)
Verë 1995
Ishte një verë në Mesdhe, a të kujtohet,
afër Toulon, verë e thatë, e frymëzuar me veten,
duke folur me një dialekt vështirë të kapshëm,
andaj ne i kuptonim vetëm copëzat e fjalëve të njelmëta,
ishte një verë në dritën e shtrembër të mbrëmjes, natën në njolla të zbehta yjesh, kur zhurma
e zërave të parëndësishëm pushoi dhe vetëm
heshtja priste, që një zog i përgjumur të thërras,
një verë me shpërthim të përditshëm të jugut, kur edhe
gjinkallat zaliseshin, një verë,
kur uji i kaltër hapej si mikpritës, aq mikpritës,
saqë i harruam krejt amforat, të cilat që mijëra
vjet qëndronin në fund të detit, në errësirë,
të vetmuara; ishte ajo verë, a të kujtohet,
kur qeshnin gjethet përjetësisht të blerta të voshtrës,
ishte korrik kur u miqësuam
me atë macen e vogël të zezë,
e cila na dukej aq e mençur,
ishte po ajo verë, kur në Srebrenicë
u vranë burra e djem;
atje - të shtëna të panumërta të thata
dhe sigurisht po ashtu vapë dhe pluhur
dhe gjinkalla, të tmerruara për vdekje.
(Përktheu Enver Robelli)



