Andej-Këtej

Historia e një portreti - Nga Ardian Radovicka

Ardian Radovicka

Ishte hera e dytë që po shkonim në shtëpinë e zonjës. Hera e parë ndodhi disa ditë më parë dhe koha kishte fluturuar pa kuptuar. Ajo është një zonjë tepër aktive. Dikur ka qenë drejtuese e një kompanie të fuqishme dhe sot drejton një shoqatë jofitimprurëse që quhet “Kopshtet sekrete” me ndikim në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Ajo na tregoi shtëpinë dhe kasollen e veglave. Ndjehet krenare për rikonstruksionin që i ka bërë shtëpisë së të atit në fshat. Ajo ruan akoma orendi të shtëpisë së prindërve dhe gjyshit, si dhe vegla pune të përdorura prej tyre.

Shtëpia rrethohet nga një kopsht i madh, ku ndodhen lule të ndryshme, bimë mjekësore, drurë frutorë dhe dy shelgje lotues. Ajo banon në Ravena. Kur vjen në shtëpinë e fshatit, atë e shoqërojnë më së shumti nëna e saj gati shekullore dhe e mbesa 10 vjeçare. E ëma është një grua e qeshur dhe e heshtur. Ajo është e fortë dhe akoma prashit. E bukura ishte që edhe stërmbesa e shoqëron stërgjyshen në prashitje. Zonja e shtëpisë kishte të drejtë të ishte krenare për këtë transmetim vlerash nga një brez në tjetrin nëpërmjet punës.

Sapo arritëm, ajo na mirëpriti te dera e shoqëruar nga një vogëlushe gjatoshe e me sy të zgjuar. Së bashku shkuam të takojmë dhe stërgjyshen gati shekullore, që po çapiste në fund të oborrit. Më tej e pyes vogëlushen, që po ndiqte macen, se cili ishte vendi që i pëlqente tek oborri i gjyshes. Përgjigja e saj ishte: tek shelgjet lotues.

Kërkova një karrike dhe i thashë vajzës të ulet për të pozuar nën shelgje. Rrezet e diellit ndriçonin si me porosi njerën anë të fytyrës së saj të dlirë. Montova kavaletin tim portativ dhe fillova rrëmbimthi portretin, duke skicuar si zakonisht zonat më të errëta. Ndërkohë që vajza po pozonte, erdhi dhe e ëma e saj. Fatmirësisht ajo bisedoi me time shoqe dhe unë vazhdova punën për të shfrytëzuar ndriçimin që mund të ndryshonte shpejt.

Pas një seance njëorëshe ndjehesha mirë që e kisha kapur vogëlushen në karakter. Kjo është mënyra ideale për të krijuar një portret në natyrë dhe në vendin e preferuar, në kopshtin e gjyshes. Pasi punova në studio dy seanca të tjera, portretin e përfundova dje.

Shpresoj që tabloja ime t’i shërbejë sadopak vogëlushes dhe familjarëve të saj në trashëgiminë e vlerave.

© Ardian Radovicka