Shqiptarët në Gaza - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
Në janar të vitit 1800 në Gaza u grumbullua një kontingjent osman, i cili kishte për qëllim t’i dëbonte francezët nga Egjipti. Pjesë e këtij kontingjenti ishte një komandant i shkathët dhe dinak. Quhej Muhamed Ali Pasha. Ai ishte përgjegjës për kontingjentin e rekrutëve, të cilët ishin shqiptarë siç ishte edhe ai vetë, pra Muhamed Ali Pasha. Shumë shpejt këto trupa e pushtuan qytetin egjiptian të Al-Arishit. Më 1801 mori fund intermexoja franceze në Egjipt. Tani për pushtet në Egjipt luftonin mamlukët, trupat osmane dhe mercenarët shqiptarë.
Nga këto përplasje doli fitues Muhamed Ali Pasha. Më 1803 Porta e Lartë e pranoi atë si guvernator të Egjiptit dhe ai mori kompetenca de facto autonome. Një kohë ai ishte i kënaqur me sundimin e Luginës së Nilit, por më 1831 e urdhëroi të birin e tij, Ibrahimin, të pushtojë Sirinë. Ibrahimi e mori Gazën pa rezistencë. Qyteti mbeti tetë vjet nën sundimin egjiptian dhe gjatë asaj kohe autoritetet morën vendim që banorët e Gazës t’i nënshtrohen detyrimit ushtarak.
Nën presionin e Fuqive të Mëdha më 1840 u rivendos sundimi osman në tërë Levantin (vendet në lindje të Detit Mesdhe). Muhamed Ali Pasha u detyrua të heqë dorë nga Siria dhe Palestina, pasi ia tërhoqi përkrahjen Franca. Por Muhamed Ali Pasha nxori një përfitim të rëndësishëm: Perandoria Osmane ia pranoi të drejtën që familja e tij ta sundojë Egjiptin me trashëgimi. Trupat egjiptiane sërish kaluan nëpër territorin e Gazës dhe vazhduan rrugën për në Egjipt. Tani Gazën e sundonin sërish osmanët.
P.S. Të dhënat e mësipërme bazohen kryesisht në librin “Gaza. A History” të historianit francez Jean-Pierre Filiu.
© Enver Robelli - KOHA



