Andej-Këtej

“Parada e gaforreve” - Nga Bamir Bebeziqi

Duke gërmuar në librat e mi këtu në Kanada, gjeta një libërth të vogël. Titullohet “Parada e gaforreve”, shkruar nga një autor humori i asaj kohe, Tonin Miloti. E mora librin dhe e lexova edhe një herë me një frymë, e m'u kujtua historia e atij libri.

Në vitin 1986, kur përfundova studimet, më emëruan në Radiostacionin e Fllakës. Nuk kishte kaluar as edhe një muaj, e më zgjedhin sekretar rinie për radiostacionin, pasi nuk kishte një të tillë. Ishim vetëm tre vetë, njëri shofer, që gjithë kohën ishte me shërbime, një studente, gjithë kohën me studime dhe unë, pa shumë preokupime. Ma ngecën mua e nuk kisha ku të lëvizja.

E ç’të bëja? I urreja e vazhdoj t’i urrej mbledhjet edhe sot. Më duhej të merresha me diçka që nuk e pëlqeja, pra duhej të bëhesha pragmatist.

Çdo muaj, vinte nën emrin tim një zarf shumë i fryrë nga Komiteti i Rinisë Durrës. E kujtoj të parin zarf që hapa. Kishte brenda nja 10 faqe të shtypura, ku në krye shkruhej se do të zhvilloni këtë temë, do të komentoni këtë subjekt, do të ngrini këndin e emulacionit e budallallëqe të këtij lloji. Zarfet më vonë as nuk i hapja fare, e kështu vazhdoi deri sa më erdhi koha të mbushja 26 vjeç e të dilja prej organizatës.

***

Një ditë shtatori 1987, më vjen nje zarf i vogël me një ftesë brenda ku shkruhej:

“Jeni i ftuar në Konferencën e Rinisë së Rrethit, e meqë konferenca zgjaste vetëm një ditë dhe dita e punës ishte e paguar, thashë me vete në vend që të shkoj në punë, po shtyj kohën në mbledhje.

Konferenca mbahej tek Pallati i Kulturës. Sapo hyra në sallën e madhe, hodha një vështrim të shpejtë përreth se mos njihja njeri. Më kapi syri Belën, shoqen time të universitetit dhe shkova në drejtim të saj. U përshëndetëm e i them:

“Le të rrimë bashkë në ndonjë cep, e ia shtrojmë muhabetit”.

Bela, e cila ma njihte mendjen, pranon e ulemi diku nga fundi i sallës. Në presidium ulen shumë figura të larta, e midis tyre, shoku Q.

Mbledhja filloi e nisën diskutimet, por këtu filloi edhe problemi. Çdo dy minuta dikush nga salla bërtiste me grushtin lart, rroftë ky e rrofte ai, e të gjithë duhej të çoheshin e të brohorisnin. Unë, që pushkën ballit të ma vije nuk doja të brohorisja, rrija ulur e Bela më thoshte:

“Çohu se na more në qafë! Vetëm ti rri ulur!”

Gjatë gjithë mbledhjes flitej vetëm për suksese e arritje, megjithëse dyqanet ishin bosh, e njerëzit mezi siguronin ushqimin veçse për të mbijetuar. Kur erdhi pushimi, dola në holl, ku në një kënd të vogël më zuri syri dikë që shiste libra. Ishin libra të Partisë, por në një cep ishte fshehur një libër i vogël me titullin “Parada e Gaforreve”.

- Ok, - thashë me vete, - ky duhet të jetë libri që i shkon më shumë kësaj mbledhjeje.

E blej librin dhe gjatë gjithë pjesës së dytë të konferences e lexoja e qeshja me vete. Nuk degjoja se çfarë flitej, vetëm çohesha dhe ulesha kur më jepte urdhër Bela. Çuditërisht të gjitha fabulat e librit, tingëllonin aq bukur, sikur autori të kishte mendjen time.

***

Vitet kaluan. Tani jemi në një sistem tjetër. Në prill të vitit 1996 mbahej Kongresi i partisë së “Ëndrrave”. Më zgjodhën edhe mua delegat. Në atë kohë isha pa punë. Kompania ku punoja sapo ishte mbyllyr, por meqë Partia i paguante delegatët me 36 mijë lekë të vjetra për tri ditë, vendosa të shkoja.

Kisha vetëm një kostum në shtëpi, atë të martesës, që ishte ngushtuar pak, ishte edhe i zi, ndaj mendova të vishesha si përditë, me një xhakovento të vjetër meshini, e një palë pantallona bluxhins, që ishin aq të gjata, sa i kisha përveshur dy herë, që mos të me arrinin në tokë.

Shkoj në kongres, që mbahej tek Pallati i Kultures në Tiranë, me idenë se do të njihja njeri. Në fakt nuk pashë asnjë të njohur në sallë. Të gjithë delegatët, pjesa më e madhe veshur me kostume e me kollare, ndërsa unë sikur shkoja në punë. Zura një vend pranë derës, që të kisha mundësi të dilja sa herë të doja.

Filloi kongresi. Në presidium ishte dhe zoti Alois Mock, i partive popullore evropiane, i cili më kujtonte ata kryetarët e partive komuniste, që ftoheshin në kongreset e PPSH. Prisja që të dëgjoja në raport shifra e mosarritje, por jo… vetëm suksese, e salla çdo dy minuta ngrihej e brohoriste, me dy gishta lart, rroftë ky e rroftë ai.

Unë, që siç thashë në fillim, të ma vësh me pushkë ballit nuk brohoras për njeri, vendosa të mos çohesha fare. Këtu ngjalla dyshime, sepse isha ulur pranë daljes, e shikoj që dy vetë u vendosën tek dera.

Të dy me vrojtonin mua, pasi isha i vetmi me xhakovento, e herë pas here, ngaqë bënte ftohtë përpiqesha ta ulja, që të më mbulonte shpinën, pasi era e rrihte direkt dhe ata të dy, sytë tek shpina ime. Sapo mbaroi seanca e parë, lashë sallën e drejt e në Durres. Dy ditët e tjera nuk shkova ne Kongres. Askush nuk e ndjeu mungesën time.

***

Sot, në vend të mbylljes, po bëj një përmbledhje të njerës nga fabulat e librit “Parada e Gaforreve”.

Meqë zoti Miu martonte të birin, kishte bërë shumë ftesa. Midis të ftuarve ishte edhe Maçoku me zonjën e tij. Maçoku gëzohet pasi merr ftesën, e thotë me vete: Tani do të kemi gosti”.

Shkon tek vrima e hyrjes ku organizohej dasma, së bashku me macen dhe një këlysh të vogël, por vrima nuk i nxinte.

- Si do hyjmë ne? - i thote Maçoku, Miut që i kishte bërë ftesën.

- Ah, - thotë Miu, - unë nuk prish gjithë murin që ju të hyni, prandaj rrini jashtë.

Mirëpo këlyshi i vogël i maces u zvogëlua e hyri në vrimë. Hyri atje, e bëri kërdine në minjtë.

Një mi i vogël shpëton, fshihet diku e thote me vete: “Nuk qenka e kotë ajo shprehja e vjetër, “ç’ka pjell macja, gjuan për minj”.

E historia e kongreseve, e sukseseve, vazhdon e vazhdon përjetë…

© Bamir Bebeziqi