Andej-Këtej

Çarmatosja morale e ushtrive të NATO-s dhe Perëndimit - Nga Dritan Goxhaj

Në vitin e largët 1962 gjenerali amerikan Mac Arthur mbajti një fjalim para kadetëve që po diplomoheshin në një prej akademive më prestigjoze ushtarake të botës, në West Point. Në fjalën e tij mbresëlënëse, ai foli për moton e kësaj shkolle e cila në të vërtetë ka qënë motoja e gjithë akademive ushtarake të botës anembanë, por edhe moto e shumë ushtrive të botës. Mac Arthur i bëri eulogji një kodi etik për të cilin të gjithë ata që nuk kanë besuar e që nuk besojnë, do thonë se janë vetëm fjalë, ose thjesht një slogan. Çdo cinik, çdo demagog, çdo hipokrit, çdo ngatërrestar dhe çdo person me karakter të dobët e të dyshimtë do të tallet me atë kod.

Ai kod është: Detyra, Nderi, Atdheu!

Tre fjalë që Mac Arthur i cilësoi: “Tre fjalë të shenjta këto që diktojnë me nderim se çfarë duhet të jesh, çfarë mund të jesh, çfarë do të jesh. Ato janë pika e grumbullimit për të ndërtuar guximin kur të duhet guxim të dështosh, të rifitosh besimin, kur duket se ka pak arsye për besim, të krijosh shpresë kur shpresa bëhet e dëshpëruar”.

Një kod ky, të cilin tashmë prej marsit të këtij viti, West Point, kjo akademi ndër më të mirat e botës moderne, që ka nxjerrë udhëheqës ushtarakë dhe politikë të cilët kanë ndryshuar rrjedhën e botës, ka vendosur që ta heqë, e mos ta përdorë më si moto të vetën.

Çdokush që sot nuk është cinik, demagog e hipokrit, nuk i duhet ndonjë doktoraturë në filozofi morale për të kuptuar se me çfarëdolloj togfjalëshi tjetër të zëvendësohet kjo moto, nuk mund të zëvendësojë këto vlera thelbësore që mbartin këto tre fjalë.

Detyra, Nderi, Atdheu janë elementët kryesorë të ethosit të një luftëtari. Të treja këto fjalë nuk shkojnë dot po njëra-tjetrën.

Dhe që nga ky vit, një nga tre ushtritë më të mëdha e më të fuqishme të botës, ajo amerikane, nuk do prodhojë më as udhëheqës ushtarakë e as politikë, që të kenë si moto këto tre fjalë.

Nderi dhe atdheu në veçanti janë vlerat kyçe jo vetëm të ushtrisë, por edhe të një shoqërie të shëndoshë dhe të familjes.

“Nderi është ai që e detyron një njeri të luftojë në dy mënyra” thotë studiuesi ushtarak Paul Robinson. “Pozitivisht, nëpërmjet dëshirës për të treguar virtyt dhe për të fituar nder. Negativisht nëpërmjet dëshirës për të shmangur çnderimin dhe turpin”.

Ndërsa filozofi politik amerikan Kristofer Lash (Christopher Lasch) shkruan në vitin 1995: “Elitat po mundohen të tërheqin vëmendjen drejt një trendi të de-nacionalizimit, duke e zëvendësuar atdheun me lidhje tregëtare ndërkombëtare, me para, me magjepsje, me modë dhe me kultura popullore. Ku fillon e pyet veten nëse je më pjesëtar i një vendi apo jo dhe ku patriotizmi nuk renditet aspak në hierarkinë e virtyteve të tyre”.

Dhe pastaj në mungesë totale të patriotizmit, atëherë do të përqafojnë diversitetin dhe multikuturalizmin, të cilët i propagandojnë edhe ato të vetëshpallurat elitat tona politike dhe shoqërore këtu te ne në Shqipëri. Mjafton të dëgjosh kryeministrin dhe gjithë përfaqësuesit e tjerë të gjithë spektrit politik se si e sulmojnë patriotizmin dhe përqafojnë multikulturalizmin dhe diversitetin, e në veçanti atë gjinor.

Sot heqja e kësaj moto nga një institucion që pretendohet të krijojë ato elita ushtarake që jo vetëm do të udhëheqin NATO-n në të ardhmen, por që edhe do të mund të marrin pjesë në një luftë të cilës po i fryjnë çdo ditë, i shërben përforcimit të një nga simptomave më të shquara të çarmatimit moral të këtij Perëndimi, e cila është indiferenca në rritje ndaj autoritetit të shtetit kombëtar.

Dhe cinikët, hipokritët e demagogët do thonë se kjo nuk ka lidhje pasi po ndodh vetëm në ushtri - unë i them që në jetën civile kjo moto është e ndërlidhur me virtytet civile - Patriotizmi, Detyra, Shërbimi - statuti i të cilave sot është zhvlerësuar qëllimisht nga politika, veçanërisht ajo perëndimore.

Dhe kjo bëhet me qëllimin që të ulet dhe të humbë totalisht statuti i virtytit civil në mënyrë që shoqërisë në të cilën jetojmë t’i humbë sensi i qëllimit, i cili është kryesori që kërkohet për të drejtuar një shoqëri në mënyrë efektive.

Dhe kjo çarmatosje morale nuk është vetëm në Amerikë, por ajo është shtrirë edhe më shumë në Britani dhe në disa vende të tjera të Perëndimit ku bëhet çmos për të evituar shprehjet publike të krenarisë kombëtare mbi pretendimin se mund të preken refugjatët e ardhur në këto vende.

Heqja nga përdorimi i këtyre kodeve ushtarake dhe civile që përbërjnë ethosin e një luftëtari, qoftë në ushtri e qoftë në jetën civile, përbën rrënimin më të madh të autoritetit moral, i cili pasi të rrënohet sjell dekadencën kulturore dhe shoqërore.

Dekadencë që ka filluar - mjafton të shohësh festivalin europian të këngës.

Zhdukja nga fjalori i këtyre fjalëve: Detyra, Nderi, Atdheu, Patriotizmi, Shërbimi - shënon dhe nënkupton një ndryshim në sistemin e kuptimit të shoqërisë. Dhe kjo pastaj krijon mundësinë për të sulmuar edhe bazën e Nderit dhe Atdheut, Familjen.

Këto tre fjalë të këtij kodi antik të luftëtarit janë baza për të ndërtuar karakterin e për t’u bërë mbrojtës të atdheut. Me zhdukjen e këtij kodi, Perëndimi po çarmatoset moralisht.

Dhe pastaj lind pyetja si do mund një Perëndim i çarmatosur moralisht të luftojë me një armik si Rusia ku këto tre fjalë vazhdojnë të jenë motoja në të gjitha akademitë e saja ushtarake dhe motoja e operacionit të saj ushtarak në Ukrainë?

P.S. Vallë a mund të luftojmë e të fitojmë pa moral?

© Dritan Goxhaj