Interpretimi i Celine Dion në Paris, himn për njeriun - Nga Çapajev Gjokutaj
- Published in Andej-Këtej

Çapajev Gjokutaj
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit, përfundoi mbrëmë me ndezjen e flakës olimpike dhe me Celine Dion që këndonte “Himn për dashurinë” të Edith Piaf. Pak më pas Laura Pausini shkruante: “Duart po më dridheshin dhe sytë më lotonin, ndërsa shihja dhe dëgjoja të adhuruarën time”.
Po ta heqësh këtë interpretim nga konteksti i mbrëmshëm, vështirë se do të ishte kaq emocionues. Kënga të prekte sidomos me ngarkesat simbolike që përmbante.
Ishte performanca e parë live e Dion pas katër vjet heshtjeje si pasojë e një çrregullimi neurologjik, që shkakton dobësim të muskujve, por dhe prekje të kordave të zërit. Përkundër kanosjes së sëmundjes, Celine ia doli të performonte dhe të dëshmonte forcën e njeriut, mrekullitë që mund të bëjnë vullneti dhe shkenca mjekësore.
Parë kështu, interpretimi i Dion merrte trajtën e një simboli që rezononte fuqishëm me thelbin e Lojërave Olimpike: qysh nga antikiteti kanë përcjellë mesazhin se njeriu ka potenciale të kalojë kufijtë e të zakonshmes, të dëshmojë vlera fizike e shpirtërore që fqinjërojnë me qielloren.
Si kurdoherë edhe mbrëmë, sportistë të të gjitha vendeve, racave e civilizimeve ishin bërë bashkë që, me gjuhën universale të sportit, t’i thoshnin botës se, përkundër diversitetit, njerëzimi priret nga bashkëpunimi, nga gara, kremtimi dhe jo nga lufta e shkatërrimi apo nga mynxyrat që po shohim në Gaza, Ukrainë e gjetkë.
Vendosur në një kontekst të tillë, më të gjerë, interpretimi i Celine Dion nuk ishte thjesht himn për dashurinë, po himn për njeriun dhe për të bukurën e sublimen brenda tij.
© Çapajev Gjokutaj
Foto: Getty Images