Trashëgimi

Për një parti politike në Shqipëri - Nga Mid’hat Frashëri

Këndonjësit tanë duhet të dinë se “Vatra” ka më tepër se mot, që ka vendosur formimin e një partie politike në Shqipëri. Pak javë më parë, një prej anëtarëve të komisionit të Federatës “Vatra” u nis për në zall t’Adriatikut. Tani do të ketë arritur në atë Shqipëri aq të dashur dhe puna mund të ketë nisur.

“Puna” - themi dhe duam të japim pak shpjegime ose më mirë të rrëfej mendimin tim mbi këtë pikë.
Partitë politike gjenden në çdo vend, që ka një jetë konstitucionale dhe parlamentare, në çdo shtet ku gjindja dëshiron dhe ka të drejtë të marrë pjesë në rregullimin e nomevet, qeverisjen e vendit, me një fjalë, në fatin e tij. Zgjedhjet e deputetëve, si dhe politika e brendshme dhe e jashtme mbi programin e partive, janë bazuar në ligj. Pa një parti, pa disa parti politike, politika dhe udha e qeverisë bëhet si në t’errët, pa program, pa një udhë të caktuar.
Pra, krijesa e një partie politike, lindja e një programi politik në Shqipëri, është një gjë e natyrshme, jetësore.
Por m’anë tjetër, s’do harruar se partia nuk del vetëm nga mendja ose dëshira e disa njerëzve: del më tepër nga nevoja e vendit, nga shtytka e popullit; kjo nevojë, po qe që nuk dihet, po qe që nuk shfaqet dhe imponohet, atëherë partia mbetet një grumbull personal, bazuar mbi zotërinë dhe besimin e themeltarëvet dhe jo e dalë nga forca e popullit.
Formimi i një partie ka një influencë morale dhe qytetare mbi gjindjen; morale, se e mëson me disiplinë, i vë një fre kotësisë dhe ambicionit vetjak, e stërvit në punë me rregull dhe pjellore; qytetare, se bën njeriun të mendojë, të gjykojë dhe të kuptojë interesat e vendit, të interesohet në këto interesa, të mos rrijë i ftohtë dhe i huaj në fatin e tij dhe të shtetit; me një fjalë ta ndjejë veten e tij qytetas të vërtetë, një pjesë të gjallë të kombit, një pjesëtar që ndjen, mendohet dhe gjykon.
Për fat të keq partia politike ka edhe faqen tjetër, se është një thikë, që pret me të dy anët. Na moralizon, na stërvit dhe i shton njeriut edukatën civile, m’anë tjetër i çel dhe rrugën e ambicionit, dëshirën që të arrijë, të hipë mbi një perusti, të fitojë nga fuqi e grumbullimit, për të shtuar fuqinë e tij, për të fshehur dobësinë dhe kotësinë vetjake.
Larg prej meje ideja, që të qortoj ambicionin dhe dëshirën e të arriturit! E di se ato janë shtytkat më të forta dhe më veprimtare, që e bëjnë njeriun të përpiqet, të punojë, të durojë. Po në çështje të një kombi, kur është puna për parti dhe politika, duhet që këto ndjenja të jenë të harmonizuara me interesin e përgjithshëm, se po s’qenë pas këtij interesi të kombit dhe të shtetit, ahere më mirë të mos jenë fare.
Me një fjalë, partia dhe fuqia morale ose lëndore e saj, duhet të na shërbejnë për të mirën e përgjithshme dhe jo për të mirën vetëm sonë.
Këtu më kujtohet një ngjarje e vitit 1913-1914. Isha i bindur se duhej formuar një trup i vogël, një parti, të themi, që të interesonim botën, jo vetëm në jetën politike, por në rrojtjen, mbajtjen dhe forcimin e kësaj Shqipërie. Gjer më atëherë, fati dhe fuqi e sendeve na kish mësuar që cilido prej nesh të mendonte më parë si individ (vetëm për veten e tij) dhe pastaj si qytetar, si pjesë e një kombi. Ndaj, me qëllim që të formohet një trup, një grumbull patriotik e politik, thamë të fillojmë partinë.
N’atë kohë ishte Ismail Qemali dhe Esat Tirana. Përnjëherë, partia jonë u pandeh kundër Ismail Qemalit. Por kur panë se, jo që s’qemë kundër qeverisë së Vlorës, po ishim anëtarët e saj, atëherë një tok miq, zunë të na ndahen. M’anë tjetër, u hoqën edhe ata që na pandehnin anëtarë të Esat Tiranës, teksa panë se ishin gabuar në shpresat e tyre, po me kaq s’u mbarua. Meqenëse partia, që do të bënim në Elbasan, se ahere ishim në Elbasan, shikohej si një vepër kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë, anëtarët e saj nisën të formonin një parti në Vlorë.
Është e tepërt të themi se mbi këto, hoqëm dorë edhe ne.
Ja, pra, një prej rreziqeve të partisë. Rreziku tjetër është se një parti, po qe që merr fuqi, çahet dhe ndahet; po s’arriti në fuqi, mbetet e dobët. Të arriturit në fuqi, zgjon ambicionet dhe inatet; të mbeturit e vogël, nuk premton të bëjë punë.
Pyetja, pra, përmblidhet kështu: Do të mundin një tok burrash (nuk them të ndershëm, se të gjithë shqiptarët janë të ndershëm, s’them as patriotë, se çdo shqiptar është patriot), burra me ideal, burra me karakter të fortë, prej atyre që bëjnë theror ambicionin dhe inatin e vetes të tyre për nderin dhe lumturinë e Shqipërisë, a do të mundin të tillë burra të bashkohen, të grumbullohen, të betohen dhe të bëjnë një parti kombëtare?
Në qoftë se “po” atëherë le të nisë puna. Në qoftë se “jo”, atëherë më mirë të mos hidhet çapi i parë.

Lumo Skëndo
Barcelonë, 17 mars 1921

Botuar në gazetën “Dielli”
Sh.B.A. 1921

Burimi: Faqja Facebook Mid’hat Abdyl Frashëri